Raportimet për dronë rusë që kanë hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë të premten, kanë ngritur shqetësime të reja mbi sigurinë në krahun lindor të NATO-s, në një kohë tensionesh të larta në rajon.
Analisti Misha Pumo, në një lidhje direkte në “News24 Fundjavë” ka sugjeruar se incidenti mund të mos ketë qenë një sulm i qëllimshëm, por rezultat i një devijimi teknik të dronit, i shkaktuar nga ndërhyrje në sistemet e tij të navigimit. Sipas tij, droni mund të jetë çorientuar nga ndërhyrjet elektromagnetike dhe kundërajrore në zonë, duke humbur objektivin fillestar.
“Ka të dhëna që droni mund të ketë humbur kontrollin nga çorientimi i sistemeve kundërajrore të Ukrainës. Por edhe Putini dhe Ministria e Jashtme ruse kanë refuzuar varianti që Moska ka goditur qëllimisht Rumaninë. Vetë Putini ka thënë që nuk ka asnjë provë që është dërguar nga Rusia.
Mendoj që gjithçka ka ndodhur për shkak të një devijimi teknik i dronit që është shkëputur nga qëllimi fillestar nën ndikimin e valëve elektromagnetike. Aq më tepër që shënjestër nuk ka qenë një objektiv strategjik që do t’ia vlente “telashet’ e shkaktuara”, tha ai.
