Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i miratuar nga Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, Ismail Musta, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja dhe të dënuarit e tjerë në burgun e Burrelit/

Pjesa e tridhjetë e tre

U Pa. Marrë nga kutia e postës

Zv/Kryetari i Degës P. të Brendshme Dhënë B.p., “Butrinti”

Ismail Musta 30/8/1976

R A P O R T

Burimi raporton se Xhavit Qesja është person i mbyllur në botën e tij, nuk përzihet në diskutime dhe do të jetë korrekt me zbatimin e rregullave. Rreth tij ka mësuar:

As kinezët as sovjetikët nuk e kanë mirë. Marksizmin e kuptojnë dhe e zbatojnë në mënyrë demografike, jo si shkencë në zhvillim.

Trajtimi i shumë problemeve historike, tek neve bëhet në mënyrë të gabuar e shumë të shtrembër. Një Niko Nikolla, para ca kohe vlerësonte lidhur me P….!

Marrë nga kutia e Postës

Dhënë nga B.p. “Butrinti”

RAPORTI I DATËS 26.9.1976

Burimi njofton për Xhavit Qesen, mbi disa mendime të këtij: Për mua, disa mendojnë e thonë se kam kaluar me Perëndimin. Latinisht: Të tjerët le të thonë se çfarë të duan, ti vazhdo kursin tënd. Edhe si koncept është i shtrembër, çfarë është kjo Lindje e ky Perëndim?! Kam qenë e jam, do të mbetem marksist-leninist, qëndrimin e secilit, e mas duke pasur si bazë kursin e Kongresit të 20-të. Kjo për mua është themeli. Për këto që llomotisin tani, Todi, Koço, etj., çdo gjë e shikojnë në prizmin personal.

Duke ju përgjigjur pyetjes që i bëri ai lidhur me tezën: që borgjezia është në Parti, e për luftën e klasave tha: “Po, kjo është e vërtetë, por unë kam një mëndim të kundërt me të, që japin këta. Borgjezia nuk lind në këto vende, pas marrjes së pushtetit nga proletariati. Jo, ajo u fut me kohë. Fatkeqësia është se revolucioni e socializmi triumfoi në një vend të prapambetur, si në Bashkimin Sovjetik, në Kinë, se ai u importua në vend. Pra në shumë drejtime ajo që kërkohet dhe predikohet, nuk u krye nga klasa punëtore, nga një klasë revolucionare. Për rrjedhim, këtu, element të tillë, gango, si T. Lubonja, K. Tashko, etj., gjetën terren dhe i dhanë i i japin rast udhëheqësit të Partisë të veprojë siç ka dashur.

Vetes, tani i kam vënë si qëllim, edukimin tim. Pranoj që vij nga një botë dhe shtresë e vjetër e me origjinë i pasur, ajo që ëndërroj, do të ishte sikur të kisha mundësi të shkruaja lirisht e të kisha një gazetë. Kam ruajtur e ruaj veten nga pasioni. Ky është tepër i rrezikshëm, sidomos, sepse jam dënuar unë, të kaloj në mohimin e çdo gjëje kombëtare, e çdo suksesi etj.

Mbi të gjitha jam shqiptar e çdo sukses i vendit tim, më gëzon pa masë. Unë ju dëgjoj me vëmendje kur ju flisni për ndryshimet që janë bërë, se njeriu sado që t’i përfytyrojë duke lexuar, atë që shikon, jeton dhe prek, nuk e percepton dot saktë. Për këto, po………..!

Kam qenë dhe jam kundër politikës së sovjetikëve. Nuk e di, se në çfarë pozitash kam qenë vënë teorikisht….etj., kur tanket sovjetike hynë në Çeki. E marr me mënd se i kanë dëmtuar shumë, sado që të jem përpjekur t’i mbrojnë. Po tani çfarë do Flota e tyre në Mesdhe, në oqeane etj. Mos vallë shkojnë për të çuar marksizmin!? Kjo është një politike tërësisht cariste, shoviniste.

“Butriniti”

Vlerësimi i të dhënës: E dhëna ka rëndësi operative se bën fjalë për disa pikëpamje armiqësore të Xhavit Qeses.

Detyrat:

Çfarë marrëdhëniesh ka Xhaviti me kryetarin e grupit pro-sovjetik, M.Ç.?
Ku është shkaku që ky objekt këto kohët e fundit, komenton pak?
Ku i mbështet shpresat Xhavit Qesja në realizimin e planeve të tij?
Masat Operative:

Njoftoj për sa sipër drejtuesit e Degës.
Vendos raportin në dosjen e tij.
Punëtori Operativ

Bekim Budo

Dokumenti me ekstraktin e nxjerrë nga përgjimet me Teknikë Operativë në burgun e Burrelit, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja dhe të dënuarit e tjerë

Burrel, 24.10.1976

Xhavitit E K S T R A K T

Për të dënuarin Xhavit Qesja, nga informacioni i T.O., datë 9.10.1976.

Kadriu – Në Zvërnec, haptazi e thoshte, njëherë tha, njoh udhëheqësin kryesor të Partisë, për të tjerët, siç tha, përdori fjalë të ndyrë, fshij……! Këtë e thoshte publikisht…..! Po pse, me udhëheqësin kryesor të shtetit…….fshijnë…..d.m.th., duke sharë shokët e tij………..se unë çuditem se si i thotë shok udhëheqësit kryesor të Partisë……..!

Gjini – Po, edhe në Zvërnec, meqenëse unë kam qenë në Jugosllavi, isha martuar edhe me jugosllave, ky është për atë, për Titon, se e simpatizon dhe filloj të thotë se është kështu dhe është ashtu. Është e vogël Jugosllavia dhe pa Bashkimin Sovjetik, se do të drejtonte të gjithë lëvizjen komuniste ndërkombëtare….!

Kadriu – Po unë u habita se në Zvërnec, ky më fliste për djathtësinë dhe policentrizmin…!

Punëtori Operativ

Bekim Budo

Dokumenti i miratuar nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, Bajram Neli, për arshivimin e dosjes së të dënuarit Xhavit Qesja, për dhjetë vjet

MIRATOHET “SEKRET”

KRYETARI DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME Ekzempl. I vetëm

BAJRAM NELI Burrel 29/5/1977

VENDIM

PËR ARSHIVIMIN E DOSJES FORMULARE Nr.179, TË XHAVIT QESES PËR 10 VJET

Unë Punëtori Operativ Ilir Xhelo, pasi studiove materialet e dosjes formulare në ngarkim të Xhavit Qeses, i cili ndiqet për tendencën antiparti.

GJ E T A:

Xhavit Qesja, i biri i Hajdarit dhe i Sabrijes, lindur në Krujë më 1920, me arsim të lartë, shtresë e pasur tregtare, me profesion nën punës, me kombësi e shtetësi shqiptare, dënuar për veprimtari anti-parti, aktualisht vuan dënimin në Rep. 321- Burrel.

Xhaviti, si element anti-parti është dënuar 2 herë për veprimtarinë e tij armiqësore që i kundërvihet vijës së drejtë të Partisë. Në viti 1972 është transferuar për të vuajtur dënimin në Rep. 321 – Burrel. Gjatë kohës në Rep. 321 në drejtim të tij kanë dalë disa të dhëna nga B.p. “Beni” dhe “Butrinti”, ndërsa të dhëna nga T.O. ka shumë pak. Kjo sepse Xhavit Qesja është tërhequr nga bisedat, e nuk shprehet as nuk hyn në debate me njeri:

Të dhënat kryesore flasin se Xhaviti shprehet se: Udhëheqësi i Partisë ka kontradikta me Çu En Lain, se më mirë që po merren këto masa, se rinia do e risi rezistencën dhe do reagojë në mënyrë aktive ndaj Diktaturës së Proletariatit, se rinia do i kthejë krahët propagandës që bëhet kundër liberalizmit, se të ngresh folklorin në piedestal, është absurditeti më i madhi i kohës, se fakti që u goditën të gjithë kuadrot ushtarakë, tregon se udhëheqja është në një krizë të thellë, se politika e tyre ka hyrë në një rrugë pa krye, se kuadrot e Sigurimit janë injorantë e pa kulturë, etj.

Këto të dhëna për aktivitet armiqësor i përkasin kryesisht viteve 1973-1974 dhe pak në vitet 1975-1976. Nga takimet me B.p. që bashkëjetojnë me të, rezulton se Xhaviti nuk merr pjesë në biseda dhe gjithmonë rri i heshtur. E njëjta gjë vërtetohet edhe nga T.O. kur në ngarkim të tij kemi vetëm disa informacione.

Duke u nisur nga sa më sipër, duke qenë se Xhavit Qesja aktualisht Xhavit Qesja nuk zhvillon aktivitet armiqësor,

V E N D O S A:

Dosjen formulare nr.179 në ngarkim të Xhavit Qeses, ta arshivoj në një kohë për 10 vjet dhe të bëj ndryshimet përkatëse në Kartotekë.

Burrel, 25.51977 Punëtori Operativ

Ilir Xhelo

Dokumenti sekret me relacionin përmbledhës të hartuar nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, Flamur Sinojmeri, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja dhe të dënuarit e tjerë në burgun e atij qyteti

DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME SEKRET

Nr…. Grupi i Dytë

Burrel, më 29.10.1976

RELACION PËRMBLEDHËS

Në bisedën e zhvilluar midis të dënuarve Gjin Marku, Kadri Hoxha dhe Beqir Alija, bëhet fjalë për të dënuarin tjetër anti-parti, Dilaver Radëshi, e cila zhvillohet më datën 18.9.1976 dhe konkretisht:

Gjin Marku, duke bërë fjalë për Dilaverin, thotë: “Po, huqet ua di mirë unë këtyre….po ja që Dilaveri ka filluar të ulërij…”!

Ndërsa Kadriu i përgjigjet: “S’ka folur kurrë”! “Po jo sot – i thotë Gjini – por – them se ka folur prej kohësh, ai ka arritur deri atje, sa thotë se nesër lirohemi, se filan kështu e ashtu….”! “Dilaveri kishte 14 variante të shkruara se si do të përmbyset kjo udhëheqje”, e mbështet dhe e zhvillon më tej bisedën Kadriu – Të shkruara të bëra pasqyrë…”!

Beqiri, si me çudi merr pjesë në bisedë dhe i thotë: “Po kaq i trashë ishte ai kështu…”?!

Kadriu, aty për aty i përgjigjet: “Nuk e di unë, i hollë apo i trashë, por unë po të tregoj vetëm këtë, të shkruara dhe ka mbajt për shumë kohë atë pasqyrë dhe jua tregonte të tjerëve”.

Gjini, gjithashtu e mbështet: “Po kur vinte tek unë, më tregonte 13 variante, por i thashë unë si të bëhet i 14-ti, veç të rrimë në burg”.

Kadriu nuk mjaftohet me kaq dhe jep shpjegime: “Të shkrojtura, të ngritura me muaj. Pastaj i thashë një ditë, ore ti Dilomir, se i ke ato 13-14 variantet në kokë, po mbaji në kokë se ja të humbi kjo, vetëm me atë letër mund të hash një dru të mirë. Po me atë, ata janë dokumenta të gjalla, se me gojë, mund edhe një çikë vili vili, e po dokumentit nuk ke ç’i bën.

Po tani e sheh se si po rri urtë ai? Po bëhet një vit që Dilaveri po rri urtë dhe me Maqon nuk po shëtit më. Po të kishin t’i bënin ndonjë lodër ata të Degës, ta provokojnë me shaka, Kryetari i Degës, kur të shikosh ti që të shajë ai, të gjitha ato që ka mbajt në qetësi tash një vit, tani t’i nxjerrë të gjitha”.

Gjithashtu, nga këta të dënuar kemi përfituar edhe një bisedë tjetër me T.O. për objektin Xhavit Qesja, më datën 9.10.1976:

Bisedën e fillon Kadriu. Temë bisede është i dënuari Xhavit Qese: Në Zvërnec, haptazi thoshte se e njihte udhëheqësin kryesor të Partisë. Për të tjerët, siç tha, përdori një fjalë të ndyrë, fshij….! Këtë e thoshte publikisht…..! Po pse me udhëheqësin kryesor të shtetit fshin….?! D.m.th. duke sharë shokët e tij….? Se unë çuditem, se si thoshte shok, për udhëheqësin kryesor të partis”?!

Nga një bisedë tjetër të zhvilluar midis të dënuarve të tjerë, Todi Lubonja, Filip Nashi, Dilaver Radëshi, Bardhyl Belishova dhe Vaskë Gjino, më datën 6.10.1976, 8.10.1976 dhe 12.10.1976, bëhet fjalë për plaçkat e Lipes, një lojë ushtarake bërë në vitin 1973 në rrethin e Matit, si dhe për muzikën tonë.

Ja konkretisht: Bisedën e hap Todi dhe thotë se plaçkat e tij ja kishin bllokuar dhe vulosur dhe përfundon mendimin “Sepse këto, mund t’i vjedh ndonjë nën-punës i tyre”. Lipja i përgjigjet se edhe plaçkat e tija janë të bllokuara. Todi vazhdon sërish: “Po dëgjo, se ka një gjë të vërtetë, se pas nja tre katër muajsh që u dënova unë, e kanë bllokuar dhomën time dhe i kishte shkuar Kiu Bozos, Lirija dhe i kishte vajtur edhe Zana në Gjykatë në Tiranë dhe i kishin thënë atje, se do i zhbllokojmë patjetër, pasi janë të bllokuara dhe pas këtyre tentativave, është zhbllokuar shtëpia ime”.

Dilaveri si zakonisht me ironi të madhe e mbështet: “Epo fundi i fundit, Pushteti Popullor i ka marrë”. Bardhyli avancon më tej: “Epo, fundi i fundit, dhe më e keqja është se i marrin ata të Zyrës së Përmbarimit dhe i shpien në shtëpitë e tyre…i vënë çmime shumë të lira dhe i marrin”. Dilaveri e miraton: “Ose ja jep ndonjë shoku të tij…”! Todi tregon pastaj historinë e makinës së tij të bukur, që e shiti Lirija 8.000 lekë.

Pastaj këta të dënuar, kalojnë në temën tjetër:

Vaska: “Po ne Burrelit i dhamë vendin e parë në Mat, por edhe forcave vullnetare (e ka fjalën për lojën ushtarake), ja rregullova unë Muçit (Pajenga), Lipja e pyet, se nëse e kishte prurë ish-sekretari të shikonte burgun e Burrelit? Dilaveri e ndërpret duke i thënë se: thonë për Halim Ramohiton se e ka vizituar burgun. Këtë e mbështet dhe Bardhyli, duke thënë se ka ardhur për Pandeli Varezin. Vaska e mbështet, duke thënë se kanë pasur shoqëri. Dhe përfundon mendimi: “….po si vajti kjo puna e jonë që humbëm fare”?! Dilaveri e zhvilloni më tej: “Po ashtu, se e don vakti….pse bëhen këto, e kemi të qartë ne….po ai merr me zellin e tij dhe i q… dhe i fut këto ore…”!

Për muzikën tonë popullore, Todi shprehet: “Nuk lejohet në asnjë mënyrë, vetëm revolucionare sovjetike”, Bardhyli e mbështet: “Po sovjetike, janë kënduar në kohën e Leninit dhe Stalinit”. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb