Vijon mes debatesh mbledhja e Këshillit të Mandateve, që po shqyrton kërkesën e PD për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës, që sipas kësaj force politike, po shfrytëzon për veprimtari fitimprurëse pronën shtetërore.

Palët në këshill janë përplasur, teksa anëtarët e PD insistojnë që Xhaçka ka fituar nga prona bregdetare, por për socialistët kërkesa e demokratëve është e pabazuar në fakte e prova dhe se nuk është e vërtetë që Xhaçka ka fituar.

Pjesë nga debatet:
Bardhi: Nuk besoj se vuan nga shikimi, mbaje shënim fjalinë, që “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fituese nga pasuri e shtetit”. Unë ju lexova vendimin, që mbanë firmën e Ramës, dhe që i kalon për 30 vite pronën e bregdetit për përdorim bashkëshortit të ministres. Në këtë kuptim, deputetja Xhacka ka përfituar 50% të pronës. Pronën nuk e zhdukim dot, as e fusim dot në xhep, as e shpëlajmë dot, edhe pse është afër me ujin e detit. Për të shkuar më tej, për të shmangur sa lekë fitoi, jo vendimi nr.7 që citoni ju, sepse ai vendim që iu kanë vënë përpara nuk ka lidhje me një rast konkret, mjafton fakti që deputeti ka fituar me pasuri shtetërore, ai është brenda fushës së ndalimit. Madje, që mos të qeshë zonja Ferhati, ligji i konfliktit të interesit është i qartë. Ju duhet të ishit të alarmuar se si një deputet injoron ligjin. Ministrit i ndalohet në mënyrë kategorike të përdorë pronën shtetërore. Ndalimi është absolut. Ky është ligji, kjo është Kushtetuta.

Bushka: Heq dorë nga pyetjet, se e kuptoj nga përgjigjet që do tirret një histori e trilluar, që nuk është në kompetencë të këtij këshilli. Në rastin konkret, sipas provave që keni sjellë ju, deputeti nuk rezulton të ketë pasuri publike në përdorim, nuk rezulton të bëjë aktivitet mbi këtë pasuri publike deputeti. Ju nuk mund të bëni këtu, dhe e di që ju e dini që jeni gabim, që t’i referoheni në mënyrë të gabuar çështjeve të tjera, dhe jo atyre për të cilat ky këshill është mbledhur. Më thoni se ku zonja Xhaçka ka pasuri të shtetit dhe ku ajo fiton pasuri të shtetit? Dhe jo vetëm që Kushtetuta e parasheh këtë gjë, por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, se ju e dini shumë mirë dhe nuk e keni të sinqertë këtë kërkesë, që po e keqinterpretoni, që thotë se “kur vetë deputeti kryen veprimtari fitimprurëse nga pasuria e shtetit”. Ky është vendimi i vetëm që do na vinte neve në lëvizje. Ju më nxirrni mua një hartë. Çfarë është ajo harta? Në dokumentet e paraqitura prej jush nuk rezulton askund Olta Xhaçka.

Nuk keni as atributet e Kushtetutës. Unë qesha, sepse ju z. Bardhi e dini këtë që po them unë. Ju e keni bërë këtë kërkesë të sforcuar dhe e bëni konfliktin e interesit si një thes të madh, sepse e thënë kështu siç e thoni ju, nuk do qeshja unë, por do qeshnin të gjithë konsinstitucionalistët në vend. E keni kërkesën abuzive dhe e dini. Me thënë të drejtën, do duhet të jemi të qartë për një gjë, unë nuk po merrem fare me retorikën tuaj politike, në Këshillin e Mandateve ne i rrimë rigoroz rregullores. Debatet që i konsideroj të stisura nuk i takojnë këtij këshilli, mund t’i takojnë foltoreve të partive, por ky këshill sheh vetëm këto elementë që unë trajtova. Për sa kohë ky këshill nuk ka kompetencë për të vendosur, nuk mund të flasim këtu. Unë bëj pyetje, ju e zgjasni dhe e trilloni, sepse nuk keni përgjigje që të justifikojë atë që ju flisni. Meqë e shoh që nuk jeni lodhur dhe na keni sjellë vetëm një hartë, do ishte e udhës që gjitha këto pikëpyetje që ngrihen, t’i njoftohet Xhaçkës që të vijë, dhe pastaj zgjedh vetëm ajo nëse do të vijë apo jo.

Bardhi: E dëgjova me vëmendje Ferhatin, na tha që pasuria e burrit nuk është e gruas. Unë të kam cituar nenet e Kushtetutës. E ka lidhur Gjykata Kushtetuese, s’ka lidhje ta lidhim unë e ti. Ajo shoqëri konsiston sikur të jetë e regjistruar në emrin e vet zyrtarit, pra deputetit. Ligji ka parashikuar edhe mënyrën bazë të trajtimit dhe zgjidhjes së interesit. Ndryshe nga ato në hava që na thatë, po iu citoj vendimin se “Është detyrë e deputet, që të marrë masat e duhura për të plotësuar të dhënat jo vetëm për vete, por edhe për familjarët”. Në deklaratë ministrja ka përmbushur detyrimet që ka në lidh. Një pjesë e juaja i keni qenë dhe në dasmë. Taulant ti i ke qenë në dasmë. Nëse ke qenë, e di që pasuritë i kanë të përbashkëta. Ligjet janë publike dhe janë të detyrueshme për zbatim. S’kemi asnjë kompetencë as këshilli, as Kuvendi, por kemi vetëm një detyrim që siç është mocioni, bashkë me provat, me vendim të seancës pas mbledhjes së këtij këshilli, t’ia përcjellim çështjen Gjykatës Kushtetuese. Pastaj, që lekët i fut në xhep, por gjysmën ja jep gruas, por kjo nuk figuron, është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb