Një këngë nacionaliste serbe kushtuar Kosovës, e interpretuar në aktivitetin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, ka shkaktuar reagime të forta.
Ka qenë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ai që ka reaguar ashpër ndaj interpretimit të këngës “Oj Kosovo, Kosovo”, duke e cilësuar atë si një provokim të qëllimshëm ose shfaqje të pastër të injorancës.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Terras ka kritikuar Komisionin Evropian dhe komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, duke kërkuar një shpjegim për atë që ndodhi në aktivitetin e organizuar në Bruksel.
“Një provokim i qëllimshëm, ose një shfaqje e pastër e injorancës. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila pretendon sovranitet mbi Kosovën, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, përbën një gafë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim”, ka shkruar Terras.
Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes hapëse të edicionit të dytë të Forumit të Zgjerimit të BE-së, ku në program ishte parashikuar performanca e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”.
Mes pjesëve muzikore të interpretuara ishte edhe “Oj Kosovo, Kosovo”, këngë me përmbajtje nacionaliste serbe, e cila pretendon sovranitet mbi Kosovën.
Një tjetër element që ka shtuar polemikat është fakti se Kosova nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë Forum, i cili organizohet nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Forumi ka nisur më 15 nëntor dhe vijon deri më 16 nëntor. Në ditën kryesore të aktivitetit janë parashikuar fjalimet e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Finlandës, Alexander Stubb, si dhe komisioneres Marta Kos. Në aktivitet pritet të flasë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Reagimi i Terras ka rikthyer në vëmendje çështjen e përfaqësimit të Kosovës në aktivitetet e Bashkimit Evropian, ndërsa pritet të shihet nëse Komisioni Evropian do të japë një reagim zyrtar lidhur me interpretimin e këngës.
