Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj.

E gjithë dosja voluminoze (formularë dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!

Pjesa e pestë

Reklama

Dokumenti me denoncimin e Toger Vangjel Karapaxho, dërguar Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Beratit, Nën/Kolonel Zylfi Saliu, lidhur me bisedën që ai kishte bërë me Tuk Jakovën në shtëpinë e tij

DREJTORIA E BRENDSHME

NËN/KOLONEL ZYLFI SALIU

KËTU:

Me datën 29.8.1955, në një takim të parë që bëra me një punëtorin e Zdrukthëtarisë së Beratit të quajtur Gjençi, mbiemrin nuk ja di, pasi këtë ma prezanton toger Kadri Harizi, i cili dhe gjatë bisedës ishte me mua ulur në një tavolinë.

Gjatë muhabetit, Gjençi na thotë që para pak ditësh i kishte humbur një portofol dhe ishte informuar se këtë ja ka gjetur një shok i vet në Skrapar, kështu që Gjençi vete në shtëpinë e Tuk Jakovës, për të marrë leje të shkonte në Skrapar, Tukun e gjen duke ngrenë darkë, del e takon e shoqja ku e futën në dhomën e pritjes.

Tuku mbasi han darkën, takohet me Gjençin dhe mbasi bisedon rreth çështjes për të cilën kishte vajtur Gjençi, hapet biseda e strehimit ku i thotë Gjençit që; ka ardhur një nga ata të strehimit dhe i ka thënë që të rrijë në një dhomë, pasi do të venë dy beqarë për strehim. Tuku ka dërguar të shoqen te shoku Myzafer Trebeshina dhe sipas thënieve të Gjençit, që i kishte thënë Tuk Jakova, Myzaferi ishte përgjigjur që; tashti do të shkoj në Tiranë, kur të kthehem do ta shikoj këtë çështje.

Mirpo Gjençi i qe përgjigjur; pse nuk shkoni vetë ju shoku Tuk, për këtë çështje tek shoku Myzafer, Tuku i kishte thënë Gjencit që; unë nuk mund t’i përulem të birit të një tradhtari, sikur të ma zënë shtëpinë, unë do t’i thyej tavolinat dhe t’i djeg, e atij nuk i përulem. E shoqja e Tukut i kishte thënë që; mos ja merr për keq, pasi ja që Tuku është pak nevrik.

Më gjatë nuk di, ka qenë prezent edhe toger Kadri Harizi si dhe Pandi Lubonja, shofer.

Toger

Vangjel Karapanxho

Dokumenti me relacionin e Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Beratit, Nën/Kolonel, Zylfi Saliu, dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij

“Tepër sekret” Berat, më 30.9.1955

R E L A C I O N

MBI PËRPUNIMIN E DERITANISHËM TË TUK JAKOVËS

Si mbas planit të masave operative-agjenturiale hartuar nga ne dhe aprovuar nga qendra, për përpunimin e Tuk Jakovës, është vënë nën përpunim të rregullt në kategorinë 2/A.

Për përpunimin e tij në qendrën e punës dhe të banimit, nga ana e kësaj drejtoria u morën masa operative duke u rrethuar me agjenturë, pasi parashikuam se vetë procesi i punës, do të lidhte Tukun me agjenturën tonë. Në këtë mënyrë filluam mbas ardhjes në ndërmarrjen e Nish-Prodhimeve të Ndryshme, ra kontakt me B.p. “Vigjilenti”, mbasi ky i fundit shërben në sektorin e kontabilitetit, dhe se Tuku pasi u njoh me të, vetë kërkoi prej tij që të kishte shoqëri.

Njëkohësisht gjatë punës Tuku krijoi lidhje edhe me B.p. “Nuredini”, i cili punon si teknik në sektorin e Zdrukthëtarisë ku është përgjegjës Tuku, kështu që Tuku, edhe këtë B.p., ka filluar ta mbajë afër.

Me qëllim që të sigurohemi mbi hyrjet e daljet e ndryshme në shtëpinë e Tukut, u veprua duke instruktuar një N/oficer të kësaj drejtorie për anën e Policisë, i cili merret me punë operative dhe që më parë ka qenë në sektor të Sigurimit.

Ky shok banon ngjitur me banesën e Tukut dhe është komunist si vetë dhe e shoqja e tij. Njëkohësisht në një nga dhomat e banesës së Tukut, është vendosur për banim edhe agjenti “Maja e Leklit”, i cili edhe ky është me punë në të njëjtin sektor me Tukun.

Plus këtyre, meqenëse e shoqja e Tukut është arsimtare, në drejtim të saj është drejtuar B.p. “Udha e Labinotit”, që punon po në sektorin e Arsimit dhe që është i sprovuar në punët tona dhe se ka njohje me të.

Në këtë mënyrë ka vepruar kjo drejtori deri më sot, për rrethimin me agjenturë të Tuk Jakovës dhe mendojmë se do të jemi në gjendje që mund ta kontrollojmë deri diku mirë aktivitetin e tij.

Nga këta B.p., deri më sot i përmenduri është lidhur me mirë me B.p. “Vigjilenti”, i cili në vazhdimësi ka dhënë dhe jep të dhëna për të. Nga të dhënat e deritanishme që kemi për të, del si më poshtë.

Pasi u përjashtua nga Partia, (në muajin korrik), Tuku qëndroi për disa ditë i mërzitur dhe i tronditur, lidhur me këtë, në një bisedim me B.p. “Vigjilenti”, ai i thotë: “Kur erdha nuk e ndjeja veten në gjendje, kurse tani shoh një ndryshim”. Duke biseduar po me të njëjtin B.p., rreth rrogës së tij, që merr 4.500 lekë në muaj dhe duke e krahasuar veten e tij me punonjësit e tjerë (për sa i përket specialitetit), Tuku thotë: “Çuditem, unë specialist shumë më i mirë se këta të tjerët, ndërsa rrogën e paskam më të vogël se sa këta”!

Në një rast, Tuku duke biseduar me shefin e planit të ndërmarrjes, Dilaver Qafën, i thotë këtij të fundit, se: “Nuk kam parë punëtorë më të padisiplinuar se këta të kësaj ndërmarrjeje, më kanë mërzitur disa dhe kam për t’ju futur me shpulla”. Pikërisht mbas disa ditësh, në kohën që vjen akulli për ftohjen e ujit në zdrukthëtari, disa punëtorë lëshohen për të marrë nga një copë akull, në këtë kohë Tuku ju bërtet dhe pasi punëtorët nuk largohen, ai i bie me një copë dërrase që mbante në dorë, punëtorit Lik Lefta, duke e goditur në qafën e dorës.

Kjo goditje u bë alarm në punëtorët dhe prandaj u provokua një mbledhje nga ana e drejtorisë së ndërmarrjes, në të cilën u kritikua vepra që bëri Tuku. Në përgjigje të kritikës që ju bë Tukut, Tuku thotë; ‘se kam bërë gabim që e godita’, por insiston duke thënë se; ‘këta janë punëtorë pa disiplinë, më detyruan të bëja këtë gjë’.

Në një bisedë që ka bërë Tuku me punëtorin e sektorit të zdrukthëtarisë, Gjenç Mançen, rreth çështjes së shtëpisë ku banon, Tuku i kishte thënë Gjençit, se; strehimi po na sjell dy beqarë, për të banuar në një nga dhomat e shtëpisë ku banoj unë, për këtë çështje dërgova gruan tek kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut, Myzafer Trebeshina, por me që kryetari ishte duke ikur në Tiranë, i kishte thënë gruas se; kur të kthehem do ta shikojë këtë problem.

Në këtë rast, punëtori Gjençi Mançe, i thotë Tukut, se; pse nuk veni vetë ju tek shoku Myzafer për këtë çështje, Tuku duke ju përgjigjur, i thotë se; unë nuk mund t’i përulem të birit të një tradhtari, sikur të ma zënë shtëpinë, unë do t’i thyej tavolinat e do t’i djeg me zjarr dhe atij nuk i përulem.

Meqenëse kjo bisedë është zhvilluar në shtëpinë e Tukut, ku Gjençi kishte shkuar për të kërkuar leje, që të shkonte deri në Skrapar, aty prezent ndodhet dhe e shoqja e Tukut, e cila i thotë Gjençit, mos ja merr për keq, pasi ja që Tuku është pak nevrik. Këtë denoncim e ka bërë vetë punëtori në fjalë, në një bisedë shoqërore që ka bërë me dy oficerë të kësaj drejtorie.

Për sa u përket personave që frekuentojnë shtëpinë e Tukut, është për t’u shënuar se, major Rustem Harizi, kryetar i Degës Ushtarake të rrethit Berat, vazhdon të frekuentojë, bile e shoqja e Rustemit, që është dhe anëtare partie, në një rast është shprehur para një komunisti të organizatës së saj, duke thënë se; unë nuk ka sesi e ndërpres vajtjen dhe ardhjen në shtëpinë e Tukut, kam vajtur dhe do të vete.

Gjithashtu shtëpia e Tukut për mjaft raste është frekuentuar nga Kapiteni i II-të, Kosta Jani nga Korça, i cili është mjek i repartit 6650/A Berat, nga të dhënat që kemi del se ky shpesh herë shkon në shtëpinë e Tukut me të cilin loz shah, gjithashtu në një rast kur Tuku kishte djalin sëmurë, kapiteni në fjalë i ka çuar penicilina për djalin e sëmurë.

Për sa i përket qëndrimit të Tukut në detyrë, përveç rastit të keq sjelljes që u përmendën më lart, ai mbas të dhënave të agjenturës që kemi dhe nga sa shihet nga ana e jashtme, ai i është shtruar punës dhe punon vetë, ka vendosur disa rregulla në punë, si kontrollin teknik mbi materialet që prodhohen etj. Kjo është e natyrshme që ai do të punojë se nuk ka nga t’ja mbajë.

Në përgjithësi këto janë të dhënat që kemi për të deri tash, meqenëse Tuku disponon një revolver të markës “Gold” amerikan, si dhe një armë gjahu (çifte e kalibrit 12), për të cilat është pajisur me lejen përkatëse nga ana e kësaj drejtorie, lutemi na sqaroni nëse t’ja lëmë që t’i mbajë apo t’ja heqim, mbasi ai tash është i zhveshur nga të gjitha të drejtat që kishte si funksionar dhe se këto i ka sigurisht të marra në depot e shtetit.

Për lejet e armëve ka qenë marrë autorizimi i ministrit që në fillim, prandaj duhet që të pyetet ai.

DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME TË QARKUT

NËN/KOLONEL

ZYLFI SALIU

Raport-informacion i Sigurimit të Shtetit, mbi letrën që Tuk Jakova i’a dërgon vëllait të tij, Franc Jakovës, që ishte i internuar në qytetin e Gramshit

I N F O R M A C I O N

Nxjerrë nga letra e pa adresë që i drejton Tuk Jakova, Franc Jakovës, Gramsh Elbasan, ku thotë:

I dashur vëlla, Franko: Më ka marrë malli shumë për ju, aq më tepër kur mejtoj se je vetë i gjashtë me rrogën e një shitësi, prej 2.800 lekësh. Shumë vështirë do ta kesh, por duhet të durosh, “sepse kështu paska qenë kësmet”,(kështu thojnë pleqtë).

Unë drejtoj këtu në Berat një punishte marangozësh me një rrogë shumë më të madhe se ti, që shkon 4.500 lekë bruto në muaj. Zanatin nuk e paskam harruar dhe jam në gjendje të drejtoj këtë punishte dhe nga ana teknike. Jam duke luftuar për forcimin e disiplinës në punë dhe për përmirësimin e kualitetit.

Disa punëtor këtu e zotërojnë mirë zanatin dhe duke u mbështetur në ta, kemi ca përparime në çështjen e përmirësimit të kualitetit dhe në të ardhmen, do të kemi më shumë sukses, në mënyrë që të zhduket opinion i keq që është formuar për Zdrukthëtarinë e Beratit, për çështjen e kualitetit.

Në shtëpi jemi mirë, fëmijët sidomos janë mirë me shëndet, jemi sistemuar dhe banojmë në dy dhoma 4×3 dhe një farë kuzhine të vogël, që nuk na nxë mua dhe Nitën bashkë.

Edhe Nitën e përjashtuan nga Partia dhe tash jemi burrë e grua pa parti. Ti Franc, mos u mërzit, po qëndro si burrat, ashtu si ka hije komunistëve, unë e quaj veten komunist pa parti dhe punoj me ndërgjegje, ashtu si kam punuar gjithmonë, i shërbej popullit, sa më mirë të mundem, sepse ajo është qëllimi i çdo komunisti të ndershëm.

Puthi fëmijët për mua dhe thuaj se; xhaxhai dëshiron t’ju shikojë në Tiranë, atje ku ju shikonte gjithnjë më parë.

Të puth me mall ty dhe Marien. Memorie.al

Tuku

Berat, 8.10.1955

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb