Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) Rezana Vrapi, nëpërmjet një video-mesazhi ka informuar këtë herë maturantët në lidhje me “Këndin e Maturantit”, në të cilin do të afishohen të gjitha ndryshimet që vijnë në Maturën Shtetërore 2020.

Sipas znj. Vrapi, maturantët mund të informohen jo vetëm në faqen zyrtare të QSHA dhe MASR, por gjithashtu edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në “Këndin e Maturantit”, i cili do të jetë i pranishëm në çdo shkollë në Shqipëri.

Meqenëse këtë vit Matura Shtetërore po shoqërohet me disa ndryshime të kushtëzuara nga situata e pandemisë, QSHA dhe MASR po përgatisin një udhëzues mbi mënyrën e testimit në maturën shtetërore.

“Në datën 18 maj, kur maturantët do të rikthehen në shkollë, në “Këndin e Maturantit” do të jetë e afishuar e gjithë procedura e maturës shtetërore.”- thotë Vrapi.

Aty nxënësit do të mund të gjejnë detajet jo vetëm në lidhje me testet, por edhe në lidhje me fletë-përgjigjen dhe çdo element tjetër që lehtëson procesin e provimeve në Maturën Shtetërore.

“Mbetet detyrë e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave, patjetër edhe vetë maturantëve që ta marrin këtë informacion” – nënvizon në fund Drejtoresha e QSHA-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb