Policia e Lezhës vijon kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë një aksioni në Mirditë, policia ka goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, duke vënë në pranga një person dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë e municion luftarak.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Mirditë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Arrëz, Njësia Administrative Kaçinar, Mirditë, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi Nikoll Ndreca, banues në fshatin Kaçinar, Mirditë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb