Drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erinda Skëndaj, doli kundër vendimit të qeverisë për të bërë ndryshime në Kodin Penal, duke futur dënimin me 15 vite burg për ata që shkelin qëllimisht masat kundër koronavirusit.

Duke folur në një lidhje me “Skype” në emisionin “Real Story”, në News24, Skëndaj u shpreh se në kushtet e emergjencës nuk është e rekomandueshme të bëhen ndryshime në Kodin Penal, pasi nuk ka kohë të mjaftueshme për të bërë studimin e modeleve, apo për të marrë mendimin e ekspertëve.

Nga ana tjetër, i ftuar në studio analisti Skënder Minxhozi tha se bota moderne nuk e ka njohur kurrë një situatë të tillë dhe për pasojë lejohen reflektime edhe në Kodin Penal.

Pjesë nga diskutimet:

Skëndaj: Në kushtet e kësaj emergjence nuk është e rekomandueshme të bëhen ndryshime në Kodin Penal. Në një vend demokratik të bësh ndryshime në Kodin Penal do kohë të mjaftueshme, do parë me pikë e presje çdo gjë. Ju rikujtoj rastin e Bilal Hasanit, që u vetëvra në burg, dhe ishte dënuar për vjedhjen e një portofoli. Që të ndryshosh Kodin Penal nuk mjafton vetëm elementi që duhet të kemi më shumë rreptësi për zbatimin e ligjit.

Ne nuk kemi ende një studim sa përqind e njerëzve kanë thyer karantinnë, sa prej tyre janë dënuar administrativisht, sa jën mbartës të koronavirusit. Në kushtet kur nuk kemi të dhëna, nuk mund të bëhen këto ndryshime. Nuk mund të marrësh modele të Holandës apo Italisë dhe ta adoptosh në vendin tënd, duhet të kesh të paktën disa modele të studiuara.

Minxhozi: A nuk gjenden të gjitha demokracitë në të njëjtën shtrëngesë kohore? Pra, a nuk po improvizojnë të gjithë nga pak? Duhet ta pranojmë që kjo është një situatë historikisht unikale. Unë mendoj se është e saktë të thuhet që bota moderne nuk e ka njohur kurrë këtë lloj situate. Për këtë arsye duhet të ketë një reflektim edhe te problemet ligjore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb