Të tjera detaje dalin në dritë për operacionin anti-drogë që çoi në zbulimin e një grupi të strukturuar kriminal që kultivonte kanabis në zonën e Skraparit dhe arrestimin e disa personave. Në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” thuhet se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin më 26 qershor të vitit të kaluar pas materialit të ardhur nga SHÇBA në Drejtorinë Rajonale Tiranë për kultivim të bimëve narkotike në formë e grupit të strukturuar kriminal.

Në materialin referues të SHÇBA thuhet se një grup personazh dyshohet se vepronin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në kryerjen e veprës penale të kultivimit të bimëve narkotike në disa zona të Skraparit.

Disa shtetas në mënyrë të organizuar të ndihmuar dhe nga punonjës policie kanë përgatitur dhe mbjellë sasi të mëdha të bimëve narkotike në disa zona të Skraparit. Nga ana e policisë gjyqësore janë evidentuar një numër i madh personazh, të cilët dyshohet se bashkëpunojnë me punonjës policie dhe me zyrtarë të tjerë lokalë dhe në mënyrë të organizuar kanë mbjellë sasi të mëdha bimësh narkotike në disa zona.

Nga hetimet e kryera rezulton se në territorin e rrethit të Skraparit ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa në parcela dhe vende të ndryshme, pothuajse në gjithë këtë territor. Nga ana e policisë, me veprime e mosveprime në kundërshtim me ligjin, nuk ishin marrë masa për parandalimin e goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Nga hetimi rezulton se punonjësit e policisë të Komisariatit të Policisë Skrapar janë të implikuar drejtpërdrejt në raste kultivimi, raste për të cilat ata kryejnë veprime konkrete duke fshehur faktet kriminale që janë parcela me bimë narkotike të llojit kanabis sativa, shmangien nga përgjegjësia penale për autorët e tyre dhe favorizimin e parcelave të tjera duke mos i asgjësuar ato.

Nga hetimet e kryera si përgjimet telefonike, vëzhgimet e kryera nga policia gjyqësore, ka rezultuar se janë dokumentuar disa episode të sekuestrimeve të bimëve narkotike dhe personat e dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, të cilët kanë vepruar në mënyrë të organizuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga hetimet janë dokumentuar të dhënat për ekzistencën e një numri të madh të parcelave të mbjella me lëndë narkotike në disa zona në Skrapar, 28 parcela të evidentuara pas monitorimit ajror të DDF italiane.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë dokumentuar episode të ndryshme të kultivimit të bimëve narkotike të shtrirë në kohë në periudhën korrik-tetor të vitit 2020.

Bimë kanabis janë gjetur në parcelat e mbjella me misër nga Edmir Tarellari dhe furnizoheshin me ujë nga i njëjti tubacion i vendosur nga Tarellari që ishte dhe kryeplak i fshatit.

Një tjetër parcelë me sipërfaqe 1300 metër katrorë e mbjellë me bimë narkotike është gjetur në fshatin Përrenjas në njësinë Gjerbës. Për 785 bimët e gjetura janë evidentuar si autorë shtetasi Ardit Bulica, Hyda Vila, Fioraldo Dyrmishi. Gjithashtu është marrë nën hetim dhe administratori i Gjerbësit Asllan Lajthia.

Po kështu 24 bimë janë gjetur në fshatin Vale, në një parcelë që ndodhej pranë parcelës me perime në pronësi të shtetasit Festim Tarellari dhe të dyja furnizoheshin me ujë nga i njëjti tubacion.

Në 22 gusht është konstatuar një sipërfaqe toke e shpyllëzuar me sipërfaqe 1300 metër katrorë, e mbjellë me 630 bimë narkotike kanabis sativa.

Më 31 gusht në njësinë Tërpan, fshati Rehovë është gjetur nga policia gjyqësore një sipërfaqe toke me 20 bimë narkotike. Nuk është regjistruar procedim penal, por përveç ndërhyrjes së policisë vetëm pas monitorimit ajror të 28 gushtit ka dhe mospërputhje të rrethanave. Në procesverbalin e këqyrjes së vendit, rezulton një parcelë me 70 gropa me bimët e prera në sipërfaqe, e cila nuk është raportuar në aktet e tjera. Është raportuar vetëm sasia prej 20 bimësh. Për këtë rast është shpallur në kërkim Eduart Çaushaj.

Nga hetimi ka dhe raste të tjera kultivimi në territorin e njësisë administrative Gjerbës: 17 bimë në fshatin Floq, i dyshuar Sokol Baja; në fshatin Floq Renovë 40 bimë narkotike dhe gjatë kontrollit të banesave të shtetasve Veli Hebipaj dhe Sokol Baja janë sekuestruar 550 gram material bimor kanabis dhe 15 kg kanabis në proces tharjeje; në fshatin Trepel, NJA Zhepë, tre parcela rreth 1000 m2, të mbjellë me bimë narkotike dhe janë sekuestruar 137 bimë kanabis, i dyshuar Mirat Ismailaj, kryeplak fshati; në 31 gusht, në fshatin Duncke në NJA Zhepe 90 bimë kanabis në tre parcela; në fshatin Grevë, të NJA Gjerbës dy parcela me 129 bimë kanabis, i dyshuar Mandi Hajderasi; në fshatin Prishkë, NJA Çepan 295 bimë kanabis në dy parcela, i dyshuar Julian Lushka; në fshatin Matrallos, NJA Terpan 178 gropa të hapura, 140 me kanabis të preja, 30 gropa me bimë 3-5 metër. Gjatë këqyrjes së vendit përreth kësaj parcele janë gjetur të hedhura 170 bimë kanabis me një gjatë 3-5 metër. Në afërsi të parcelës me bimë narkotike ndodhej një parcelë tjetër e mbjellë me sherebel e shtetasit Petrit Veliaj.

Me 1 shtator 2020 në fshatin Grevë të NJA Gjerbës janë konstatuar 27 bimë kanabis me lartësi 120 cm.

Më 3 shtator në fshatin Gjergjovë të NJA Potom, 5 parcela me 319 bimë kanabis, tek dy janë vënë re bimë të prera dhe në njërën prej tyre 170 gropa me bimë të preja. Jashtë parcelës mbetje bimësh nga djegia e tyre. Tokat në afërsi të vendit ku u gjet kanabis shfrytëzoheshin nga Fuat Dusho, Olgert Dusho dhe familjarët e tyre.

Më 10 shtator nga kontrolli midis fshatrave Staraveckë-Meleckë të NJA Potom, një sipërfaqe e shpyllëzuar 3000 m2, e mbjellë me bimë narkotike me lartësi 1-1.30 metër. Nga procesverbali thuhet se janë sekuestruar 1020 bimë kanabis. Ngjitur me këtë parcelë një tjetër me sipërfaqe 1000 m2, e mbjellë me bimë me lartësi 1.5 metër. Në këtë parcelë janë sekuestruar 400 bimë kanabis. Po gjatë këqyrjes është konstatuar një parcelë tjetër me bimë narkotike, me sipërfaqe 500 m2, e mbjellë me 400 bimë kanabis 1-1.5 m. Po në vijim është konstatuar një parcelë tjetër 2500 m2 e mbjellë me 860 bimë kanabis. Gjithsej nga këto parcela janë sekuestruar 2680 bimë.

Të gjitha këto parcela lidheshin me një impiant të rregullt me tuba plastike për vaditjen e bimëve dhe në çdo parcelë kishte rezervuar uji. Në afërsi të rezervuarit të ujit, ndodhej një tendë me material druri dhe e rrethuar me plasmas, në të cilën gjendeshin tavolina dhe stola, dollap për ushqime dhe aksesorë të tjerë për gatim. Në afërsi të këtij objekti, në pjesën e jashtme ndodhej një tavolinë që shërbente për mbajtjen e ushqimeve dhe gatim. Brenda në objekt janë konstatuar veshmbathje, këpucë dhe thasë me ushqime. Në afërsi të kësaj tende gjendej një çadër kampingu, në të cilën ndodheshin aksesorë për fjetje, dyshekë, batanije, veshmbathje. Nga këqyrja e tubacionit të ujit është konstatuar se tubacioni shtrihej me një gjatësi prej 300 m nga parcelat me bimë narkotike dhe vazhdonte deri tek stani në pronësi të shtetasve Esmerald Kaposhi dhe Selfo Kaposhi, të cilët paguanin taksën e përdorimit të lëndinave për kullotje. Bashkë me vëllezërit Kaposhi në stane qëndronte kunati i tyre Zylyftar Zhurda dhe Asqeri Ballo.

Po kështu në dosje thuhet se më 17 shtator nga policia gjyqësore nëpërmjet vëzhgimeve të kryera janë siguruar të dhëna për parcela të tjera të mbjella me bimë narkotike dhe ambienteve ku grumbullohej lënda narkotike. Gjatë vëzhgimit të kryer në afërsi të banesës së shtetasit Arben Lekli, në fshatin Çorrogjaf, të NJA Terpan, është konstatuar se nga dritarja e kësaj banese po hidheshin thasë të zi në trajtë kubikësh.

Nga ana e policisë gjyqësore është konstatuar se brenda këtyre thasëve kishte lëndë narkotike në trajtë boçesh, të paketuar.

Në banesën e Arben Leklit është konstatuar se tek dhoma ku hidheshin thasët me lëndë narkotike ndodhej shtetasja Anxhela Beshiri.

Në ambientet e brendshme të banesës është gjetur 38.5 kg kanabis në gjendje të thatë. Nga policia gjyqësore janë kapur në flagrancë shtetasit Arben Lekli, Tajar Beshiri dhe Anxhela Beshiri. Në vijim të kontrollit, në distancë 50 m nga vila Lekli ndodheshin katër ambiente që shërbenin si magazinë dhe stalla bagëtish. Brenda këtyre ambienteve janë konstatuar të vendosur në rreshta bimë narkotike me gjethe, boçe dhe kërcej në proces tharjeje. Brenda këtyre ambienteve janë kapur në flagrancë Fatjon Beshiri, Alban Bendo dhe Sefedin Dokaj. Në pjesën para këtyre objekteve, ndodheshin paketime me lëndë narkotike të llojit kanabis. Para stallës janë konstatuar thasë të paketuara me lëndë narkotike, me peshën 176.5 kg.

ROLI I NJË PREJ PUNONJËSVE TË POLICISË

Astrit Duro, punonjës i Policisë me detyrë Specialist Policie në Zonën e Çepanit rezulton i përfshirë në veprimtarinë kriminale, pasi në kundërshtim me përmbushjen e detyrës ka lejuar mbjelljen e bimëve narkotike në zonën e Potomit, Skrapar.

Nga të dhënat e përftuara nga bisedat telefonike të përgjuara jepet njoftimi se i hetuari Duro duke shfrytëzuar mundësinë e marrjes së informacionit në kohë për operacionet që do të zhvilloheshin nga Komisariati i Policisë Skrapar në asgjësimin e parcelave me kanabis sativa, ai njoftonte kultivuesit e bimëve narkotike me qëllim largimin e tyre për t’iu shmangur policisë.

Më 30 gusht 2020 ora 2:01 pasdite Duro komunikon me punonjësin e sallës operative Skrapar dhe midis tyre zhvillohet biseda si më poshtë:

Duro: Urdhëro,
B: o Astrit,
Duro: Eee,
B: Mori shefi, nga ora gjashtë e gjysmë, shtatë në zyrat e shefit, tërë SPZ e inspektora krimesh.
Duro: Shefi i Komisariatit?
B: Po,
Duro: Në shtatë?
B: Gjashtë e gjysmë, shtatë,
Duro: E mirë.

Për evidentimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella me kanabis, parcela këto të evidentuara nga monitorimi ajror, në funksion të këtij procedimi penal, punonjësi i policisë Astrit Duro, është njohur dhe ka marrë informacionin e duhur për operacionin që do të organizohej. Menjëherë pasi del nga mbledhja spz Astrit Duron njofton shtetasin Enver Muçaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb