Pjesa e gjashtë
Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Bamirësen dhe Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën. Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!

Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirësja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.

Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.

Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.

Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!

Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vijon nga numri i kaluar

Raport-informacioni i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit për Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me vizitën që Nënë Tereza realizoi në Shqipëri nga data 14, deri më 17 gusht 1989

I N F O R M A C I O N

MBI VIZITEN E NËNË TEREZËS (AGES GONXHE BOJAXHIU) NË VENDIN TONË

Nga data 14 deri me 17 gusht 1989, Nënë Tereza (Agnes Gonxhe Bojaxhiu) bëri një vizitë në vendin tonë e shoqëruar nga Marie Goreti (Jona Kerhanaj), murgeshë me urdhërin e Nënë Terezës dhe Janette Petrie, regjisore filmi.

Nënë Tereza ka hapur shtëpitë e saj të bamirësisë në 80 vende të botës dhe ka 3000 motra (murgesh) të 35 kombësive të ndryshme si dhe mijra vullnetarë. Ajo kujdeset për pleqtë, sakatët, leprosët, tuberkulozët, pë rata që vuajnë nga uria, të sëmurët mendor, fëmijët jetim, etj. Kohët e fundit ka hapur institucione të tilla me B.S., Hungari, Kubë dhe po përpiqet të hapë edhe në vendet e Europës Lindore e në Kinë. Nënë Tereza nuk financohet nga askush, nuk pranon ndihma nga qeveritë, por nga individë të veçantë në të gjithë botën. Siç u shpreh ajo: “Puna ime nuk është as politike, as fitimi”.

Në këtë vizitë Nënë Tereza shoqërohej nga murgesh me origjinë shqiptare Marie Goreti nga Prizreni e cila kryente veprimtarinë e saj bamirëse në Pejë së bashku me 4 motra të tjera me origjinë shqiptare. Një motër e saj është murgeshë në Washington.

Shoqëruesja e dytë, Zhanet Petri me origjinë kanadeze është regjisore filmi dhe banon në SHBA. Ka tetë vjet që është lidhur me nënë Terezën, nëpërmjet të të vëllait, prift në Kalkutë. Ka realizuar filmin “Nëna Tereza”. Në fillim u tregua e rezervuar, por këmbëngulëse në kërkesat për programin e Nënë Terezës. Aparatin fotografik dhe atë të inçizimit ditët e para i ruante të fshehura, vetëm ditën e fundit i nxorri publikisht dhe i përdori. Sa vumë re, ndikonte në kërkesat e Nënë Terezës.

Ishte si shefe e protokollit të saj. Detyra e saj ishte që të realizonte shfaqjen e filmit këtu dhe nuk kishte asnjë interes për Shqipërinë. Edhe kur i’u propozua për të bërë shëtitje jashtë vilës, ajo nuk pranoi. Megjithatë, përshtypjet e saj për Shqipërinë në fund të vizitës qenë mjaft pozitive. Ajo u shpreh: “Vend i pastër, i qetë, i gjelbëruar, ushqimi shumë i mirë, mikpritja po ashtu. Pashë njerëz energjike e të qeshur. Na u plotësuan të gjitha dëshirat”.

Të trija, si Nënë Tereza ashtu edhe shoqërueset e saj, kishin njohuri të pakta për Shqipërinë. Nuk njihnin as të kaluarën e as të sotmen. Nuk kishin lexuar asgjë dhe ato ç’ka dinin mendojmë se i kishin të servirura nga të tjerët, sidomos çështja e fesë, pasi në disa raste Nënë Tereza i pyeti shoqërueset tona: “Ju e keni ndaluar fenë, Pse?”, “Si u mbyllën kishat, njëherësh e me forcë apo gradualisht”, “A ka ndonjë kishë në Tiranë që mund të vizitojmë?”, “A lejohet të besojnë ata që duan”?. Mund të themi se kjo ishte tema që interesoheshin më shumë dhe që Nënë Tereza, e ngrinte me shoqëruesit dhe në takim me shoqen Nexhmije Hoxha. Sipas rastit i’u dhanë sqarimet, por më gjerësisht i’u fol nga shoqja Nexhmije.

Gjatë gjithë kohës Nënë Tereza vizitën e konsideronte private dhe u shpreh se kish për qëllim “të vizitonte varret e nënë dhe të motrës dhe të njihej me shtëpinë ku ato kishin banuar”, por siç doli qëllimi i vërtetë i kësaj vizite ishte që t’u kërkonte autoritetev t’i krijonin mundësinë që të ngrinte edhe në Shqipëri një institucion bamirësie dhe të sillte aty të paktën 4 motra. Këtë kërkesë ajo e ngriti në çdo takim. Megjithëse i’u shpjegua qëndrimi ynë, ajo insistoi në mendimin e saj duke thënë se: “Dua që edhe në Shqipëri, që është vendi im, të kem një të tillë. Unë, tha ajo, një lutje ua kam mësuar të gjitha motrave kudo në botë në gjuhën shqipe”.

Ditën e parë kur shokët e njohën me programin për vizitën në varret e nënës dhe të motrës si dhe në shtëpinë ku kanë banuar, dhe i thanë se e prisnin me kënaqësi ardhjen e saj, Nënë Tereza u shpreh: “Nuk ka rëndësi koha kur vjen, ka rëndësi që erdha në Shqipëri”. Pastaj shtoi: “Meqë shtëpia ku kanë banuar nëna dhe motra nuk është e imja, shtëpinë për të ngritur një institucion bamirësie le të ma japë shteti shqiptar”.

Pyetjes që iu bë nga Televizioni ynë: “Ç’përshtypje keni nga Shqipëria?”, ajo ju përgjigj: “Nuk e kam ditur më parë si ka qenë Shqipëria që të jem në gjendje të bëj krahasime”. Biseda me shoqëruesit dhe në takimet ka pohuar: “Me ç’ka po shoh keni arritje të mira”. Përshtypje të veçantë i bënë Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, nderimi që u bëhet të rënëve për liri, mermeri i varreve për të cilin u interesua se ku prodhohej, qetësia, lulet, bukuria e vendit. Të tilla vlerësime dha edhe për varrezat ku kishte nënën dhe motrën. “Nuk e prisja që t’i gjeja kaq mirë e të mirëmbajtura e të shihja që njerëzit venë në varreza”, tha ajo.

Ndërsa në vizitat në spital u shpreh: “Paskeni personel të bollshëm dhe pajisje modern”. Pyeti si është organizuar lufta kundër tuberkulozit në vendin tonë dhe pasi iu dhanë shpjegimet tha: “Një sukses i madh”, dhe kërkoi skemën e organizimit të luftës kundër kësaj sëmundje dhe llojet e medikamenteve që përdoren tek ne, për t’ua dhënë motrave të saj, për të përfituar edhe ato nga përvoja jonë. Në Kampin e Pionierëve në Durrës u shpreh: “Shoh fëmijë të shëndetshëm, të lumtur e të zgjuar. Këtu tregohet kujdes për fëmijët”.

Kudo vlerësoi pastërtinë e mjediseve që pa. Gjatë rrugës për në Durrës i ka thënë shoqërueses: “Kështu si në Tiranë janë edhe qytetet e tjera? Toka qenka e punuar mirë. Kështu është kudo? Për sa vjet i keni arritur këto? Gjatë gjithë kohës vlerësoi ushqimin, mikpritjen. Në aeroport u tha shokëve: “Faleminderit qeverisë tuaj që më dha mundësinë të vijë në Shqipëri, dhe për të gjitha kushtet që m’u krijuan gjatë vizitës sime. Do t’i falem zotit gjithnjë për ju”.

Nënë Tereza me shoqërueset e saj në fillim ishin shumë të rezervuara, madje edhe me një ndjenjë frike. Ditën e parë kërkuan të hanë më vehte në një sallë të veçantë. Nuk pranonin të merrnin asgjë nga ato që i servireshin në pritje. Kërkuan që dhomat t’i mbanin të mbyllura dhe çelsat t’i mbanin vetë. Ndërsa në drekën e ditës së dytë u thanë shoqeve tona: “Mund të hamë së bashku, tani jemi një familje”. Pak nga pak filluan të merrnin ushqim dhe pije gjatë vizitave. I lana dyert të hapura, etj. Pas këtyre ndryshimeve, Marie Goreti tha: “Në Shqipëri Nana po bën lëshime që nuk i ka bërë në asnjë vend tjetër, as në Vatikan dhe këtë e bën për respektin që ka për ju”. Këto fjalë i pranoi edhe Nënë Tereza.

Në bisedë të veçantë me shoqërueset dhe sidomos në vizitat në shtëpinë e Marie Krajës, Nënë Tereza u interesua të dijë nëse ka të afërm të saj në Shqipëri dhe sidomos në Shkodër. Kur po largohej në aeroport ajo tha: “Me siguri duhet të kem të afërm në Shkodër”. Marie Krajës i ka thënë: “Dua të marr me vehte në Kalkutë, së bashku me vajzën”. Dhe më vonë i përsëriti: “Në qoftë se nuk ka mundësi atje, t’ju marr në Romë. Të ma japësh vajzën ta bëj murgeshë”. Tek Maria ka kërkuar sqarime se si i ka vdekur nënë dhe motra, cili ishte shkaku. Sqarimet që i dha, Maria e kanë qetësuar. Dukej se këtu diçka e mundonte.

Në ditën e parë Marie Goreti dha adresat e pesë grave, duke thënë se kërkonte t’i takonte Nënë Tereza, megjithëse kjo e fundit nuk e përsëriti asnjëherë një kërkesë të tillë. Pra, kërkesa ka qenë e Marie Goretit nga Peja, e cila ka patur porosi që t’i takonte. Nga këto të pesta u gjykuan që të vijnë dy prej tyre, një nga Shkodra dhe një nga Elbasani. Nënë Tereza i pyeti për familjet që kanë , etj. Age Kadhimi nga Elbasani i tregoi Nënë Terezës një fotografi ku kishte dalë dhe një murgeshë, të cilën Nënë Tereza e dalloi menjëherë.

Agia i tha: “Pse nuk ma solle Marien këtu? Të ma përqafosh e t’i thuash se tek ato e kam zemrën. Kam kërkuar të vete në Jugosllavi dhe pres të më dalin dokumentat”. Siç doli, kjo ka tezen në Jugosllavi dhe mbesën (murgeshën Marie, në fotografi) në një nga seminaret që drejton Nënë Tereza në Itali. Në çastin kur u largua Age Kadhimi i dha një letër Nënë Terezës. Gruaja nga Shkodra foli shumë pak: “Jemi shumë mirë, i kemi të gjitha”. Ajo i dhuroi Nënës Terezës librin “Veshjet popullore shqiptare”. Nëna e pyeti sa larg ndodhej Shkodra.

Para shfaqjes së filmit “Nënë Tereza” shokët tanë konstatuan se në film kishte një thënie jo të vërtetë për Shqipërinë. Gjatë shfaqjes së filmit kjo u evitua me uljen e zërit. Pastaj u bisedua me regjisoren e filmit, së cilës i’u sugjerua për një ndryshim të tekstit. Ajo qe e gatshme për të bërë ndryshimin, e ta dërgonte më vonë, gjë që e shënoi edhe në liçencën e filmit që i dha TV. Me dëshirën e saj filmin i’a dhuroi Televizionit.

Vizitorët i vlerësuan dhuratat që iu bënë. Shqiponjën, Nënë Tereza e mbajti të mbështjellë në dorë dhe u shpreh se do ta vendoste pranë çmimit “Nobel”. Një nga qilimat, atë të voglin tha se do t’ia bënte dhuratë Papës.

Në disa raste dhe në kohën e largimit, Nënë Tereza përsëriti se dëshiron të vijë përsëri në Shqipëri dhe tha se “Kur të vij dua ta takojë presidentin”.

Nënë Tereza ishte e interesuar dhe propozoi që të ndërhyjë e të dërgojë një ftesë për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për SIDA-n, që do të bëhet në Romë në Nëntor.

Tiranë, me 19.8.1989

Raport-informacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me bisedat dhe kërkesat e Nënë Terezës, gjatë vizitës së saj në Shqipëri

I n f o r m a c i o n

MBI VIZITËN E NËNË TEREZËS (AGNES GOXHE BOJAXHIU) NË VENDI TONË

Nga data 14 deri me 17 gusht 1989, Nënë Tereza (Agnes Gonxhe Bojaxhiu) bëri një vizitë private në vendin tonë e shoqëruar nga motra Maria Goreti (Jona Kerhanaj) dhe Janette Petrie, regjizore filmi.

Nënë Tereza drejton kongregacionin “Misionaret e Bamirësisë” (Missionaries of Charity), themeluar prej saj në vitin 1950 në Kalkuta të Indisë. Deri më sot Nënë Tereza ka hapur shtëpitë e saj të bamirësisë në 80 vende të botës dhe ka 3000 motra (murgesha) të 35 kombësive të ndryshme si dhe mijra vullnetare. Ajo përkujdesej jo vetëm për pleqtë dhe “për të varfrit e të varfërve” po edhe për sakatët, leprosët, tuberkulozët, ata që vuajnë nga uria, të sëmurët me të meta mendore, fëmijët jetim dhe të gjithë ata që gjejnë nëpër rrugë.

Ajo ka ngritur misione të saj në vende të tilla se SHBA, Angli, Japoni, Francë, e deri në Tansani, Botsavanë, Guatemalë, etj. Kohët e fundit, ajo ka hapur institucione të tilla në B.S, Hungari, Poloni, Çekosllovaki, Kubë dhe po përpiqet të hapë edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe në Kinë.

Nënë Tereza nuk financohet nga askush, nuk pranon ndihma nga qeveritë, vetëm nga individë në të gjithë botën. Megjithatë ajo në vendet ku ka leprosë u ka kërkuar qeverive t’i japin toka për të ngritur koloni për leprosët ku ata të punojnë e të jetojnë. Në çdo vend që ka vajtur është pritur ose nga kryetarët e qeverive ose nga personalitete shumë të larta. Kështu, është takuar me Gandin, Reganin, Fidel Kastron, të cilëve u ka bërë kërkesa të ndryshme dhe ata ia kanë plotësuar. Gjithashtu, ashtu siç iu tha shoqëruesve disa herë, kudo që ka vajtur është nderuar më çmimin më të lartë të atij vendi.

Në bisedat e saj me shoqëruesit, Nënë Tereza u shpreh se kishte njohuri fare të pakta për Shqipërinë, nuk njihte as të kaluarën, as të sotmen, gjë që e përsëriti edhe kur iu kërkua intervista për Televizioni Shqiptar. Nuk dinte se cili ishte kryetari i mëparshëm i qeverisë dhe cili është sot. Një nga kërkesat e saj ishte që të takohej me kryetarin e qeverisë dhe me shumë rezerva në fillim pranoi për t’u takuar me shoqen Nexhmije, por rëndësinë e funksionet e së cilës pyeti disa herë. Vetëm pas vizitave në Varrezat e ‘Dëshmorëve të Kombit’ dhe vendosjes së luleve pranë varrit të shokut Enver, e kuptoi rëndësinë e saj dhe mezi priste ta takonte. Kënaqësinë që pati nga ky takim e shprehu disa herë.

Në fillim u duk sikur Nënë Tereza nuk ishte e interesuar për jetën në Shqipëri, por gradualisht ajo filloi të bënte pyetje të atilla që tregonin se nuk ishte indiferente. Ajo dhe shoqërueset e saj bënë pyetje të tilla si: “Ju e keni hequr fenë, Pse? Kur? Si u mbyllën kishat, njëherësh dhe me forcë, apo gradualisht? A ka ndonjë kishë apo ndonjë objekt tjetër kulti në Tiranë dhe a mund ta vizitojmë? Mund të themi se kjo ishte tema që interesohej më shumë dhe që e ngriti me shoqëruesit si dhe me takimin me shoqen Nexhmije Hoxha. Sipas rastit iu dhanë sqarime, por me gjerë dhe plotësisht i’u fol nga shoqja Nexhmije Hoxha.

Megjithës në pyetjen që i’u bë nga Televizioni: “Ç’përshtypje keni nga Shqipëria?”, ajo tha: “Nuk e kam ditur më parë se si ka qenë Shqipëria, prandaj nuk jam në gjendje të bëj krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”. Në biseda me shoqëruesit dhe në takimet ka pohuar: “Me ç’ka po shoh keni arritje të mira”. Përshtypje të veçantë i bënë Varrezat e ‘Dëshmorëve të Kombit’, nderimi që u bëhet të rënëve për liri, mermeri i varreve për të cilin u intersua se ku prodhohej, qetësia, lulet, bukuria e vendit, etj. Po të tilla vlersime dha edhe për varrezat ku kishte nënën dhe motrën.

Ajo tha: “Nuk e prisja që t’i gjeja varret kaq të mira e të mirëmbajtura dhe të shihja që njerëzit që venë në varreza. Në spital tha: “Keni personel të bollshëm dhe pajisje modern”. Ka pyetur si është organizuar lufta kundër tuberkulozit në vendin tonë, dhe pasi i janë dhënë shpjegimet, ka thënë: “Një sukses i madh”, dhe ka kërkuar skemën e organizimit të luftës kundër kësaj sëmundjeje dhe medikamentet që përdoren tek ne, për t’ua dhënë motrave për të përfituar dhe ato nga përvoja jonë. Në kampoin e pionerëve në Durrës u shpreh: “Shoh fëmijë të shëndetshëm, të lumtur e të zgjuar. Këtu tregohet kujdes për fëmijët”.

Ajo vlerson pastërtinë e qytetit si dhe ambjentet e mjediset që pa. Gjatë rrugës për në Durrës i ka thënë shoqëruese: “Kështu sin ë Tiranë janë edhe qytetet e tjera. Toka qenka e punuar mirë e bukur. Kështu është kudo? Për sa vjet i keni arritur këto, etj”. Gjatë gjithë kohës ka vlersuar ushqimin, mikpritjen. Në aeroport u tha shokëve: “Faleminderit qeverisë suaj që më dha mundësinë të vij në Shqipëri si dhe për të gjitha kushtet e mira që m’u krijuan gjatë vizitës sime. Do t’i falem zotit gjithnjë për ju”.

Gjatë gjithë kohës Nënë Tereza vizitën e konsideronte private dhe u shpreh se kish për qëllim “të vizitonte varret e nënës e të motrës dhe të njohej me shtëpinë ku ato kishin banuar, por nga sa doli, qëllimi i vërtetë i kësaj vizite ishte që t’u kërkonte autoriteteve t’i krijonin mundësinë që të ngrinte edhe në Shqipëri një institucion bamirësie dhe të sillte aty të paktën 4 motra “për t’u ardhur në ndihmë pleqve dhe atyre pa njeri”.

Këtë kërkesë ajo e ngriti në çdo takim. Megjithëse iu shpjegua qëndrimi ynë, ajo insistoi në mendimin e saj me argumentin se: “Unë kam hapur 407 shtëpi të tilla në 80 vende të botës dhe kam motra nga 35 kombësi madje edhe në B.S., Kubë e Jugosllavi. Dua, tha ajo një lutje ua kam mësuar të gjitha motrave kudo në botë në gjuhën shqipe”.

Qysh në aeroport, në bisedë me shokët tanë, të cilët i uruan mirëseardhjen dhe i thanë se ne e prisnim me kënaqësi ardhjen e saj, si dhe i bënë të njohur programin për vizitën në varret e nënës dhe të motrës dhe në shtëpinë ku ato kanë banuar, veç falenderimeve Nënë Tereza tha: “Nuk kanë rëndësi koha kur vjen, ka rëndësi që erdha në Shqipëri”. Pastaj shtoi: “Meqë shtëpia ku kanë banuar nëna dhe motra nuk është e imja, shtëpinë për të ngritur një institucion bamirësie le të më japë shteti shqiptar”.

Pasi u njoh me programin fillestar, i cili parashikonte edhe vizita në Pogradec e Korçë dhe në ndonjë muzeum apo fabrikë, Nënë Tereza u shpreh: “Nuk e kam në praktikën time të vizitoj muzeume apo fabrika, atje ku punojnë njerëzit, por dua të shoh “Njerëz që vuajnë, që janë pa njeri”. “Puna ime nuk është as politike as fitimi”. Dhe kur i’u shpjegua se njerëz të kategorive të tilla janë në spitale, azile, shtëpi fëmijësh dhe në qoftë se dëshiron mund t’i vizitointe në çdo kohë, ajo e mirëpriti këtë.

Si Nënë Tereza ashtu edhe shoqëruesit e saj në fillim ishin shumë të rezervuar, madje edhe me një ndjenjë frike. Ditën e parë kërkuan të hanë më vehte; në një sallë të veçantë. Nuk pranonin të merrnin asgjë nga ato që iu serviren në pritje. Kërkuan që dhomat t’i mbanin të mbyllura dhe çelsat t’i mbanin vetë.

Ndërsa në darkën e ditës së dytë u thanë shoqeve tona: “Mund të hamë së bashku, jemi një familje”. Pak nga pak filluan të merrnin ushqime dhe pije gjatë vizitave, i lanë dyert hapur, etj. Pas këtyre ndryshimeve, Marie Goreti që e shoqëronte tha: “Në Shqipëri Nëna po bën lëshime që nuk i ka bërë në asnjë vend tjetër, as në Vatikan dhe këtë e bën për respektin që ka për ju”. Këto fjalë i pranoi edhe Nënë Tereza.

Në bisedë të veçantë me shoqërueset dhe sidomos në vizitën në shtëpinë e Marie Krajës, Nënë Tereza u interesua të dijë nëse ka të afërm të saj në Shqipëri dhe sidomos në Shkodër. Kur po largohej në aeroport ajo tha: “Me siguri duhet të kem të afërm në Shkodër”. Marie Krajës i ka thënë: “Dua të të marr me vete në Kalkutë, së bashku me vajzën”.

Pastaj i ka përsëritur se në qoftë se nuk ka mundësi atje, t’i marrë në Romë. Këtë ia tha Maries edhe në aeroport. “Dua vajzën të ma japësh ta bëj murgeshë”, u shpreh. Tek Maria ka kërkuar sqarime si i ka vdekur e motra, cili ishte shkaku. Sqarimet që i dha Maria e kanë qetësuar. Në këtë dukej se diçka e mundonte.

Ishte e interesuar dhe propozoi që të ndërhyjë për të dërguar një ftesë për të marrë pjesë edhe vendi ynë në një konferencë ndërkombëtare për sëmundjen e SIDA-s, që do të bëhet në Romë në nëntorin e këtij viti. Në aeroport tha: “Dua të vij përsëri dhe kur të vij dua të takoj presidentin”. /Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb