Një 23-vjeçar në Fier është futur në telashe me policinë , pasi bënte manovra të rrezikshme në një rrethrrotullim.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet N. X., i cili është gjobitur me 60 000 lekë. Ndërkohë rezultonte se drejtuesi i automjetit ishte i papajisur me siguracion.

NJOFTIMI I POLICISE
Kreu manovra të rrezikshme (drift) me automjet, në rotondo, ndëshkohet me masë administrative 60 000 lekë, drejtuesi i automjetit të papajisur me siguracion.

Pas publikimit të një video-je në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti, duke kryer manovra të rrezikshme (drift) me automjet, në vendin e quajtur “Rotondo e stacionit të autobusave”, Patos, dhe për pasojë, rrezikoi veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, shërbimet e Policisë Rrugore Fier kanë bërë të mundur lokalizimin e automjetit që shfaqej në video, si dhe kapjen e drejtuesit të tij, shtetasit N. X., 23 vjeç.

Për kundërvajtjen e kryer, konkretisht për shkelje të nenit 139, pika 1, pika 3 dhe të nenit 191 të Kodit Rrugor, ndaj shtetasit N. X. u vendos masa administrative 60 000 lekë të rinj.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e sigurisë rrugore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: