Një lajm i gëzuar vjen nga Uashingtoni se, për herë të parë, një përfaqësuese nga shtresa e të përndjekurve politikë shqiptarë, Dr. Elida Dakoli, është zgjedhur anëtare e Bordit të Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Uashington!

Këtë e bëri të ditur Dr. Eric Patterson, President dhe CEO i VOC, i cili theksoi: “Anëtarësimi i Dr. Elida Dakolit në Bordin e VOC-së shënon një epokë të re për Fondacionin Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit. Mezi pres të punoj me Dr. Dakolin për të forcuar misionin e VOC-së dhe për të treguar historinë e rëndësishme, por shpesh të injoruar, të shtypjes komuniste në Shqipëri.”

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, si një zë i vetëm gjatë tre dekadave në denoncimin e krimeve makabre të komunizmit stalinist-enverist, si brenda dhe jashtë vendit, e mirëpriti zgjedhjen e bashkëvuajtëses sonë, Dr. Elida Dakoli, në atë bord botëror dhe i shpreh asaj respektin, mirënjohjen dhe e siguron që ne do të kemi një bashkëpunim institucional dhe aktiv për t’i bërë prezent në Uashington krimet e komunizmit!

I vetmi shtet shqiptar nuk është bërë pjesë e atij Fondacioni Botëror, me një qëllim që bota të mos njohë krimet që kishte bërë diktatori Enver Hoxha. Me zgjedhjen e Dr. Elida Dakolit, bota do të njohë krimet e komunizmit në Shqipëri dhe bilancin tragjik të këtyre krimeve, që janë pushkatuar dhe u janë zhdukur eshtrat mbi 6000 shqiptarëve dhe sot, pas tre dekadash, nuk kanë një varr në tokën e tyre. Dhe shteti i ashtuquajtur “demokratik” hesht dhe nuk i nderon këta korifej të lirisë.

36.000 shqiptarë janë dënuar me motive politike dhe sot përçmohen nga klasa politike. 60.000 familje janë internuar në kampet famëkeqe të Tepelenës, Beratit, Porto Palermos, Zvërnecit e Lushnjës. Mbi vdekjen nga uria të 300 fëmijëve në kampin e Tepelenës dhe kufomat e tyre i mori lumi Vjosa. Ekzekutimi dhe burgosja e 120 klerikëve katolikë. Ekzekutimi dhe burgosja e 83 klerikëve bektashinj. Ekzekutimi dhe burgosja e 60 klerikëve myslimanë. Ekzekutimi dhe burgosja e 39 klerikëve ortodoksë. Shkatërrimi dhe mbyllja e 2169 institucioneve fetare.

Në fund të viteve ’80, kur Europa shembte Murin e Berlinit, diktatura staliniste varte poetin Havzi Nela. Do të njihen kampet e përqendrimit dhe torturave staliniste si Spaçi, Qafë-Bari, Këneta e Maliqit, Burreli, varri i intelektualëve shqiptarë etj., se si Shqipëria nuk ka një muze të krimeve të komunizmit. Fondacioni, nëpërmjet Dr. Dakolit, do të njihet se si klasa politike e pas ’90-ës jo vetëm që nuk i dënoi këto krime çnjerëzore, por luftoi me pushtet të pamerituar që t’i fshinte nga kujtesa, me pikësynimin ideologjik “Ashtu qe koha”.

Dr. Elida Dakoli, nëpërmjet këtij institucioni botëror, do t’i njohë me mbijetesën dhe paqen që përcollën antikomunistët shqiptarë dhe familjarët e tyre dhe pse u dënuan politikisht tre breza, ata nuk kërkuan hakmarrje, por vetëm drejtësi! Fondacioni do të njihet me realitetin e hidhur shqiptar se si, pas shembjes së Murit të Berlinit, në Shqipëri u krye formalisht sistemi demokratik pa u cenuar ligjërisht diktatura komuniste. Rilindja komuniste gjatë 35 viteve bëri ligje në mbrojtje të xhelatëve të diktaturës dhe kriminalizoi politikëbërjen shqiptare. Në një vend ku nuk vepron ligji dhe nuk funksionon demokracia, lindin diktaturat.

Amerika, vendi i lirisë, i çmon dhe nderon aktivistët që i shërbejnë paqes dhe i nderon ata që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut! E kundërta ndodh në Shqipëri, ku nderohen patronazhistët, të privilegjuarit e diktaturës, ata që kanë pasur lidhje dhe kanë qenë mbështetës të komunizmit. Nderohen marksist-leninistët, pushtetarët e korruptuar, duke e deformuar pushtetin demokratik.

Zgjedhja e Dr. Elida Dakolit, një udhëheqëse në fushën e të drejtave civile, diplomate kulturore, akademike dhe pianiste koncertesh. Puna e saj përqendrohet në ruajtjen e kujtesës historike dhe promovimin e vlerave demokratike. E lindur në Durrës, gjatë viteve të fundit të regjimit komunist, ajo vjen nga një familje e ngulitur thellë në lëvizjen e hershme demokratike të Shqipërisë, një familje shqiptare që është prekur thellësisht nga përndjekja politike e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës. Gjyshi i saj, Hysen Myshketa, avokat dhe pjesëmarrës në përpjekjet e hershme të ndërtimit të shtetit shqiptar, u vra nga njësitet guerile të regjimit komunist. Gjyshi i saj, Sadik Dakoli, vdiq në burgun komunist dhe eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë. Anëtarët e familjes së saj janë burgosur dhe përndjekur nga regjimi komunist për veprimtarinë e tyre prodemokratike.

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i uron suksese e punë të mbarë bijës së Durrësit, bashkëvuajtëses sonë të nderuar dhe mirëpret zërin e saj në shërbim të kujtesës kombëtare! Urimi është pak për Ju si intelektuale e mbrojtjes së kujtesës kombëtare!

Një fjalë e urtë shqiptare thotë: “E drejta vonon, por nuk harron.” Antikomunistët e dënuar dhe të përndjekurit politikë shqiptarë do të kenë zërin e tyre në Uashington pas tre dekadash!

Me këmbë të mbarë, Dr. Elida Dakoli, dhe dalsh faqebardhë në këtë mision të madh botëror!

Besim Ndregjoni
President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit
të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb