TIRANË

Ish-deputeti Genc Pollo deklaron se qeveria duhet të kishte pasur një aftësi parashikuese për të marrë masa lehtësuese për karburantin dhe energjinë, më tej pastaj për çmimin e bukës si pasojë e grurit të cilin e prodhon dhe eksporton Ukraina.

Duke folur për zhvillimet botërore dhe ndikimet në Shqipëri në News24, Pollo dha disa propozime.

“Kjo po ndikon sepse çmimi i litrit të naftës ka kapërcyer 2 mijë lekë dhe çdokush e ndjen. Kjo është provokuar nga ngjarjet tragjike në Ukrainë si pasojë e agresionit të Putinit. Një zhvillim jo i papritur, por tmerrësisht i paparashikuar në mizorinë e tij. Ajo që do kishim dashur të kishim parë, ishte një vizion, një aftësi parashikuese të qeverisë për të marrë masa lehtësuese për karburantin dhe energjinë, më tej pastaj për çmimin e bukës si pasojë e grurit të cilin e prodhon dhe eksporton Ukraina.
Kemi taksën Rama, taksa e karburantit, taksa e qarkullimit që quhet zyrtarisht e cila është shumëfishuar nga qeveria Rama në disa vite, 2015-2016, është një taksë abuzive, që rëndon qytetarët dhe heqja e saj do ta çonte deri diku në nivele të pranueshme çmimin e karburantit. Do ishte një propozim i parë. Të ardhurat në buxhet duhen riparë, sepse kur shikojmë që kontrata e inceneratorëve është në tërësi 430 mln nga të cilat janë paguar afro 100 mln, kuptojmë që këto taksa përdoren për gjithë gjërat e tjera, por jo për shërbesat për popullin.
E dyta energjia, ka propozime sot nga dhoma e tregtisë për skemën e operatorëve të energjisë përfshirë energjitë e rinovueshme, e cila nuk është nxitëse për investimet në këtë fushë, në mënyrë që ajo barrë e rëndë që ndiejnë bizneset për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, të kompensohet aq sa është e mundur duke u shpallur ato vetë operatorë dhe duke u hequr kufizimet që nuk janë të arsyeshme ose janë problematike të furnizimit në mënyrë që të paktën atë që investojmë në panele voltaike dhe e marrin falas nga dielli ta konsumojnë vetë si njësi tregtare. Formulat e qeverisë në këtë pikë janë të dështuara, janë problematike dhe meritojnë rishikim. E thënë nga ekspertët, kësaj radhe thuhet dhe nga Dhoma e Tregtisë dhe nga grupime të tjera të biznesit”, tha Pollo.
Ai deklaroi më tej se fatkeqësisht ka një miopi dhe një gjuhë të shëmtuar. “Ky është një shqetësim shumë i madh që do agravohet në semestrin e dytë të këtij viti. Ndaj duhet të rishikohen skemat, taksimi i karburantit dhe skema e energjisë elektrike. Duhet të merren masa. Është miopi, kokëfortësi, paaftësi. ne po përballemi dhe do përballemi me vështirësi të tilla”, u shpreh Pollo.

I pyetur se si e shikon për Perëndimin këtë moment, ai deklaroi se është një moment shumë i keq për Europën, për Perëndimin.
“Shpresoj është moment zgjimi para një realiteti të hidhur të cilin Evropa dhe ne brenda saj nuk kemi dashur ta shikojmë. Ideja e dividendit të paqes që dominoi vitet ‘90 ishte afatshkurtër dhe bota në shembullin e Perëndimit, nën shembullin e demokracisë liberale, nën shembullin e BE-së me normat e veta të harmonizuara nuk do të impresionohej aq shumë sa të adoptonte automatikisht këtë model. Raporti i forcave ekziston, qendra të tjera pushteti nuk duan një regjim demokratik, me të drejta njeriu, me ndarje pushtetesh dhe raportin e forcave që ekziston gjithsesi, nuk duan ta zgjidhin bazuar gjithmonë në normat e ligjit ndërkombëtar, por me dhunë, me dhunë të armatosur dhe gjakderdhje. Putini e mori pushtetin me sa duket me këtë synim. Koncentroi pushtetin e tij, e stabilizoi Rusinë, krijoi të ardhura të pamasa nga shitja në Perëndim kryesisht e gazit dhe të naftës, investoi për ushtrinë, ndërkohë që Europa përkulej nën ëndrrën e dividendit të paqes dhe i çonte paratë në fusha sociale apo fusha të tjera dhe sot ndodhet me ushtri që do duhej të ishin më mirë. Ndërkohë që Rusia ka investuar në sisteme armatimesh shumë të avancuara. Por e mira, pa disfatizëm është që më në fund dhe ata që ishin miopë për arsye ideologjike, për arsye të komfortit, për arsye të një bindjeje iluzive se paqja është diçka permanente. Janë rritur breza në Europë që kanë njohur vetëm mirëqenie dhe paqe dhe mendojnë se kjo është një gjendje natyrore. Është një moment kthese për të parë që raportet e forcave, që Europa dhe Perëndimi nuk duhet të lëshojë, nuk duhet të humbiste Ukrainën që është një popull i orientuar nga Europa”, tha Pollo.

Ai u shpreh më tej se janë përplasur dy realitete.
“Evropa dhe Perëndimi ka bërë shumë për Ukrainën. BE i ofroi në 2014 një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, Putini i bëri presion dhe presidenti i asaj kohe vajti në samitin e BE dhe tha nuk e nënshkruaj marrëveshjen. Populli u ndje i zhgënjyer, u ngrit, patëm revolucionin e Maidanit, që ishte paqësor dhe presidenti ia mbathi për në Rusi. U mbajtën zgjedhje demokratike dhe u vu një President tjetër. Putini e mori këtë për një sfidë personale, e konsideroi një grusht shteti dhe nga ana tjetër Perëndimi, Evropa përkrahën Ukrainën me financa, këshilla. Është një demokraci, ka problemet e veta, por në tërësi është një vend ku populli me votë heq një president biznesmen dhe vë një aktor me votë, i cili mund të ketë bërë gabime, mund të ketë bërë gjëra të mira, por sot ky i dyti Zelensky po tregohet një hero me rezistencën personale që po tregon.
Përballë, matanë lumit dhe matanë detit është një pushtet, një popull me kulturë europiane si Rusia, po të shikojmë literaturën, muzikën, pikturën, por me një mentalitet politik që i afron më shumë Mongolisë, pra me një sistem autoritar ku shtysat demokratike refuzohen. Të paktën deri tani. Sa të jetë Putini në pushtet, Europa dhe Perëndimi do ketë një armik të deklaruar. Këto dy realitete janë konfrontuar dhe Evropa dhe ne po humbasim një vend dhe një popull që ishte i prirur jo vetëm politikisht të drejtohej nga Europa, por edhe për të ndërtuar një sistem të bazuar në të njëjtat vlera. Prandaj kjo është një ditë e trishtuar, përtej tragjedive individuale dhe kolektive të njerëzve të vrarë”, deklaroi Pollo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: