Deputeti socialist, Ulsi Manja, foli për 10-vjetorin e ngjarjes së rëndë të “21 Janarit”, duke thënë në rubrikën “Opinion”, në News24, se dosja mund të përfundojë në dyert e SPAK.

Manja tha se “21 Janari” është një krim shtetëror dhe për këtë arsye drejtësia e re ka detyrimin ta marrë me prioritet dosjen.

“Ka veprime hetimore për ta risjellë skemën e 21 janarit, dhe kjo është tërësisht e mundur të kryhen edhe sot nga Prokuroria. Përsëri ka prova po të kthehet në vendin e ngjarjes. Unë besoj që 21 janari mund të zbardhet plotësisht”, tha deputeti.

Pjesë nga intervista:
Tragjedia e 21 janarit, pse u shpallën kaq vonë viktimat “Dëshmorë të Atdheut”?
Manja: E rëndësishme është që sot në 10-vjetorin kemi katër dëshmorë. E them me bindje se 21 janari, derisa ta zbardhet plotësisht, është një gur në qafën e demokracisë shqiptare. 21 Janari është një krim shtetëror dhe ka të bëjë me rivendosjen e një standardi kushtetues të shtetit me individin. Është në përgjegjësinë e shtetit të mbrojë të drejtat e njeriut. Në rastin e 21 janarit shteti jo vetëm ka dalë nga shinat e misionit që i ngarkon Kushtetuta, por ka dalë në krahun e kundërt. Në rastin e 21 janarit kemi katër qytetarë që u vranë para kryeministrisë me pushkët e shtetit.

Pse nuk është zbardhur ende ngjarja?
21 janari është çështje e drejtësisë. Ajo që na takon neve si mazhorancë është raporti jonë me drejtësinë. Në këto 8 vjet ne kemi ndërmarrë një nga reformat më të thella, ajo në Drejtësi, dhe shpresojmë që drejtësia e re do duhet ta ketë në tryezën e saj të punës zbardhjen e 21 janarit. Kjo dosje do duhet të zbardhet, përtej faktit që familjarët e viktimave duan drejtësi, por është edhe çështje e standardit kushtetues në një demokraci. Pa u zbardhur 21 janarit, protesta dhe e drejta e protestës është goditur me plumbat e shtetit. S’mund të jemi të gjithë njësoj.

A ndjeheni ju fajtorë që ngjarja nuk është zbardhur?
Sot viktimat janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, por nderimi për viktimat e 21 janarit është bërë në përputhje me ligjin përgjatë këtyre 10 viteve. Ne e kemi bërë detyrën tonë aty ku i kemi kartonët dhe shpresojmë që drejtësia e re do fillojë të japë frutat e para dhe dosja e parë është e 21 janarit. Do vijojmë të mos heshtim për asnjë sekondë për të kërkuar drejtësi për viktimat. Vrasjet nuk i zbardh qeveria, ne krijojmë shtratin e nevojshëm për një drejtësi të pavarur. Dhe sprova e kësaj drejtësie që ne presim është 21 janari. Jam i bindur se pas kërkesës së Policisë së Tiranës mund të shihet dhe çështja e kompetencës së dosjes. Nëse do të zbardhet tërësisht si krim shtetëror, kjo dosje padiskutim që mund të përfundojë në dyert e SPAK. Ka veprime hetimore për ta risjellë skemën e 21 janarit, dhe kjo është tërësisht e mundur të kryhen edhe sot nga Prokuroria. Përsëri ka prova po të kthehet në vendin e ngjarjes. Unë besoj që 21 janari mund të zbardhet plotësisht. Në këtë pikë, viktimat mund të preheshin në paqe, por edhe shoqëria në tërësi do të ishte përfituesja më e madhe në kuptimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore në një demokraci. Nëse nuk do të bëhet drejtësi për 21 janarit askush nuk ka garanci se nëse pushteti i djeshëm nuk riciklohet, të ngrihet në pushtet, e të mos vrasë sërish. Ne duhet të kërkojmë nga drejtësia që të kryejë detyrën që i ka ngarkuar ligji. 21 janari është një dosje e pazbardhur dhe në rastin konkret është krim shtetëror dhe do duhet të jetë prioritet.

Zgjedhjet e 25 prillit, ku jeni me përgatitjet?
Jemi në fushatë elektorale, por në një fushatë disi ndryshe, për shkak edhe të masave anti-Covid. Duke respektuar masat kufizuese, pothuajse e gjithë politika është në fushatë. Sa na takon ne si mazhorancë, dhe konkretisht në Tiranë, ne jemi në fushatë, sepse fushata nuk është vetëm 94 ditë para zgjedhjeve. Ndryshe nga opozita, ne kemi dhe peshën e qeverisjes. Këto ditë të fushatës janë ditë më intensive, më të ngjeshura, kontaktet me qytetarët janë të shumta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb