Nga: AHMET SHQARRI*
Sa më shumë fushata zgjedhjesh, aq më tepër shtohen mashtrimet e atyre burrave që s’e kanë për gjë ta bëjnë kapicë malin e gënjeshtrave. E shikoni besoj se si, edhe këtë herë për zgjedhjet vendore ka plasur gara e zakonshme se kush t’i shtojë më shumë premtimet boshe dhe gënjeshtrat e llojit më të pabesueshëm, që megjithatë gëlltiten njëfarësoj prej turmave që shkojnë sa mbas njërit apo tjetrit kandidat, me tundje flamujsh shumëngjyrësh që veçse e turbullojnë më tepër nga ç’është këtë mjedis, edhe kështu të ndotur prej plehrave të kudogjendur?!
Për ta bërë më qytetare e të kulturuar fushatën përkatëse, si dhe për t’i dhënë asaj ngjyra sa më bashkëkohore, në lojë tani janë futur edhe disa kandidate femra, si për të sfiduar kështu ata burra që deri dje na paskan koritur. Kjo po ngjet në një qytet të madh si Durrësi, por veçanërisht kjo po bën përshtypje sidomos tani në një trevë po kaq të rëndësishme si ajo e Shkodrës, e njohur aq sa për vlerat e saj emancipuese gjatë gjithë historisë sonë, por dhe për ca mbetje të tilla të papërtypshme arkaike dhe prapambetëse, që shpesh ja kanë zënë frymën asaj. Në këtë zonë tejet të nxehtë e problematike, ku pikërisht për këtë fitorja ka qenë gjithnjë e vështirë për t’u arritur, të dyja zonjat kandidate për të zënë vendin e kryetarit të bashkisë, kanë filluar të bëhen edhe më të njohura nëpërmjet fushatës së tyre, që gjithsesi nuk i ka shpëtuar hijes së rëndë të burrave që qëndrojnë mbi to. Ilustrimi më i saktë për këtë është i ashtuquajturi rikonstruksion i stadiumit “Loro Boriçi”, që i nisur me një ceremoni të bujshme në praninë e kryeministrit dhe ca burrave të tjerë, i la krejtësisht në sfond të dyja zonjat që pretendojnë të bëhen të parat e këtij qyteti pas 21 qershorit të ardhshëm. Atë ditë, si në çdo rast tjetër, folën vetëm burrat, duke i përdorur gratë vetëm si zbukurim të një dekori. Burrat ishin ata që edhe i vunë në punë fadromat e buldozerët e prishjes së tribunës së vjetër të stadiumit; ishin ata që ju vërsulën pastaj edhe oborreve e kopshtijeve të familjeve shkodrane që ndodhen aty pranë prej shekujsh, ndërkohë që ato zonjat kandidate-pretendente për të zënë vendin e titullarit të parë të bashkisë, vazhdojnë të qëndrojnë si spektatore ndaj këtij akti të paligjshëm shpronësimi të bashkëqytetarëve të tyre! Atëherë, si do të mund të bëhen bindëse e të besueshme për elektoratin këto zonja, kur nuk kanë asnjë reagim ndaj zërit të drejtë e protestues të asaj mase që kërkojnë ta ndëshkojnë kështu, si pa të keq, burrat e djeshëm dhe këta të sotmit, që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të gënjejnë e të mashtrojnë, sidomos në kësi raste fushatash?!
E ndërsa mali i gënjeshtrave në këto fushata vazhdon të rritet, elektorati bëhet edhe më tepër mosbesues, gjë që duket edhe nga “simpatizantët” e partive që sa vijnë e rrallohen më shumë. Nuk e di të ardhmen e tubimeve që do të pasojnë, por ajo që shihet edhe këtë herë nga gjithë ajo që prezantohet e thuhet prej atyre që kandidojnë, duket shumë artificiale, për të mos thënë se është një shfaqje neveritëse që t’i sjell zorrët në grykë teksa e sheh dhe e dëgjon. Premtime për një jetë më të mirë dhe punësim për të gjithë, aq sa për 1 apo 2 vjet, siç u tha këto ditë nga një partiak i regjur, nuk do të mbetet vajzë apo grua pa punë, janë ca prej premtimeve të shumta që këputen sa majtas e djathtas këtyre ditëve të kësaj fushate. Ndërkohë, mesa duket, në rresht për të mashtruar sa më tepër janë vënë këtë herë edhe shumë kandidate femra, që kështu siç po veprojnë nuk po kanë asnjë ndryshim nga burrat, duke e bërë edhe më të lartë malin e gënjeshtrave për këtë popull, që kështu po i vështirësohet më tepër ngjitja e pastaj kapërcimi mbi të. Në këtë linjë janë thuajse të gjithë ata që duan të mbrojnë pushtetin, si dhe ata që duan ta marrin atë. Madje, edhe në ato fusha ku edhe pse duket se nuk ka fushatë, ajo megjithatë është aty, e kudondodhur, siç ngjet p.sh në sport, ku vazhdon ajo taktika dinake, shpif, shpif se diçka do të mbetet, që në rastin e futbollit shprehet me atë parullën tashmë të dalë boje e të shpalosur pothuajse për çdo ditë nëpër ekrane televizionesh nga ca llafazanolapanjozë të cilët edhe pse e shohin me sytë e tyre braktisjen e spektatorëve nga stadiumet, për shkak të nivelit shumë të dobët të ndeshjeve, e quajnë kampionatin tonë si më të bukurin e më të mirin e kohërave!? Sikur të mos shihnin se çfarë ngjet kur luajnë finalistë të tillë të Ligës së Kampionëve të Europës si Barcelona apo Juventus, por edhe në ato raste kur ndeshen skuadra që mbyllin renditjen apo kanë dalë nga kategoria, ku megjithatë stadiumet sa nuk pëlcasin nga ajo dyndje e pafund spektatorësh…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: