Donald Trump Jr. do t’i japë fund beqarisë këtë fundjavë, teksa pritet të martohet me socialiten e njohur të Palm Beach, Bettina Anderson, në një ceremoni private dhe luksoze në një ishull të vogël në Bahamas.

Megjithatë, vëmendjen më të madhe e ka marrë mungesa e babait të tij, Donald Trump, i cili konfirmoi publikisht se nuk do të marrë pjesë në dasmën e të birit.

Sipas mediave amerikane, ceremonia është organizuar në mënyrë tepër diskrete, me më pak se 50 të ftuar, ku do të marrin pjesë vetëm familjarët më të afërt dhe miqtë më të ngushtë të çiftit. Burime pranë organizimit bëjnë me dije se Don Jr dhe Bettina Anderson kishin kërkuar që detajet e eventit të mos dilnin në media për të shmangur vëmendjen publike dhe masat e forta të sigurisë që do të sillte prania e presidentit amerikan.

Vetë Trump konfirmoi mungesën përmes një postimi në Truth Social, ku deklaroi se detyrat shtetërore nuk i lejojnë të largohet nga Washington.

“Edhe pse doja shumë të isha me djalin tim, Don Jr., dhe me anëtaren më të re të familjes Trump, Bettina, rrethanat që lidhen me qeverinë dhe dashuria ime për Shtetet e Bashkuara nuk ma lejojnë këtë”, shkroi presidenti amerikan.

Ai shtoi se e konsideron të rëndësishme të qëndrojë në White House në këtë periudhë të tensionuar ndërkombëtare.

“Është e rëndësishme për mua të qëndroj në Shtëpinë e Bardhë gjatë kësaj periudhe të rëndësishme. Urime Donit dhe Bettinës!”, deklaroi Trump.

Një ditë më parë, gjatë një deklarate në Zyrën Ovale, presidenti kishte lënë të kuptohej se ende po mendonte nëse do të merrte pjesë apo jo në dasmë.

“Ai do që unë të jem aty, por do të jetë një ceremoni shumë e vogël dhe private. Do të përpiqem të shkoj”, tha Trump, duke shtuar se “koha nuk është e favorshme”, për shkak të zhvillimeve që lidhen me Iran dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Madje, me humor, presidenti komentoi edhe reagimin e mediave ndaj vendimit të tij.

“Në këtë rast nuk fitoj dot. Nëse shkoj, do të më sulmojnë. Nëse nuk shkoj, përsëri do të më sulmojnë”, tha ai.

Dasma do të shënojë martesën e dytë për Donald Trump Jr. Ai ka qenë më parë i martuar për 12 vite me Vanessa Trump, me të cilën u divorcua në vitin 2018. Vetëm pak ditë më parë, Vanessa Trump bëri publike se ishte diagnostikuar me kancer gjiri.

Don Jr ka qenë gjithashtu i fejuar nga viti 2020 deri në 2024 me Kimberly Guilfoyle, aktualisht ambasadore e SHBA-së në Greqi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb