Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se Arta Marku dhe Donika Prela janë dy “Katicat” e Edi Ramës në Shqipëri dhe nga sot ato duhet të ndiqen penalisht për shpërdorim detyre, pas dorëzimit të dosjes “184” për hetim në Dibër.

Në një dalje për media pas takimit me ambasadorin gjerman, Basha deklaroi se guximi që kanë marrë Marku e Prela për të mbyllur dosjen “184” tregon dëshpërimin e Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale.

“Është një veprim i dy Katica të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Krimeve të Rënda, që veprojnë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Rilindjes. Ata janë aty për të mbrojtur politikanët që janë kapur duke vjedhur votat e qytetarëve. Guximi që kanë marrë për të mbyllur dosjen tregon që dëshpërimi i Ramës dhe organizatës së tij është i tillë sa ka vendosur t’i shtyjë edhe këto dy masha, Marku e Prela, drejt vetëflijimit, sepse me veprimet që kanë ndërmarrë sot të dyja janë penalisht të ndëshkueshme nga ligji.

Kanë bërë shpërdorim detyre. Të dyja prej këtij momenti duhet të ndiqen penalisht. Kanë zgjedhur dhe meritojnë të quhen katicat e Shqipërisë. Katica është prokurorja speciale e Maqedonisë së Veriut. Këto ngjarje tregojnë degjenerimin përfundimtar të Ramës dhe bandës së tij”, tha Basha.

Pyetje: Prokuroria e krimeve të rënda ka deklaruar moskompetencën për sa i përket dosjes 184, duke ia deleguar hetimin për vjedhjen e votave prokurorisë së Dibrës. Komenti juaj?

Basha: Ky është një veprim i dy katicave, të prokurorisë së përgjithshme dhe prokurorisë së krimeve të rënda, katica e Prokurorisë së Përgjithshme dhe katica e Krimeve të Rënda po veprojnë, siç kemi thënë edhe më parë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të “Rilindjes”, ato janë aty për t’i mbrojtur dhe jo për t’i çuar përpara ligjit politikanët që janë kapur duke vjedhur paratë e shqiptarëve, apo duke vjedhur votat e shqiptarëe në bashkëpunim me krimin e organizuar, siç tregon dosja 184.

Guximi që kanë marrë, përpjekja për të mbyllur diçka që tashmë e ka marrë vesh e gjithë bota, e gjithë Evropa, përmes publikimeve të gazetës më të madhe gjermane Bild, tregon që dëshpërimi i Edi Ramës dhe i organizatës së tij kriminale është i tillë saqë ka vendosur t’i shtyjë edhe këto masha të pushtetit të tij, siç janë Arta Marku dhe Donika Prela, dy katicat e tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, drejt vetëflijimit, sepse me veprimet që kanë ndërmarrë sot, të dyja janë penalisht të ndëshkueshme nga ligji, s’kanë bërë asgjë më pak e asgjë më shumë sesa shpërdorim detyre, me qëllim mbulimin e një vepre të rëndë kriminale, siç është ngritja e një grupi të strukturuar kriminal, me përfshirje të politikanëve më të lartë të Partisë Socialiste, të kriminelëve më të rrezikshëm në Shqipëri, të oficerëve më të lartë të Policisë së Shtetit, dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vjedhur zgjedhjet në Dibër. Pra, të dyja, prej këtij momenti, duhet të ndiqen penalisht për shpërdorim detyre.

Prandaj po them që kanë zgjedhur dhe e meritojnë plotësisht që këtej e tutje të quhen Katicat e Shqipërisë. E njihni se kush është Katica apo jo? Prokurorja speciale që u vu në pranga në Maqedoninë e Veriut, për shkak të aferës korruptive që u zbulua nga mediat në vendin fqinj.

Në thelb këto ngjarje tregojnë degjenerimin përfundimtar të Edi Ramës dhe të organizatës së tij kriminale. Shikoni çfarë ka ndodhur, ka rikthyer në krye të Partisë Socialiste Tom Doshin, një njeri në listën e zezë të partnerëe tanë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe bashkë me të, caktuan, në dijeni të plotë, një kriminel të dëbuar nga Italia, kandidat për bashkinë e Shkodrës. Ndërkohë që ky njeri sot duhej të ndiqej penalisht, sepse vetë mosdeklarimi në formularin e dekriminalizimit, përbën vepër penale, prokuroria, në vend që të bëjë këtë, përpiqet të mbyllë dosjen 184, dhe ta mbyllë mundësisht para se të krijohet SPAK-u.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb