Byron Moreno, arbitri që “fiku” ëndrrën e “azzurrëve” në Botërorin e 2002, ku për 120 minuta u shndërrua në njeriun më të urryer në Itali, është kthyer sërish 20 vite pas në kohë duke analizuar në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, sfidën me Korenë e Jugut.

Në mënyrë të çuditshme ekuadoriani mbron punën e bërë prej tij: “Pas gjithë kësaj kohe ende marr ofendime në rrjetet sociale nga tifozët italian. Personalisht e kam ndërgjegjen e pastër, jam i qetë. Ajo ka qenë një nga tre garat më të mira në karrierën time. Çfarë note do i vendosja vetes? Mendoj 8,5”, theksoi fillimisht Moreno.

Ajo ishte një sfidë e cila prodhoi shumë episode nga përjashtimi i Tottit e deri tek mungesa e një kartoni të kuq për Corea etj, por vetë Moreno ka një tjetër version: “Sun-hon Hwang shkaktoi një faull të rëndë ndaj Zambrotta në minutën e 72-të duke e detyruar të linte fushën, ai i është i vetmi episod që më ka bërë të reflektojë për shumë vite. Nëse do të kthehesha pas në kohë do e ndëshkoja me karton të kuq”.

Në fund Moreno foli dhe për vendimin e FIFA-s: “Nuk kishte asnjë ndëshkim, vendosa vetë të tërhiqesha. Dola nga ajo portë me kokën lart. FIFA në atë kohë hapi një hetim, më pezulluan për një kohë, por në dhjetor të 2002 u shpalla i pafajshëm, e përsëris nuk kam bërë asnjë gabim në sfidën Itali-Kore e Jugut”, theksoi Moreno.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb