Rusia ka paralajmëruar se do të intensifikojë sulmet ndaj Kievit, në përgjigje të sulmeve me dronë të Ukrainës gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se forcat e armatosura do të vijojnë sulmet me armë me precizion të lartë ndaj objektivave ushtarake në Kiev.
“Në përgjigje të sulmeve të regjimit të Kievit ndaj objektivave politikë në territorin rus, forcat e armatosura ruse do të vazhdojnë dhe do të intensifikojnë bombardimet e tyre duke përdorur armë me precizion të lartë kundër objektivave ushtarake në Kiev”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Moska akuzoi gjithashtu Ukrainën se po përpiqet të “pengojë shprehjen demokratike të vullnetit të popullit rus”, duke iu referuar sulmeve me dronë të raportuara gjatë procesit zgjedhor.
Deklarata e Moskës vjen në një moment të tensionuar në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa të dyja palët kanë vijuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj objektivave në territorin e njëra-tjetrës.
