Skuadra e Dritës ka bërë një hap shumë të madh drejt mbrojtjes së titullit kampion, pasi ka shënuar fitore minimale ndaj Prishtinës së Re, me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar në fushën me bari sintetik në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në kuadër të xhiros së 32-të në Albi Mall Superligë.

Golin e vetëm të takimit e realizoi Besnik Krasniqi nga penalltia, në minutën e 40-të, pasi më herët Kristal Abazaj u pengua në zonë. Kontribut të rëndësishëm në këtë fitore pati edhe portieri Faton Maloku, i cili u dallua me disa pritje vendimtare.

Pas kësaj fitoreje, Drita kryeson renditjen me 63 pikë, tetë më shumë se Ballkani, që ka një ndeshje më pak, duke u afruar ndjeshëm drejt titullit kampion. Në anën tjetër, Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 28 pikë, duke vështirësuar dukshëm gjasat për mbijetesë.

Ndërkohë, një ndeshje tejet dramatike u zhvillua po ashtu në Hajvali, por në stadiumin me bari natyral, ku Malisheva triumfoi ndaj Prishtinës me rezultat 1:0, falë një goli të shënuar në minutën e pestë të kohës shtesë.

Hero i kësaj përballjeje ishte Altin Aliu, i cili përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe realizoi me kokë në portën e zbrazët, pas një ndërhyrjeje paraprake të portierit Altin Gjokaj.

Ndeshja ishte e baraspeshuar dhe me raste të shumta për të dyja skuadrat, të cilat gjatë takimit goditën edhe shtyllën. Takimi u karakterizua edhe nga tensioni në minutat e fundit, ku të dyja ekipet mbetën me nga një lojtar më pak në fushë. Gjorgje Shaletiq u përjashtua te Prishtina në minutën e 77-të, ndërsa Etnik Brruti te Malisheva në minutën e 92-të pas kartonit të dytë të verdhë.

Me këtë fitore, Malisheva forcon pozitën e tretë në tabelë me 52 pikë, ndërsa Prishtina mbetet prapa me shtatë pikë më pak.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb