Në ditën e Krishtlindjes “Dola te Ola” erdhi pranë publikut me një program të veçantë ku mbizotëroi muzika, gëzimi dhe hareja. I ftuari special në këtë mbrëmje festive ishte këngëtari i njohur dhe shumë i dashur për publikun Gena, i cili së bashku me vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, ndezën studion me muzikën e mirë dhe zërat e tyre të pakrahasueshëm.

Teksa rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive Gena e cilësoi fëmijërinë e tij si shumë të bukur duke zbuluar se dëshira e tij ka qenë të bëhej oficer. Ai zbuloi gjithashtu se i pëlqente shumë piktura, ndërkohë që për lidhjen me muzikën tha se si fillim nisi me baterinë dhe më pas kaloi te muzika.

Gjatë programit Gena ndau kujtime të bukura edhe nga shoqëria e tij me vëllezërit korçarë, duke treguar se si fillim ata janë bërë bashkë në aktivitetet e ndryshme që zhvilloheshin në Korçë dhe më pas mes tyre lindi një miqësi të ngushtë, e cila ndër vite është forcuar. “Tashmë nuk ka festë që mos të jemi bashkë”, thanë djemtë.

Gena kujtoi edhe momente që ka kaluar me artistë të tjerë si Aurela Gaçe, Eli Fara, Aleksandër Gjoka, Elton Deda e shumë të tjerë.
Këngëtari teksa foli edhe për projektin e tij më të fundit muzikor “Zemrën ma ke marr”, një bashkëpunim me Klementin, zbuloi se gjatë pandemisë ka bërë 7 këngë. “I kam bërë vetë që nga muzika e deri te teksti”, tha këngëtari duke specifikuar se kompozimin e tyre e ka realizuar për vetëm 2 javë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: