DURRES– Dy peshkatarë nga Durrësi rezultojnë të humbur prej më shumë se 24 orësh. Kanë qenë familjarët e tyre që kanë dhënë alarmin duke njoftuar policinë për humbjen e kontakteve me ta. Sipas të afërmeve dy peshkatarët Avni Shahinaj dhe Bekim Maqini, dolën për të peshkuar në zonën e Gjirit të Lalzit por që prej orës 16:00 të së dielës nuk kanë mundur të komunikojnë më me ta, pasi telefonat e tyre nuk funksionojnë.

Ndërkohë gjatë orëve të pasdites, rreth 5 milje larg vendit ku u panë për herë të fundit dy peshkatarët policia ka gjetur të braktisur varkën e tyre. Palombarët, policia kufitare, dy anije të Delta Force, dhe një helikopter po vijojnë operacionin për të lokalizuar dy peshkatarët.
GJENDET VARKA E PESHKATARËVE
Ora 16:40- Policia e Durrësit ka konfirmuar se barka e gjetur në det, 5 milje larg sektorit “Rinia” në Durrës, i përket peshkatarëve të humbur. Kanë qenë familjarët e dy peshkatarëve, të cilët kanë parë nga afër varkën dhe kanë deklaruar se është e dy peshkatarëve.
Ndërkohë operacioni për gjetjen e peshkatarëve vijon nga deti dhe nga ajri, pavarësisht se deri tani nuk ka rezultuar i suksesshëm. Në operacion janë të angazhuar 4 mjete lundruese, dy të ushtrisë, një skaf i policisë kufitare dhe një skaf i palombarëve të RENEA-s.
Në operacion është përfshirë edhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, pas kërkesave të vazhdueshme të familjarëve dhe të të afërmeve, por deri tani nuk është gjetur ndonjë gjurmë nga Avni Shahini 42 vjeç, dhe Betim Maqini 30 vjeç.
Kalimi i orëve dhe afrimi i errësirës nuk është aspak në favor të operacionit për kërkimin e tyre. Zyrtarisht nga policia kufitare bënë me dije se moti është përkeqësuar dhe valëzimi në det ka shkuar deri në 7 ballë, duke penguar lëvizjen e skafeve që po kërkojnë të zhdukurit, ndërsa errësira është gjithashtu në disfavor. Ndërkaq operacionit i janë bashkuar edhe shumë të afërm e shokë të dy peshkatarëve të zhdukur, por që deri tani nuk është bërë i mundur lokalizimi i tyre.
Ora 14:00- Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se operacioni i kërkim-shpëtimit, po vijon pa ndërprerje, bazuar në koordinatat e marra për humbjen e dy peshkatarëve.
“Bazuar në informacionin e marrë nga Qendra e Bashkuar Operacionale e Forcave të Armatosura (QBO) për humbjen e dy peshkatarëve nga fshati Rinia, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, vlerësoi situatën dhe urdhëroi anijen MV-118 me komandant kapiten lejtnant Ervin Mucka për të nisur operacion e kërkim-shpëtimit në rajonin e Gjirit të Lalzit, ku dyshohet për humbjen e dy peshkatarëve. Më pas, në orën 10:10, të datës 5 janar 2015, në ndihmë të këtij operacioni është dërguar edhe anija e Rojes Bregdetare “Iliria”, P-131, me komandant kapiten lejtnant Edison Hoxha, e cila po vazhdon operacionin e kërkim-shpëtimit në të gjithë zonën detare të Gjirit të Lalzit. Të dy anijet e Forcës Detare, në bashkëpunim me anije të Policisë Kufitare vazhdojnë operacionin SAR bazuar në koordinatat e marra për humbjen e dy peshkatarëve. Deri tani, ndonëse kërkimet janë intensifikuar, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret. Komanda e Forcës Detare po ndjek nga afër operacionin e kërkim-shpëtimit, i cili po vijon pa ndërprerje”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Rreth mesditës është gjetur në det një varkë e braktisur, që dyshohet se u përket peshkatarëve të zhdukur.

 

(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: