Drew Barrymore foli sinqerisht për jetën e saj personale në “The Drew Barrymore Show”, duke zbuluar se divorci nga Will Kopelman pati një ndikim të madh në familjen e saj dhe se iu desh shumë kohë për ta kapërcyer atë. E rritur në një mjedis familjar jo tradicional, aktorja dëshironte që fëmijët e saj të rriteshin në një familje të qëndrueshme, një ëndërr që, siç pranoi, nuk arriti ta realizonte.

“Të gjithë fëmijët në shkollë shkonin në zyrë për të telefonuar prindërit e tyre kur ishin të sëmurë, dhe unë nuk gjeja askënd. Isha kaq xheloze,” rrëfeu ajo. Më pas, Barrymore shtoi se “divorci pati një ndikim shkatërrues në familjen e saj” dhe theksoi: “Na u desh shumë kohë që të shëroheshim nga ndarja.”

Aktorja u bë nënë për herë të parë në vitin 2012 me lindjen e vajzës së saj, Olive dhe dy vjet më vonë solli në jetë vajzën e dytë, Frankie. Në vitin 2016, ajo dhe Kopelman u divorcuan, por pavarësisht vështirësive, ruajtën një marrëdhënie të mirë, duke vënë në prioritet fëmijët e tyre. “Ligjërisht jemi të ndarë, por kjo nuk do të thotë se pushojmë së qeni familje,” deklaruan ata së bashku kur njoftuan ndarjen.

Sot, marrëdhënia e tyre është më e mirë se kurrë. Në vitin 2023, Drew Barrymore zbuloi se ata komunikojnë çdo ditë. Ndërkohë, Will Kopelman u martua me Alexandra Mickler në vitin 2021 dhe në qershor të vitit 2023, ata u bënë prindër të një djali.

Nga ana tjetër, Drew Barrymore zbuloi në një blog të vitit 2022 se nuk kishte qenë në një lidhje romantike që nga divorci dhe se nuk ndiente “nevojë për seks”. Megjithatë, në vitin 2023, ajo pranoi se kishte tre vjet që po dilte me dikë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb