Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka deklaruar pasi dorëzoi kallëzimin penal për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonajn në SPAK se është duke vlerësuar prova të tjera kundër mazhorancës.

Meta shprehet se është i vendosur të vijojë shpartallimin e tentativës së grushtit të shtetit duke qartësuar se ka kallëzuar për disa vepra penale Gjonajn dhe dy titullarë të tjerë të Ministrisë së Drejtësisë që i cilëson si një celulë të strukturuar dhe bandë të rrezikshme.

Pyetje: A është e pranueshme për vetë kreun e shtetit të dalë vetë në terren dhe të dorëzojë një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme, kur ka zyrtarë dhe mjaft punonjës që mund ta bëjnë këtë gjë?

Presidenti Meta: Mbrojtja e Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese është sot detyrë mbi detyrat për çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot dhe në radhë të parë është kryedetyra dhe misioni i Presidentit të Republikës.

Nuk ka ndodhur ngjarje më e rëndë në historinë e shtetit tonë se sa ky akt mafioz, ku së fundmi në bazë të provave zyrtare, rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe celula e strukturuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë që përmes shkeljes së Kushtetutës, dhunimit të shumë ligjeve dhe përmes falsifikimeve të mirëprovuara, ka tentuar një grusht shteti duke rrëmbyer haptazi, në mënyrë mafioze një kompetencë që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia jep vetëm Presidentit të Republikës, me qëllim shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese, nga garante e të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, në një polici anti-kushtetuese për të rrëmbyer të drejtat e qytetarëve shqiptarë përgjithmonë.

Prandaj këto prova dhe fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Kallëzimet penale shumë të qarta janë dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, me në krye zonjën ministre, ende në detyrë.

Po vlerësojmë prova të reja që disponojmë dhe që po na vijnë, për persona të tjerë të kësaj bande tepër të rrezikshme, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, për të çuar deri në fund shpartallimin e grushtit të shtetit përmes rrëmbimit me ligjin anti-kushtetues të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm të shtetit.

Ndaj më 2 mars, të gjithë në Tiranë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për ta bërë të qartë se shqiptarët janë me Kushtetutën, jo me Presidentin Ilir Meta! Se shqiptarët nuk do të tolerojnë më askënd të dhunojë Kushtetutën që ata e votuan me referendum më 22 nëntor 1998.

Rreziku më i madh është murtaja që quhet “Rilindje”!

Pyetje: Zoti President, ju keni ndërmarrë një akt të jashtëzakonshëm. Është një akt i paprecedent i kreut të shtetit për të ndërmarrë një…

Presidenti Meta: Një akt i paprecedent i kreut të shtetit, thoni ju! Më thoni: A ka ndonjë Republikë në botë, në Europë, të një vendi anëtar të Këshillit të Europës, të një vendi që synon të çelë negociatat me Bashkimin Europian, ku në mënyrën më mafioze i rrëmbehet kompetenca kushtetuese dhe pushteti që Kushtetuta ia jep kreut të shtetit.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb