DURRES- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur sërish tek dorëheqja e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm. Në një bashkëbisedim me banorën e Manzës në Bashkinë e Durrësit, lideri i PD-së tha se Xhafaj u largua i shkatërruar.

Basha
Basha

“Xhafaj kishte frikë se si të shpëtonte vëllain e dënuar për drogë. Ai u largua i shkatërruar. Kjo është një arsye pse u largua. Xhafaj u largua nga frika e përballjes me përgjegjësin e hetimit ndaj vartësve të tij, drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu dhe njerëzit e tjerë që janë të përfshirë në manipulimin e dosjes së ministrit. Dosja e tij u bë publike falë qëndresës së opozitës”, tha Basha.

Po ashtu Basha tha se Xhafaj nuk pati guximin të arrestonte kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon.

  • foto galeri
  • foto galeri

FJALA E PLOTË E BASHES
Më lejoni ta filloj me një konstatim që më shkon në mendje sa herë vij në këtë zonën tuaj. Siç e dini edhe vetë edhe siç me siguri ua thonë ata që vijnë për t’ju vizituar, jetoni në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë. Ajo që dua të theksoj për ata që vijnë te vizitojnë këtë zonë është që kjo zonë është kaq e bukur jo vetëm për shkak të natyrës apo për shkak të zotit por edhe të punës tuaj sepse në këtë zonë jetojnë njerëzit më punëtorë dhe ta palodhur të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Dhe kjo është e vertetë. Keni punuar dhe roptuar për zonë zonë dhe shumë prej jush prej 50 apo 60 vitesh kur kjo zonë ka qënë e pabanueshme dhe e keni kthyer atë në një hambar për veten tuaj dhe familjet tuaja.

Por u bënë tash sa vite që punoni e jetoni të braktisur totalisht nga shteti dhe qeveria. Jo vetëm të braktisur por shtetin nuk e shihni asnjëherë të vijë këtu për tu ndihmuar, për tju dhënë dicka por gjithmonë për t’ju marrë. Për t’ju marrë taksat, për t’ju marrë faturën e dritave që është rritur këto 5 vite si në asnjë vend tjetër të Europës, për t’ju prerë energjinë kur nuk keni mundësi ta paguani, për t’ju marrë dhe hequr ndihmën ekonomike familjeve që s’kanë asnjë të ardhur, për t’ju mbyllur shkollat e për të larguar nxënësit, për të shkatërruar sistemin shëndetësor dhe mbi të gjitha për t’ju marrë sigurinë për jetën për jetën dhe për sigurinë tuaj dhe të familjeve tuaja.

Ky është realiteti i Manzës, i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe zhvillimet e 24 orëve të fundit sikundër zhvillimet e fundit të këtij muaji apo të këtyre viteve ka nxjerrë në pah pse ndodh kjo. Sepse vendi nuk qeveriset nga një qeveri e dalë nga vota juaj. Vendi nuk qeveriset nga një qeveri dhe një kryeministër i zgjedhur me votën e popullit. Kur vjen në pushtet me kërcënimet e Rrumit…Rrumi e ka ky që bënte kërcënime për zgjedhje në këtë zonë…një ushtar i Xhuxhit. Qenka në Sukth. Pra kur vjen në pushtet mbi zullumet e Rrumit e të Gjush Dakos, mendjen e ke të punosh për Rrumin dhe Gjush Dakon dhe për bandat e tjera të Durrësit dhe Shijakut. Nuk të shkon mendja për njerëzit e thjeshtë, për hallexhintë, për fermerët, për të papunët, për rininë. I vetmi shqetësim i një qeverie të dalë nga krimi dhe kjo nga vota e qytetarëve është se si të vazhdojë të ndihmojë krimin dhe të bëjë biznes me krimin. Ky pra është problem i të gjitha problemeve i cili ka shpërthyer si asnjëherë më parë nga skandalet e ditëve të fundit.

24 orë më parë u bë e ditur dorëheqja e Fatmir Xhafës. Largimi i tij, ndryshe nga sa pritet ta shesë propaganda e rilindjes është rezultat i një dhe vetëm një faktori; betejës dhe luftës pa kompromis të Partisë Demokratike dhe opozitës dhe qytetarëve të bashkuar rreth nesh për të larguar një njeri i cili prej ditës së parë në atë karrige kishte një dhe vetëm një merak; si të shpëtonte vëllain e dënuar për trafik droge nga përballja me drejtësinë. Kanë kaluar 24 orë dhe Fatmir Xhafaj i cili është larguar i shkatërruar dhe i deligjitimuar nga detyra e ministrit të Brendshëm, nuk ka arritur të artikulojë asnjë arsye pse u largua. Keni dëgjuar të artikulojë pse u largua nga detyra e ministrit të Brendshëm?! Ndërkohë propaganda e Edi Ramës dhe e bandave rivale e ka mbytur eterin mediatik me lloj lloj jusftifikimesh e barsaletash. E vërteta është gjithmonë e thjeshtë dhe e dukshme. Fatmir Xhafaj është larguar nga frika e përballjes me përgjegjësitë e tij ligjore dhe politike për manipulimin e hetimit ndaj vartësve të tij, drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliut dhe njerëzve të tjerë të përfshirë në manipulimin e dosjes hetimore për vëllain e tij.

Në çdo vend tjetër të botës një ministër që përfshihet në manipulimin e një dosje hetimore për çfarëdo arsyesh dhe aq më shumë vëllain e kapur gafil do të ishte sot para drejtësisë. Fatmir Xhafaj është larguar pikërisht për ti bërë bisht përgjegjësisë së tij ligjore dhe politike për manipulimin e dosjes së vëllait të tij Agron Xhafaj, dosje e cila u bë e ditur vetëm falë qendrësës, guximit, vendosmërisë dhe këmbënguljes së opozitës. Sikundër, edhe në çdo rast tejtër, në fillim u tallën dhe na akuzuan. Pastaj na sulmuan porn ë fund e vërteta trumfoi. U vërtetua që ne kishim të drejtë se kishim një ministër të Brendshëm si askund në Europë dhe në botë vëllain e një trafikanti të dënuar droge. I cili më mbështetjen e strukturave të policisë vazhdonte të bënte ligjin dhe trafikun e drogës në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë. I cili 24 orë pas denoncimit nga opozita u detyrua të largohet për në Itali dhe pas kësaj vëllai i tij ministër u përfshi në një aferë kriminale për të manipuluar hetimin.

Kjo është e vërteta e vetme. Nuk ka meritë as ministri tjetër i Habilajve dhe askush tjetër për largimin e Fatmir Xhafës. Largimi i Fatmir Xhafës është dëshmi e forcës së pathyeshme të opozitës dhe Partisë Demokratike bashkë me qytetarët shqiptarë në luftën kundër krimit. Tash dy vjet ne kemi denoncuar dosjen hetimore 339. Dosja hetimore 339 i vuri në lëvizje faktorin ndërkombëtar dhe e vuri me shpatulla pas muri Fatmir Xhafën. Faktori ndërkombëtar e detyroi atë të fillonte arrestimin e disa prej bandave kryesore të krimit me të cilat Edi Rama mori votat qershorin e vitit të kaluar.

U arrestuan Bajrat në Shkodër. U arrestuan Ndokët në Lezhë. U arrestuan Avdylët në Shijak. Por Fatmir Xhafaj, si një vasal i vërtetë i Edi Ramës nuk pati guximin të arestonte Vangjush Dakon, personazhin kryesor dhe kokën e shtabit të shitblejes së votave siç e dini fare mirë këtu në Manzë, në Sukth dhe në gjithë zonën e Durrësit. Ky ishte momenti kur faktori ndërkombëtar e kuptoi se Fatmir Xhafaj nuk është gjë tjetër veçse një ushtar i bindur i Edi Ramës. Dhe ky ishte momenti kur Fatmir Xhafaj nuk kishte asnjë alibi për të qendruar në karrigen e ministrit të Brendshëm. Iku me turp. Iku i demaskuar para faktorit ndërkombëtar si njeriu i cili në fund të fundit është i detyruar të zbatojë urdhërat e bosit të tij si një vasal i Edi Ramës. Ndërkohë operacioni policor i nisur me insistimin e faktorit ndërkombëtar nxorri në pah dhe vërtetoi atë që ne si opozitë e kemi thënë prej ditës së parë.

Që prej 26 Qershorit të vitit të kaluar që zgjedhjet e vitit 2017, nuk ishin një proces politik por një process kriminal. Sepse Edi Rama nuk i fitoi këto zgjedhje por i shndërroi ato në një kasaphanë ku bandat e krimit të organizuar derdhën miliona euro të drogës dhe të korrupsionit qeveritar dhe frikësuan, shantazhuan, kërcënuan votuesit me qëllim për të siguruar pushtetin kriminal të Edi Ramës. Dhe sot, e gjithë bota mbarë e di dhe e ka kuptuar, se përpara ka një kryeministër ilegjitim, nuk është thjesht dhe vetëm raporti i OSBE-ODHIR, i cili si asnjëherë tjetër faktoi përpara shqiptarëve dhe botës, në shqip dhe anglisht, se në Shqipëri nuk ka zgjedhje por shit-blerje votash me banda kriminale. Nuk është thjesht raporti zyrtar i ministrave teknikë, i cili në më shumë se 700 faqe, dokumentoi shit-blerjen e votës, shantazhet, presionet, kërcënimet ndaj votuesve të thjeshtë, por tani janë edhe faktet ligjore të mbledhura nga vetë prokuroria në “Dosjen 339”, por edhe në dosje të tjera hetimore, që faktojnë se si Vangjush Dako, taulant Balla, Damian Gjuknuri, Arben Ahmetaj, Qazim Sejdini dhe të tjerë eksponentë të PS, në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar, e shndërruan procesin elektoral të vitit të kialuar në një masakër të vërtetë kriminale në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar.

Në çdo situatë tjetër një kryeministri që i plasin një nga këto skandale duhet të ishte larguar. Shpresa e vetme e Edi Ramës sot është propaganda, është mashtrimi. Por e vërteta është lakuriq në sytë e shqiptarëve. Edi Rama e mbrojti dhe e mbajti Ilir Beqën hajdutin me çizme që shkeli mbi gjakun e të afërmve, pacientëve, foshnjeve shqiptare me korrupsionin galopant të shëndetësisë derisa u detyrua ta largojë për shkak të presionit opozitar. E njëjta gjë me Sajmir Tahirin. Ishte Partia Demokratike, ishte opozita, ishin qytetarët që qëndruan rreth nesh, që u kthyen në një forcë të pathyeshme që detyruan të largonte Sajmir Tahirin, e detyruan të largonte Arben Ndokën, Armando Prengën, Elvis Rroshin, e detyruan të largonte Fatmir Xhafën, nesër do të largojë me doemos, Vangjush Dakon dhe do ta çojmë në burg, aty ku e ka vendin. Dhe nuk ka gjeneral, me apo pa spaleta ta shpëtojë, Vangjush Dako e ka vendin në burg, dhe në burg do të shkojë një orë e më parë, për korrupsionin, për vjedhjen, për bashkëpunimin me kriminelët, për shndërrimin e Durrësit, të kësaj treve fisnike, në një çiflig të krimit, aty e ka vendin bashkë me kriminelët e tjerë, ata që janë prapa hekurave dhe shumë të tjerë që do të rikthehen e do të përfundojnë aty.

Largimi i Fatmir Xhafës dje është vetëm një hap i rëndësishëm dhe domethënës në betejën tonë kundër krimit. Pa e çliruar politikën nga krimi, nuk do ta çlirojmë dot ekonominë e cila ka rënë në kthetrat e bandave që grabisin prona, i vënë gjoba bizneseve, marrin sikur të jenë në pronë të “babës”, gjithçka që u del përpara, fitojnë të gjitha tenderat në kundërshtim me ligjin. Dhe e kanë shndërruar ekonominë shqiptare në një ekonomi që as prodhon, as konkurron, por merret vetëm me trafik droge dhe pastrim të parave të drogës. Pa e çliruar politikën nga krimi, nuk do të ketë çlirim të shoqërisë nga frika, nga pasiguria. Ndaj beteja dhe kauza jonë kryesore, për të cilën kemi arritur të gjithë këto fitore së bashku me ju, është ta çojmë deri në fund çlirimin e politikës nga krimi. Beteja është e fituar kur të largohet arkitekti dhe koka e kësaj mënxyre, Edi Rama dhe banda e tij në Tiranë dhe kudo në Shqipëri. Dekriminalizimi i zgjedhjeve është po kështu kauza jetike e çdo shqiptari në mënyrë që ju të jeni në gjendje të zgjidhni vetë jo vetëm kryebashkiakët, por edhe deputetët, edhe qeverinë sipas gjykimit dhe mendimit tuaj me votë.

Vetëm kështu do të garantojmë kryebashkiakët, administratorët, drejtorët, ministrat dhe vetë kryeministri, mos t’i dridhen këmbët para kriminelëve, pro t’i dridhen këmbët kur të vijë e të japë llogari këtu para jush. Kjo është demokracia. Ta lidhim drejtpërdrejt fatin e çdo politikani dhe çdo administratori në këtë shtet me qytetarët shqiptarë. Për këtë duhet që së pari të këpusim fijet e krimit me politikën, se sot të gjithë pushtetarët nuk duan t’ia dinë për njerëzit. Nga i pari Edi Rama deri tek administratori më i humbur, fatin e kanë lidhur me kriminelët, me banditët, që janë njerëzit që i kanë sjellë dhe i mbajnë në pushtet. Kjo betejë sot ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme. Mos harroni. Me Ligjin për Dekriminalizimin, arritëm të heqim 350 zyrtarë duke përfshirë deputetë, krye bashkiakë, ministra, drejtorë anembanë administratës, parlamentit, qeverisë dhe bashkive të vendit. Por beteja nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë sa kohë në krye të punëve do të kemi arkitektin e bashkëqeverisjes me krimin. Ndaj edhe detyra jonë kryesore si opozitë sot, është që së bashku me qytetarët shqiptarë të tregojmë një rrugë të re në të cilën mund të ecim drejt një Shqipërie për të gjithë njerëzit, me mundësi për të gjithë, për një jetë më të mirë për çdo qytetar. Drejt një Shqipërie ku qeveria mos të harxhojë gjithë kohën dhe energjitë për të fshehur lidhjet kriminale të kryeministrit dhe të ministrit të brendshëm, por t’i dedikohet fatit të fermerit shqiptar, i cili sot ka harruar se ç’është subvencionit, ndërkohë që në Maqedoni dhe Kosovë fermerët marrin deri në 150 milionë Euro subvencione dhe arrijnë të sjellin edhe këtu në Shqipëri, prodhime bujqësore me çmim më të ulët se prodhimet e fermerët tanë, që u bie bretku në punë nga mëngjesi deri në darkë.

Ne na duhet një qeveri, një kryeministër dhe një krye bashkiak, që mos ta kenë mendjen gjithë ditën dhe gjithë natën se cilës bandë do t’i japë leje ndërtimi e kujt do t’i japë liçensa për hidrocentrale e ku do të shkojë për pushime me banditë e oligarkë, por të mendojnë se çfarë do të bëjnë për çiftet e reja të cilat e kanë të pamundur të blejnë me kredi apo pa kredi një strehë për të filluar jetën e tyre familjare.

Ne na duhet një qeveri, qeveritarë, kryeministër, ministra dhe kryebashkiakë, të cilët mos ta harxhojnë gjithë ditën dhe natën duke pirë e duke ngrënë si derra si oligarkë, duke shkuar në pushime me njerëz të cilët pa asnjë meritë, pa asnjë talent, pa asnjë ide, pa asnjë vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare, marrin me një dorë sa ç’është buxheti i një ministrie tendera dhe koncesione dhe PPP e famshme që s’është gjë tjetër veçse Pastrim i Parave të Pista. Por na duhen qeveritarë dhe pushtetarë lokalë që nuk i zë gjumi nqse nuk ju kanë garantuar kushtet minimale në qendrat shëndetësore dhe në spitalet e Shqipërisë. Ku milionat e taksave mos të shkojnë për oligarkë, të cilët nuk ngopen për të përfituar mbi gjakun e qytetarëve, por të shkojnë që të kemi lista të barnave të rimbursueshme njësoj si në Kosovë e në Maqedoni. Të kemi mjekë që shërbejnë me dinjitet e jo duke parë nga xhepat e pacientëve dhe familjarëve të tyre. Të kemi spitale që ofrojnë kushte normale për rajonin tonë. Të gjitha këto janë të mundura, por së pari duhet të çojmë deri në fund betejën për të shkëputur lidhjet e krimit me politikën. Pa patruar politikën nga krimi asnjë nga ato, aspirata e ëndrra dhe halle të tjera të shqiptarëve nuk do të marrin zgjidhje, ndaj këtu nga Manza, dua të deklaroj vendosmërinë time si Kryetar i Partisë Demokratike, në emër edhe të aleatëve tanë, por edhe si kryetar i Opozitës, që të vazhdojmë pa asnjë kompromis, deri në fitore, betejën tonë, për çlirimin e politikës nga krimi, çlirimin e ekonomisë nga oligarkia dhe çlirimin e shoqërisë nga pasiguria dhe pamundësia.

Për këtë kërkoj ndihmën tuaj. Asgjë nuk do të kisha arritur pa besimin që shumë prej jush nuk e humbët as në ditët më të errëta kur krimi vuri poshtë shtetin dhe propaganda i hodhi trutë e gomarit, jo pakkujt këtu në Shqipëri dhe jashtë saj. Por sot shqiptarët e shohin qartë. Faktori ndërkombëtar e sheh qartë e më qartë. Rrugë tjetër për ta shpëtuar këtë vend nuk ka. Forcë tjetër të pathyeshme për të garantuar një Shqipëri të lirë nga krimi, përveç Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë opozitar nuk ka, ndaj ju ftoj të bashkohemi e ta vazhdojmë këtë betejë me vendosmëri deri në çlirimin përfundimtar të qeverisjes nga krimi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb