Shtetet e Bashkuara dhe Irani po vijojnë negociatat teknike për programin bërthamor, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike, pavarësisht tensioneve të larta dhe rifillimit të sulmeve të ndërsjella mes dy vendeve. Një zyrtar amerikan deklaroi për CNN se Uashingtoni mbetet i angazhuar për gjetjen e një marrëveshjeje përmes dialogut. “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje dhe diskutimet teknike po vazhdojnë”, tha zyrtari amerikan.

Ai theksoi se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i pandryshuar: Irani nuk duhet të ketë mundësi të zhvillojë armë bërthamore.

“Irani nuk do të zotërojë kurrë një armë bërthamore”, u shpreh ai, duke shtuar se çdo marrëveshje e mundshme duhet të bazohet në rezultate konkrete. Sipas zyrtarit amerikan, veprimet e fundit të Iranit kanë penguar arritjen e objektivave të negociatave dhe përbëjnë një dështim të rëndësishëm në proces.

Ai kritikoi gjithashtu sulmet iraniane ndaj anijeve në rajon, duke i cilësuar ato si “akte terrorizmi”. Pavarësisht retorikës së ashpër dhe përplasjeve të vazhdueshme, palët duket se po mbajnë hapur kanalin diplomatik për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm dhe për të kërkuar një zgjidhje mbi çështjen bërthamore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: