TIRANË

Një thirrje e hapur për SPAK për të hetuar në qytetin e Fierit lidhjet e botës së krimit të organizuar me institucionet publike.

Ish-zëvendës ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, i cili hyn në shtator në parlament si deputet i PS ka deklaruar sot se duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike në Fier dhe se protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës fitojnë tendera publikë.

Ndonëse nuk përmend emra, ai kërkon ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese që qyteti të mos i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.

STATUSI I PLOTË
Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji.

Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.

Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike.

Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit.

Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona.

Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.

Petro Koci
Petro Koci

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb