Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka bërë thirrje deputetëve dhe drejtuesve politikë që të përmbyllin procesin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Në mbledhjen solemne të Qeverisë së re, Kurti tha se pas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të kabinetit qeveritar, zgjedhja e presidentit është çështja kryesore që mbetet për t’u zgjidhur.

Ai iu referua marrëveshjes politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për kandidatin presidencial, duke shprehur shqetësimin për kundërshtimin e disa deputetëve të LDK-së.

Kurti vlerësoi se Kosova ndodhet pranë një zgjidhjeje dhe paralajmëroi se rikthimi në zgjedhje do të ishte i panevojshëm dhe në dëm të interesit të qytetarëve.

Sipas tij, zgjedhjet e zhvilluara gjatë periudhës së fundit nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha në përbërjen politike të vendit. Për këtë arsye, ai kërkoi që deputetët të marrin përgjegjësinë dhe të sigurojnë zgjedhjen e presidentit.

“Si kryetar i LVV-së dhe si kryeministër, ju bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve: le ta zgjidhim çështjen e presidentit”, tha Kurti.

Ai theksoi gjithashtu se qeveria e re do të ketë si prioritet shërbimin ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e interesit të shtetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb