Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati e ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 komentoi vendimin e opozitës për të djegur mandatet. Sipas saj publikimet e përgjimeve ku përmendet edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako janë përdorur si alibi.

“Kjo është një nga ato arsyet që të justifikojnë një veprim ekstrem. Ata e kanë bërë analizën që nuk e fitojnë dot pushtetin përmes zgjedhjeve të lira. Duan marrëveshje për pushtet në tavolinë. Në 18 maj të njëjtën gjë bënë, morën 5 ministra e drejtorë. Arritën diçka atëherë dhe mendojnë se mund t’ja arrijnë sërish”,- shtoi ajo.

Sa për lënien e mandateve të opozitës, Ferhati u shpreh: “Pavarësisht se unë e shikoj si një vendim të pamatur, unë shqetësohem për precedentin që po krijohet. Dorëzimi i mandateve në grup është në fakt një cënim që i bëhet parimeve të demokracisë. Neni 70 i Kushtetutës e thotë shumë qartë se deputeti përfaqëson popullin dhe nuk është i lidhur me asnjë mandat detyrues. Do thoni ju çfarë është mandati detyrues? Mandati detyrues është që unë Klodita Ferhati pavarësisht se më kanë zgjedhur, pra votat unë i kam në një farë mënyre të marra në një njësi administative le të themi në Bashkinë e Tiranës, në momentin që unë jam betuar, jam betuar në emër të popullit dhe nuk mundem që gjatë ushtrimit të detyrës sime t’i bindem interesit të grupit që më ka votuar qoftë një grup lobist, qoftë ky partia e cila në bazë të një vullneti kolektiv merr vendime. Në qoftë se këto vendime, cënojnë në një farë mënyre interesin publik, këto vendime lidhen me atë që konsiderohet mandat detyrues. Deputeti pra, nuk është i lirë të vendosë për interesin e të gjithë popullit. Duhet t’i shërbesh interesave të të gjithë kombit nuk je i detyruar të ndjekësh një vendimmarrje të caktuar aq më tepër kolektive, sepse mandati detyrues bie ndesh me parimet e demokracisë dhe kjo është e parashikuar shumë qartë në një vendim të Komsionit të Venecias ne vitin 2009.”,- tha Ferhati ndër të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb