Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre punonjëset e Postës Shqiptare të Durrësit, të akuzuara për shpërdorim detyre dhe vjedhje të parave të pensioneve.
Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata ka bërë vlerësimin e ligjshëm të masës së ndalimit dhe ka vendosur: “Arrest me burg” për Elisabeta Mataj, “Arrest në shtëpi” për Valbona Duni si dhe “Arrest në shtëpi” për Paola Danaj.
Tre punonjëset dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën duke përvetësuar para të pensioneve. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë. Menjëherë pas zbulimit të skandalit, Posta Shqiptare ka marrë masa administrative ndaj punonjësve përgjegjës dhe ka dorëzuar një kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin përkatës. Hetimet e deritanishme ngrejnë dyshime për shpërdorimin e një shume prej 700 mijë eurosh. Por ka dyshime se ky dëm mund të shkojë deri në 3 mln euro.
VENDIMI
1.Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
2.Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personave nën hetim E. M., V. D. dhe P. D.
3.Caktimin ndaj personit nën hetim E. M masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
4.Caktimin ndaj personit nën hetim V. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
5.Caktimin ndaj personit nën hetim P. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
6.Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim V.D. dhe P. D.nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahen të paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
7.Urdhërohet personi nën hetim V. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen Ilira, Plazh, Durrës.
8.Urdhërohet personi nën hetim P. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.13, Durrës.
9.Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
10.Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.
U shpall në Durrës, me datë 18.07.2026
