TIRANE-Në një kohë që në Shqipëri po flitet për ligjin e hapjes së dosjeve dhe dekomunistizimin e Shqipërisë, një deklaratë e bërë nga këngëtari Sherif Merdani pritet të shkaktojë shumë debate.
Këngëtari ka zbuluar se kompozitori Agim Krajka ka qenë spiun i sigurimit dhe ka pasur pseudonimin “Belini”. “Një nga këta që spiunonin ishte edhe Agim Krajka (kompozitor). Ma ka thënë vetë që përpilonte raporte për artistët që udhëtonin jashtë nëpër turne. Madje ju them edhe pseudonimin që e kishte Belini”, tha Merdani.

Menjehere pas deklarates se tij, ka reaguar gruaja e kompozitorit.
AMI KRAJKA: JA RAPORTI I BURRIT TIM ME SIGURIMIN
Një ditë pasi Sherif Merdani deklaroi në emisionin “Opinion” se kompozitori Agim Krajka ishte spiun ka reaguar bashkëshortja e kompozitorit, Ami Krajka. Në një intervistë për Opinion.al, Krajka thotë se Sherif Merdani është keqkuptuar. “Krajka ka qenë vetë i persekutuar dhe kemi jetuar me frikë”, tha ajo.

Znj. Krajka a e keni dëgjuar deklaratën e z.Merdani mbrëmë në emision?
Po po e kam dëgjuar dhe më erdhi vërtet shumë keq. Agimi nuk ndodhet këtu, është në SHBA tek fëmijët, ai u habit shumë kur i tregova çfarë ka thënë Sherif Merdani. Dua të sqaroj se ai (Merdani) u keqkuptua. Para një muaji erdhi një gazetare e “Tema”-s, ajo e keqpërdori fjalën e Krajkës. Nis nga ai shkrim u fry. Është treguar pak naiv Sherif Merdani në atë që tha në Opinion.

Znj. Krajka, Sherif Merdani nuk përmendi asnjë shkrim, tha qartë më ka spiunuar Krajka, madje tha edhe pseudonimin e tij në dosjet e sigurimit?
Jo nuk është e vërtetë. Ne kemi qenë vetë familje e persekutuar. Agim Krajka përgatiste festivalet dhe u mbajt i izoluar. Për 15 vite ai nuk është lejuar të dilte jashtë shtetit. Po të ishte spiun, ai s’do kishte vetë frikë nga sigurimi i shtetit. Ne rrinim nëpër dritare me frikën e arrestimit….

Pse thoni se ishit të izoluar, si ishte ky izolim?
Krajka ishte i survejuar në çdo moment. Për 15 vjet nuk ka dalë jashtë shtetit, që prej festivalit të 11. Shikoni edhe një detaj tjetër: Për 15 vite Enver Hoxha nuk e ka përmendur asnjëherë. E kishin frikë Krajkën ata (komunistët).

Si e kishin frikë?
E kishin frikë sepse këngët e tij mund të shkaktonin revolucion në popull.

Cila ishte lidhja e Krajkës me Alida Hiskun, ka folur për historinë e saj?
S’kemi pasur lidhje me Alida Hiskun, as nuk ia dimë historinë. Këngëtaret e Krajkës kanë qenë Parasheqevi Simaku dhe Irma Libohova.

Me çfarë merreni sot znj. Krajka?
Unë kam punuar në Opera në kohën e komunizmit, sot bashkë me Agimin kemi një studio të vogël ku përgatisim fëmijë në muzikë. Përpiqemi të punojmë edhe pse tani jemi në moshë. Ndërsa fëmijët i kemi në SHBA.
(Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: