KRUJA

Dy dronë dhe 100 policë janë angazhuar për të zbuluar sipërfaqet e mbjellura me kanabis në Krujë.

Nga rezultatet e arritura, janë proceduar penalisht një kryetar njësie administrative, saktësisht i  Cudhit dhe 6 kryepleq të fshatrave ku u gjetën rrënjë kanabisi.

U gjetën bimë kanabisi të kultivuara në fshatrat Shkretë, Bruz Mal, Bruz Zall, Kroi i Madh, Rranxë dhe Cudhi Zall.

STATUSI NGA POLICIA

Vijojnë kontrollet e territorit nga toka dhe ajri, me dronë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit.

Procedohen penalisht kryetari i Njësisë Administrative Cudhi dhe 6 kryepleq të fshatrave në Krujë.

Gjatë kontrollit të territorit më këmbë dhe dronë janë angazhuar rreth 100 forca policie dhe janë përdorur 2 dronë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës dhe forcat e FNSH-së, në vijim të kontrollit masiv të territorit, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në qytetin e Krujës, kanë konstatuar disa ambiente ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në fshatrat Shkretë, Bruz Mal, Bruz Zall, Kroi i Madh, Rranxë dhe Cudhi Zall.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit O. K., 59 vjeç, me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Cudhi, A. P., 64 vjeç, S. S., 69 vjeç, M. H., 54 vjeç, S. V., 70 vjeç, A. B., 51 vjeç dhe Xh. Xh., 51 vjeç, me detyrë kryepleq të fshatrave ku u gjetën të kultivuara bimët narkotike cannabis sativa.

Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë, për të kontrolluar dhe zonat më të largëta, duke përdorur dhe flotën e dronëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: