Kreu i grupit parlamentar socialist, Taluant Balla i ka bërë thirrje grupeve të tjera parlamentare që të bëjnë propozimet e tyre për emrin e Presidentit të ri të Republikës.

Ai tha se dy raundet janë të opozitës, ndërsa raundi i 4 dhe i 5 është i shumicës. Balla sqaroi se është i gatshëm të dëgjojë propozime nga të gjitha palët, përjashtuar ato të dhëna nga ish-kryeministri Sali Berisha, që e etiketoi si një “non grata”.

“Kanë mbetur edhe 4 raunde. 2 raunde i takojnë opozitës, 2 raunde i takojnë shumicës. Dy raundet e i takojnë opozitës që të jetë bashkëpunuese dhe na takon edhe ne të jemi shumë më shumë bashkëpunues. Nuk e di nëse do të kthehesha mbrapsht më 28 mars kur kemi filluar procesin. Kemi pasur dëshirën të ulemi si sot, veçmas.

Jemi ulur me zotin Mediu dhe Duka dy herë. Atë që ai tha sot këtu e ka thënë edhe në takimet që kemi pasur pa media. Shumë mirë që jemi të gjitha grupet parlamentare në një sallë. Ua kam thënë gjithmonë, po ua them edhe sot. Të drejtën e propozimit e ka pasur çdo palë. Shembulli që solli zoti Mediu që presidenti i zgjedhur në vitin 2002 e propozoi Bashkimi Liberal Demokrat. E propozoi dhe u bë President. Në këtë aspekt, te ai dokumenti të gjitha palët kanë të drejtë të propozojnë. Të hënën në orën 18:00 kemi raundin e dytë.

Që presidenti të zgjidhet duhet të gëzojë të drejtën e 20 firmave. I keni ju 20 firmat? Sepse e tillë është procedura. Silleni kandidatin, opozita mund të sjellë 3 kandidatë. Ne kemi vendosur një kusht që kandidatë që vijnë nga katrani me bojë nuk pranojmë. Për të tjerët s’ka problem. Këtu këtë gjë ta kemi të qartë, silleni, nëse keni dakordësi dhe përpjekja e lavdërueshme e grupeve parlamentare për të dalë me një kandidat është gjë e mirë. kështu jemi të barabartë. Dy raunde i keni ju, natyrshëm në raundin e 4 dhe të 5…

Ne nuk do të propozojmë kandidatë pa propozuar më parë ju. Ju do të propozoni ne do e mendojmë dhe kemi edhe ne të drejtën e propozimit”, tha Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb