Nga: ERMELINDA HOXHAJ*TIRANE-Përdorimi i drogës në vendin tonë është një problem shumë serioz. Sipas të dhënave të shërbimit të Toksikologjisë në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, numri i pacientëve intravenozë është në rritje; deri më tani këta përdorues përbëjnë 60% të totalit të përdoruesve. Gjatë një viti regjistrohen rreth 250 overdoza dhe gati 10 persona humbasin jetën nga overdoza. Këto të dhëna janë bërë publike ditën e djeshme, më 26 qershor, pasi njihet si Dita Botërore e Luftës ndaj Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit Ilegal të Tyre. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë specialistë të Institutit të Shëndetit publik dhe specialistë të Shërbimit të Toksikologjisë në QSUT.

Studimi
Sipas një studimi të fundit të kryer në vitin 2014, në vendin tonë prevalenca e përdorimit të drogave ilegale përgjatë gjithë jetës për grupmoshën 15-64 vjeç është kanabisi (11.6%), kokaina (4.7%), ekstasi 1%, heroina (0.7%), amfetaminat (0.4%) dhe LSD (0.1%). Ky studim tregon se të rinjtë e moshës 15-34 vjeç janë përdoruesit më të shumtë të drogave ilegale në vendin tonë. Po ashtu, sipas studimit, numri i përdorimit të substancave ilegale tek adultët në vendin tonë, është 8 deri në 10 herë më e lartë te meshkujt sesa te femrat. Por sipas të dhënave statistikore të shefit të pavijonit të Toksikologjisë, Zihni Sulaj, këto vitet e fundit është shtuar shumë numri i përdoruesve të kokainës. “Në shërbimin e Toksikologjisë u paraqitën 6 mijë e ca raste përdoruesish problematikë, të drogave të forta, atyre me injeksion dhe të kokainës. Kjo shifër prezanton vetëm 15 për qind të atyre që kanë arritur në shërbimet mjekësore, që do të thotë se këtë shifër duhet ta shumëzojmë me pjesën e ngelur. Ndërkohë kemi një rritje të përdoruesve të kokainës, nga 4 për qind që ka qenë para pak vitesh në 15 për qind”, – ka deklaruar Zihni Sulaj, shefi i shërbimit të Toksikologjisë.

Në shërbimin e Toksikologjisë shtrohen çdo vit 400 vetë, rreth 1.600 të tjerë paraqiten në Urgjencë dhe rreth 250 persona në vit bëjnë overdozë. Ky shqetësim është ngritur edhe nga specialisti i ISHP-së Alban Ylli, sipas të cilit, nëse dikur ka qenë problem kanabisi, tashmë në shqetësim janë kthyer dhe drogat e forta. “Rreth 200 mijë shqiptarë kanë eksperimentuar kanabisin, rreth 10 deri në 20 mijë kokainën dhe 6 mijë apo 7 mijë janë përdorues problematikë, që vuajnë dhe kanë vartësi. Duhet të merremi më shumë me kanabisin, me kokainën, ndërsa heroina ngelet problem serioz, me një fuqi të madhe vartësie dhe dëmtim serioz për shëndetin”, – ka deklaruar specialisti Alban Ylli. Për herë të parë, Shqipëria ka një studim shkencor në lidhje me drogën dhe në bazë të tij, rreth 76% e shqiptarëve janë kundër legalizimit të kanabisit në Shqipëri. Shqetësimi kryesor janë trafikantët e shtuar të drogës, të cilët shpesh kapen pranë shkollave të mesme.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb