Porti i Neë Orleans ka ngritur një padi prej më shumë se 1 milion dollarësh ndaj pronarëve dhe menaxhuesve të një anijeje cisternë, e cila u përplas me një anije turistike të ankoruar në lumin Misisipi.

Sipas dokumenteve gjyqësore, autoritetet portuale e konsiderojnë cisternën përgjegjëse për aksidentin, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe detyroi ekipet e shpëtimit të evakuonin mbi 100 pasagjerë. Ngjarja u cilësua nga zyrtarët si një “mrekulli në Misisipi”, pasi pavarësisht përmasave të aksidentit, nuk pati viktima apo persona të zhdukur. Megjithatë, 32 persona u dërguan në spital me lëndime jo të rënda.

Anija turistike me rrota, American Heritage, përfundoi e përmbysur anash dhe pjesërisht e zhytur në ujërat e lumit, pasi u godit nga anija transportuese Atlantic Asphalt gjatë pasdites së të premtes. Kapitenia Melanie Burnham e Rojës Bregdetare amerikane deklaroi se shkaku i saktë i përplasjes është ende nën hetim, por dyshohet se ka pasur një problem me sistemin e drejtimit të cisternës. Përplasja shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme në terminalin portual.

Në padinë e depozituar në Gjykatën Federale të Distriktit Lindor të Luizianës janë përfshirë cisterna M/V Atlantic Asphalt, kompania pronare Nave Shipping SA dhe kompania menaxhuese Thome Ship Management Pte Ltd. Porti kërkon dëmshpërblim për kostot e pastrimit, inspektimeve, riparimeve dhe shpenzimeve të tjera që lidhen me aksidentin. Gjithashtu, në padi kërkohet sekuestrimi dhe shitja e cisternës për të mbuluar dëmet e shkaktuara.

Dokumenti gjyqësor pretendon se përplasja ndodhi për shkak të neglizhencës dhe pakujdesisë së kompanisë dhe operatorëve të anijes, të cilët, sipas paditësit, nuk morën të gjitha masat e mundshme për të shmangur përplasjen me anijen turistike. Nave Shipping është një degë e Korporatës Shtetërore Kineze të Ndërtimit të Anijeve. BBC ka kontaktuar këtë kompani dhe Thome Ship Management për një reagim lidhur me padinë.

Nga ana tjetër, Thome Ship Management deklaroi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit të Atlantic Asphalt janë të sigurt dhe se kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetet lokale gjatë hetimeve. Sipas autoriteteve portuale, në bordin e anijes turistike ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën rimorkiatorë, forcat e policisë dhe ekipet e tjera të shpëtimit, ndërsa qarkullimi i mjeteve lundruese në lumin Misisipi u pezullua përkohësisht për t’u dhënë mundësi autoriteteve të kryenin operacionin e evakuimit. American Heritage po përfundonte një udhëtim turistik tetëditor, gjatë të cilit kishte ndaluar në disa destinacione në Luiziana dhe Misisipi. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të përplasjes dhe përmasat e plota të dëmeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb