Plagosja e deputetit të Partisë Demokratike, Kliti Hoti, me plumb gome gjatë protestës së fundit ka sjellë reagimin e Erjon Vishkullit, protestuesit që mbeti i dëmtuar rëndë në sy pas goditjes po me të njëjtën armë gjatë protestave të mëparshme.
Vishkulli thekson se, kur bëhet fjalë për një përfaqësues politik, reagimi është i shpejtë, ndërsa rastet e protestuesve që kanë përfunduar në gjendje të rëndë nuk kanë marrë ende përgjigjen e kërkuar nga drejtësia.
“Kur preket një deputet, reagimi është i menjëhershëm dhe gjendet zgjidhja brenda ditës. Ndërsa ata që kanë goditur qytetarët, që kanë lënë njerëz të plagosur deri në rrezik jete, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigjen që kërkon dhe meriton populli”, shkruan Vishkulli.
Në fund të reagimit, ai ngre disa pikëpyetje mbi atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë nga institucionet.
“Pse ka dy standarde? Pse drejtësia lëviz shpejt për disa, ndërsa për të tjerët hesht? Pse ky kompromis i shëmtuar?”.

