TIRANË

Gazetarja Klodiana Lala siguron për “BalkanWeb” pjesë të tjera të dosjes hetimore mbi tenderin e uniformave të Policisë së Brendshme, që çoi pas hekurave tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, ndërsa një është lënë në “arrest shtëpie”.

Në pjesën e dosjes së SPAK, që “BalkanWeb” sjell më poshtë, rezulton se Policia e Shtetit ka kundërshtuar kompaninë që fitoi tenderin, duke nxjerrë në pah disa problematika sa i përket dorëzimit të mallit, kolaudimit të mallit, sasitë e pritshme, pajisjet e sistemit elektronik të shpërndarjes, mirëmbajtja e sistemit elektronik dhe çmimet e ofruara.

Kështu, në shkresën që kreu i Policisë së Shtetit i ka drejtuar Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, më datë 20.08.2020, thekson se ekziston një mospërputhje midis logjikës së prodhimit dhe çmimit të ofruar, duke ngritur pyetje se si ka mundësi që një këmishë me mëngë të gjata kushton më lirë se ajo me mëngë të shkurtra, apo se si këmisha për meshkuj kushton më shumë se ajo për femra.

Gjithashtu, në shkresën e kryepolicit ngrihet shqetësimi se kjo mospërputhje në çmime, përveç se është risk për cilësinë e produktit, do të ndikojë edhe në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen, raporton “BalkanWeb”.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me shkresën Nr.5249 Prot, date 20.08.2020, i është drejtuar Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, të cilës i ngre problematika në lidhje me disa elemente të zbatimit të kontratës, konkretisht për sa i përket dorëzimit të mallit, kolaudimit të mallit, sasitë e pritshme, pajisjet e sistemit elektronik të shpërndarjes, mirëmbajtja e sistemit elektronik, si dhe çmimet e ofertuara. Ne lidhje me këto të fundit, ngrihet shqetësimi se nga çmimet e ofertuara nga operatori ekonomik i shpallur fitues për këtë procedure rezulton se janë ofruar tre çmime të ndryshme për të njëjtin artikull, që ka vetëm një specifikim teknik. Ekziston një mospërputhje midis logjikes së prodhimit dhe çmimit të ofruar, si në rastin ku një këmishë me mëngë të gjata kushton me pak se ajo me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj kushton më shumë se ajo për femra, kostumi i motoçiklistit (me 9 pllakëza mbrojtëse) kushton me pak se kostumi i patarrullës, xhupi treçerekësh kushton më pak se xhupi i shkurtër, këpuca gjysmë dimërore, kushton më shumë se këpuca taktike (kambile). Gjithashtu vërehen ofertime të çmimit më të lartë kur sasia e prodhimit është më e madhe, gjë që në industrinë e prodhimit për volume më të mëdha ofrohen çmime më të ulëta dhe anasjellas, duke i bashkëlidhur kësaj shkrese tabelën e çmimeve të ofruara në mënyrë jo korrekte nga Njësia e Prokurimit. Prania e këtyre çmimeve, përveç se është risk për cilësinë e produktit, do të ndikojë edhe në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen. kjo sepse përvojat e mëparshme ndikojnë në vlerën e kontratës”, thuhet mes të tjerash në dosje.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb