Dy ngjarje të rënda kriminale kanë tronditur komunën e Gjilanit brenda pak ditësh. Pas vrasjes së dyfishtë të së premtes, një tjetër person humbi jetën mbrëmjen e sotme, duke shtuar shqetësimin për sigurinë në qytet.

Pas ngjarjes së fundit ka reaguar kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën të afërmit e tyre, ndërsa të plagosurve u ka uruar shërim të shpejtë.

Përballë situatës së krijuar, Hyseni ka njoftuar se nesër në mëngjes do të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Në këtë takim pritet të koordinohen hapat e menjëhershëm me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe organet e tjera të rendit dhe të ligjit, me qëllim garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve të ngjashme.

“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional”, ka deklaruar Hyseni, duke u bërë thirrje qytetarëve për maturi, qetësi dhe bashkëpunim me organet e rendit.

Kryetari ka theksuar se komuna do të përdorë të gjitha kompetencat e saj për të bashkëpunuar me institucionet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb