TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson mjekun 53-vjeçar Anibal Byberaj që humbi jetën mbrëmjen e së dielës nga COVID-19, viktimë të narkoqeverisë. Berisha shkruan në një status në “Facebook” se pas tre dekadash në shërbim të të sëmurëve, dr. Anibalin e lanë edhe pa punë sepse nuk pranoi të bëjë kompromise që i kërkonin balozët e krimit, të cilëve u shërbente si mjek burgu dhe bosët e tyre në narkoqeveri.

Sipas tij, në vend që të shtrohej që ditën e parë në spital, atë e mjekuan me alo-alo në shtëpi.

POSTIMI I PLOTË

Dr. Anibal Byberaj viktime e narkoqeverisë!

Miq, dje u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare, pasi vuajti për dhjetë ditë me radhë në shtëpinë e tij nga Covid-19, mjeku i përkushtuar Dr Anibal Byberaj.

Mjek i apasionuar Dr. Anibali për tre dekada u shërbeu me dashuri, humanizëm dhe përkushtim si mjek i përgjithshëm e më vonë si specialist pneumolog mijëra e mijëra të sëmurëve edhe në zonat më të thella të vendit.

Me këtë rast i shpreh familjes së tij ngushëllimet e mia më të ndjera dhe lutem që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar!

Miq, Dr Anibali është viktima e fundit e narkoqeverisë nga Covid-19. Atë, pas tre dekadash në shërbim të të sëmurëve, e lanë edhe pa punë sepse nuk pranoi të bëjë kompromise që i kërkonin balozët e krimit, të cilëve u shërbente si mjek burgu dhe bosët e tyre në narkoqeveri.

Nuk shkeli betimin e Hipokratit dhe karakterin e tij. Së fundi, pasi i bënë tamponin nuk e hospitalizuan për rreth 10 ditë me radhë ndonëse gjendja nuk përmirësohej dhe e mjekuan në mënyrë të dënueshme me alo-alo në shtëpi ndërkohë që ai duhej shtruar në spital që ditën e parë. Ndrikull Hajnia në komunikatën e saj njoftoi se Dr Anibali vuante nga obeziteti, rrethanë kjo që për çdo mendje të shëndoshë përbënte detyrim për shtrim të menjëhershëm në spital por e lanë gjersa familjaret e sollën vetë në spital.

Dr. Anibali është viktima e fundit e kujdesit shëndetësor kriminal alo-alo të narkoqeverisë aktuale.

Gjatë këtyre muajve janë qindra të sëmurë të tjerë me COVID-19 që kanë ndërruar jetë me protokollin vrasës alo-alo si vizitë e vetme mjekësore.

Duke dënuar me ashpërsi këtë praktikë çnjerëzore të narkoshtetit në trajtimin e të sëmurëve me COVID-19, kërkoj përfundimin e menjëhershëm të saj. sb

Berisha Fb
Berisha Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb