Akademiku Artan Fuga ka ironizuar me deklaratat e Edi Ramës për Portin e ri të Durrësit që pritet të ndërtohet nga investitorët e Emirateve të Bashkuara.

Ai thotë se dëgjoi nga kryeministri që duan ta bëjnë Portin e Durrësit nga më të mëdhenjtë në Mesdhe, por jo gjithmonë madhësia për akademikun është e mirë.

Sipas tij Shqipërisë i duhen gjëra të vogla, hipermoderne duke ndjekur shembullin e Holandës, Danimarkës apo Belgjikës.

Madje Fuga kërkon një debat mes krerëve të politikës, pasi sipas tij nga këto plane e deklarata për Durrësin po dridhet edhe Torra, duke ironizuar se është edhe zonë tërmetesh.

 

STATUSI NGA ARTAN FUGA

Durrësi si Dubai ?

Dëgjova që porti i Durrësit kanë projekt ta kthejnë më të madhin në Mesdhe. Investime nga ata që kanë bërë gjërat më të mëdha të kësaj bote. Si porti i Dubait!

Po, mirë mo, mirë shumë, me hajër!

Por nuk kuptoj se përse na duhet një gjigandomani e tillë? Se madhësia jo gjithmonë është e mirë më vete! Janë bërë llogaritë kush do hyjë dhe dalë që andej! I madh dhe i thellë për çfarë? Se mos na e kthen gjithë zonën në depo karburantesh, Durrësin në magaze mallrash, dhe zonën Kashar – Tiranë në parking kamionash!

Ne na duhen gjëra të vogla, hipermoderne, për zhvillimin tonë! Pse budallaqe janë Hollanda, Danimarka, Belgjika, etj., që nuk bëhen si Dubai.

Unë e di se çfarë ndodh, por do prisja një debat për këtë çështje mes krerëve të politikës! Të marrim vesh, se po dridhet edhe Torra në Durrës, apo nuk është zona tërmetesh!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb