Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka folur sot për reformën zgjedhore duke sugjeruar bashkëpunimin dhe uljen në tavolinë të palëve pa pasur nevojë për ndërhyrje nga jashtë.

Ajo tha se raporti i ODIHR-it i cili u publikua pas zgjedhjeve në prill vitin e kaluar, doli me rekomandime shumë të qarta, ashtu si edhe raportet mbi zgjedhjet përpara tyre. “Prandaj ne do donim t’i shihnim të gjithë, udhëheqësit politikë dhe deputetët që të veprojnë mbi këto rekomandime”, tha Yuri Kim.

Ajo theksoi se duhen masa që sjellin transparencë më të madhe në sistem.

Blendi Fevziu:  Po ju pyes gjithashtu edhe mbi dy probleme. Janë problem i ligjit zgjedhor dhe problemi i reformës zgjedhore. A keni koment mbi këto të dyja?

Ambasadorja Kim: Raporti i ODIHR-it i cili u publikua pas zgjedhjeve në prill vitin e kaluar, doli me rekomandime shumë të qarta, ashtu si edhe raportet mbi zgjedhjet përpara tyre. Prandaj ne do donim t’i shihnim të gjithë, udhëheqësit politikë dhe deputetët që të veprojnë mbi këto rekomandime.

Blendi Fevziu:  Çfarë mund të bëjmë mbi to, Zonja Ambasadore, kemi pasur gjithnjë probleme në 30 vjet. Një palë nuk pranon zgjedhjet, më së shumti, ndonjëherë po, por më së shumti nuk i pranojnë. Çfarë mund të bëjmë që të votojmë dhe të kemi besim në votë?

Ambasadorja Kim: Së pari, mendoj se kjo lidhet me problemin fillestar për të cilin folëm, mbi përpjekjet e Rusisë për të minuar demokracinë. Prandaj, ju duhet të merrni masa që sjellin transparencë më të madhe në sistem. Pjesa tjetër është kjo:  pas 31 vitesh, ka ardhur koha që të jemi më të pjekur në mënyrën sesi sillemi me njëri-tjetrin. Po ju jap një shembull. Amerika…

Blendi Fevziu: Por kjo është çmenduri, pas 31 vitesh, gjithnjë…

Ambasadorja Kim: Kërkon kohë…

Blendi Fevziu: Gjithnjë njëra anë nuk pranon…

Ambasadorja Kim: Pra, kemi… Shqipëria nuk është e vetmja.

Blendi Fevziu: Ndodh vetëm me ne, jo në Maqedoni, jo në Kosovë, jo në vendet e tjera.

Ambasadorja Kim: Mendoj se njerëzit si juve, kanë gjithashtu përgjegjësi, për të edukuar publikun dhe për t’u treguar atyre se kjo nuk është mënyra se si Shqipëria duhet të jetë e veçantë. Në zgjedhjet këtu, disa herë ka pasur probleme.  E kuptoj se ka pasur probleme në 1996, për shembull, por më së shumti, zgjedhjet e vitit të kaluar u konfirmuan nga ODIHR-i si të besueshme. Pra është koha të pranojmë se kur zgjedhjet mbahen duke zbatuar të gjitha standardet ndërkombëtare, rezultatet duhen respektuar.

Përtej zgjedhjeve në sjelljen e politikës, është shumë e rëndësishme për drejtuesit politikë, pavarësisht përkatësisë partiake, që të jenë të aftë të flasin me njëri-tjetrin dhe që të arrijnë marrëveshje të cilat janë në interesin publik. Përse e them këtë? Mendoj se në intervistën tonë të parë Blendi, ne folëm mbi habinë time kur erdha këtu dhe zbulova se fjala kompromis ishte një fjalë e pistë në Shqipëri dhe në botën politike këtu. Dhe nuk duhet të jetë ashtu. Dikush që i përket një partie tjetër, apo ka një këndvështrim të ndryshëm, mund të jetë kundërshtari yt në atë çështje, por nuk janë armiqtë tuaj.

Blendi Fevziu: Po, një armik, ky është…

Ambasadorja Kim: Duhet të jeni në gjendje që të uleni dhe të arrini në një marrëveshje. Ju e mbani mend që ka pasur aq shumë periudha në historinë moderne të Shqipërisë ku një palë thjesht vendos: nuk do të flas me palën tjetër dhe largohen. E di kush humbet në fund?

Blendi Fevziu: Po, absolutisht.

Ambasadorja Kim: Janë njerëzit.

Blendi Fevziu: Kjo është 100% e vërtetë.

Ambasadorja Kim: Janë njerëzit që humbasin, dhe nuk duhet që udhëheqësit politikë shqiptarë të kenë nevojë për dikë nga jashtë, përfshirë edhe ambasadoren amerikane, ju nuk duhet të keni nevojë për dikë nga jashtë për t’ju ulur në të njëjtën tavolinë, në mënyrë që të flisni për të mirën e popullit shqiptar. Kur partitë flasin, nuk do të thotë se njëra palë është blerë nga pala tjetër. Nuk do të thotë se njëra palë është peng dhe tjetra është pengmarrëse. Nuk do të thotë se ka ndonjë komplot të çmendur. Do të thotë se këta janë drejtues politikë, të cilët janë të pjekur, dhe të cilët bëhen bashkë me qëllimin për t’i shërbyer publikut shqiptar që i ka zgjedhur në atë detyrë. Këtë do të thotë.

Blendi Fevziu: Jam plotësisht dakord.

Ambasadorja Kim: E shihni situatën në Uashington, apo jo? Udhëheqësit tanë politikë kanë shumë, shumë mosmarrëveshje të forta. Por janë civilë me njëri-tjetrin, ata ulen pranë njëri-tjetrit. Dhe askush nuk thotë, për shembull, Nensi Pelosi bleu Kevin Mekarthin. Nuk ndodh kështu. Jo në demokraci. Dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të ndodhë.

Blendi Fevziu: Por ju keni 250 vjet demokraci. Ne kemi vetëm 30.

Ambasadorja Kim: Kjo është e vërtetë.

Blendi Fevziu: Dhe në anën tjetër, duke u kthyer në pyetjen e parë që bëra, problem tek financimi i paligjshëm, blerja e votave, duhet të ndërpresim edhe këto praktika.

Ambasadorja Kim: Drejtë.

Blendi Fevziu: Të cilat janë shumë popullore gjatë zgjedhjeve.

Ambasadorja Kim: Po, jam dakord me juve…

Blendi Fevziu: Dhe dy pyetje të fundit. Së pari, si kanë qenë aktivitetet për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike? Jeni e kënaqur?

Ambasadorja Kim: Jam e ngazëllyer nga çfarë kemi pasur mundësinë të bëjmë. Bëmë aktivitete si, një koncert i madh në sheshin Skenderbej. Kemi pasur konferenca. Mbajtëm një konferencë akademike këtë javë. Një tjetër e mbajtëm javën e kaluar. Gjithashtu morëm pjesë në një të tillë javën e kaluar. Organizata të tjera kanë mbajtur aktivitetet e tyre. Dhe kjo ka qenë fantastike. Por e di kush është e preferuara ime?

Blendi Fevziu: Cila është e preferuara juaj?

Ambasadorja Kim: Më pëlqeu shumë autobusi ynë. Nuk e di nëse e patë që morëm një autobus.

Blendi Fevziu: Jo nuk e kam parë.

Ambasadorja Kim: …dhe vizituam vendin si një Kënd lëvizës Amerikan. Shkuam në Koplik.

Blendi Fevziu: Po.

Ambasadorja Kim: Dhe e dini, ishte shumë bukur të takoheshim me njërëz të cilët nuk i kishim takuar më parë. Dhe të shkonim në vende ku nuk ka një Kënd Amerikan apo një Ambasadë Amerikane, dhe t’u thonim njerëzve se Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan ju duan, se e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe se donim të festonim me ta. Kjo ishte vërtet argëtuese. Shumë argëtuese.

Blendi Fevziu: Dhe ju patët gjithashtu edhe një mesazh nga Presidenti Biden mbi marrëdhëniet dhe një mesazh nga ish-Presidenti Bush.

Ambasadorja Kim: Këtë dua të them kur flas për marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës, për ne shkon përtej partive politike. Pa dyshim. Presidenti Biden, një demokrat regjistroi një mesazh në video. Jam e sigurt se do të kishte ardhur këtu nëse do të kishte mundësi, por donte të bënte më të mirën e mundshme, që ishte një video mesazh. Dhe më pas, Presidenti Xhorxh Bush, i cili vizitoi Shqipërinë…

Blendi Fevziu: Një ish-republikan…

Ambasadorja Kim: Një republikan nisi mesazhin e tij për të shprehur dashurinë dhe urimet e tij. Kjo është diçka që na bashkon në Uashington. Mendoj se është diçka që bashkon të gjithë shqiptarët gjithashtu, pavarësisht partisë politike, pavarësisht nëse janë nga Tropoja apo Saranda, pavarësisht nëse janë të moshuar apo të rinj. Mendoj se ka diçka vërtetë të veçantë dhe unike në marrëdhënien midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë që na bashkon të gjithëve. Dhe për mua kjo është shumë e vyer.

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, për sa kohë do të vazhdojë mandati juaj në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Nuk e di. Unë shërbej nën vendimin e Presidentit. Zakonisht, ne shërbejmë për tre apo katër vite…

Blendi Fevziu: Po…

Ambasadorja Kim: …por do të shohim.

Blendi Fevziu: Dhe cili do të jetë destinacioni juaj i ardhshëm. Flas për vendin që doni, jo për atë ku do t’ju dërgojë Departamenti i Shtetit. Cilin vend doni?

Ambasadorja Kim: Si mund të mendoj për vend tjetër kur jam në Shqipëri?

Blendi Fevziu: Jeni Akoma këtu.

Ambasadorja Kim: Jam 100% këtu.

Blendi Fevziu: Faleminderit për intervistën sonte dhe shpresoj se do të jeni sërish në studio. Shumë faleminderit.

Ambasadorja Kim: Faleminderit ty, është gjithnjë kënaqësi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb