Sinoptikania Lajda Porja zbuloi në një lidhje me “Skype” për News24 se si do të jetë moti këtë fundjavë, por edhe ditën e hënë, ku shënohet “Dita e të dashuruarve”.

Sinoptokania Porja tha se fundjava pritet të jetë me diell dhe temperatura të larta, kryesisht e shtuna, ndërsa të dielën në mbrëmje priten vranësira e reshje shiu, të cilat do të vijojnë edhe gjatë të hënës.

Sipas Porjes, dita e hënë do të jetë një ditë tipike vjeshte, me atmosferë gri, me vranësira dhe reshje shiu, por jo rrebeshe.

“Ka ndryshuar tabloja termike, ku kemi pasur ndryshim të masave ajrore, të cilat janë zëvendësuar nga masat e ftohta, në masa me diell dhe rritje të ndjeshme temperaturash. Termometri sot regjistron minus 2 gradë, temperatura më e ulët kjo e regjistruar në Peshkopi. Këto janë vlera tipike të shkurtit, ku pritet që termometri të ngjitet deri në 16 gradë. Në Tiranë do të jemi në vlerën e 14-15 gradë.

Fundjava parashikohet të jetë e qëndrueshme, ku dita e shtunë do të ketë më pak vranësira, ndërsa e diela do të ketë më shumë vranësira. Të dielën në mbrëmje do të kemi reshje të pakta, ndërsa të hënën do të kemi shira dhe reshje dëbore në zonat e thella. Dita e hënë do të jetë me vranësira të dendura në të gjithë territorin. Do të ketë reshje në veri-veriperëndim, por edhe Tirana rrezikohet nga shirat.

Pas orës 15:00 do të kemi largim gradual të reshjeve, duke rikthyer sërish motin me diell nga e marta. E hëna do të jetë një ditë tipike si vjeshtë. Do të jetë një atmosferë gri, me shumë vranësira, pak reshje. Nuk priten rrebeshe apo situatë problematike, pasi temperaturat do të vijojnë të jenë të larta. Nuk pritet të ketë një situatë problematike”, u shpreh sinoptikania Porja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb