Nga: AHMET SHQARRI*
Të paracaktosh fatin e një fitoreje është e vështirë, por në rastin e “Skënderbeut” në futboll kurorëzimi i këtij sezoni ka qenë i paralajmëruar Në fund të një cikli shumëvjeçar emisionesh sportive në një tv, (mbyllja e të cilit në korrikun e vitit të kaluar ishte zhgënjyese për shumë arësye), si njëri prej protagonistëve më aktiv e polemizues për problemet e futbollit atje, menjëherë pasi “Skënderbeu” ishte kurorëzuar me titullin kampion, pata thënë me një ton të sigurtë se ekipi korçar, me këte përbërje dhe lojë të mirë që po zhvillon, do ta vazhdojë ciklin e fitoreve të kampionatit në vend, duke pretenduar titullin e pestë rradhazi. Gjithçka thashë n’atë mbrëmje të një viti më parë, me sa duket e pat besuar vetëm përfaqësuesi i skuadrës korçare i ftuar në studio si kampion, i cili me një buzëqeshje disi ironike përcolli gjithë atë skepticizëm të pjesëmarrësve të tjerë në panelin në fjalë.
Pa dashur të bëjmë analizën e asaj çfarë ka ndodhur në të gjithë rrugën e sezonit futbollistik që po mbyllet, ajo që bie më tepër në sy është se ekipi korçar ja arriti qëllimit për t’u shpallur përsëri kampion i Shqipërisë edhe për shkak të atyre vlerave që i ka trashëguar nga garat e kaluara, ku mbi të gjitha loja e disa titullarëve me më shumë përvojë ka bërë dallim të pakrahasueshëm me ndonjë tjetër në futbollin e këtij vendi. Ishte pikërisht ky element, i pranishëm në të gjithë këto vite suksesi, që jepte siguri e bindje dhe që paralajmëronte për një fitore të rradhës të ekipit korçar të “Skënderbeut”, paçka se jo shumëkush qe treguar entuziast për ecurinë e tij.
Ta fitosh titullin një javë para mbylljes së kampionatit, siç bëri “Skënderbeu”, gjithësesi është një meritë edhe për futbollin tonë të prapambetur, kur dihet se në kampionatet e tjerë, krejt të ndryshëm nga i yni për nga cilësia, titullin e kanë siguruar kështu para kohe, edhe emra të njohur të skenës botërore si “Barcelona” apo “Juventus”, finalistë të tanishëm të Ligës së Kampionëve të Europës. Duke vazhduar krahasimin, (natyrisht jo fort të përshtatshëm për rastin në fjalë), ashtu si tek skuadra katalanase që ka një Messi i cili bën ligjin me mrekullitë që shfaq në fushën e lojës, edhe tek ekipi korçar ka një futbollist si Bledi Shkëmbi që problemet më të vështira të ndeshjes di t’i zgjidhë nëpërmjet “magjisë” së tij! Është pikërisht sekreti i lojës së zgjuar e plot imagjinatë të Bledi Shkëmbit që e ka kthyer këtë lojtar thuajse në një emblemë të përjetshme të futbollit korçar. Të fitosh për 5 vite rradhazi titullin kampion të një vendi duke qenë t’i kapiteni i saj i përhershëm, kjo ka ndodhur deri tani, të paktën në Shqipëri, vetëm me një futbollist si Bledi Shkëmbi… Dhe, përsëri nuk më shqiten nga mendja krahasimet me botën, kur e di fare mirë se sa larg saj jemi, jo vetëm për futbollin në rastin konkret, por për çfarëdo gjë tjetër që ka të bëjë me standartet ekonomike, por dhe ato gjithëpërfshirëse të një qytetarie të përparuar. Përsëri në qendër po vendos Bledi Shkëmbin duke dashur të paktën prej meje si dashamirës i tij, që ky koment t’i mbetet si një “dekoratë mirënjohjeje” për atë vlerë të paçmuar futbollistike që ai ka shprehur në jetën e tij gati 20-vjeçare në fushën e lojës. Nëse Bledi Shkëmbi bëhet i pari në vendin e tij që si kapiten i ekipit korçar fiton 5 tituj kampion rresht, jo gjithëmonë ky sukses ka qenë i tillë për të tjerët, përfshi këtu edhe yje të shkëlqyer të botës së futbollit. Madje, ka të tillë si Stiven Xherard i “Liverpulit”, që edhe pse kapiten i një ekipi legjendar e me famë botërore, si dhe i Anglisë së tij po aq të famshme, nuk mundi të fitojë asnjë titull kampion të vendit të tij, paçka se në karierën e gjatë, po ashtu prej dy dekadash, ai u mbulua me mjaft trofe të tjerë të çmuar e të një rëndësie të jashtzakonshme për arenën ndërkombëtare, ç’ka e kanë kthyer atë sot në një nga idhujt më të shtrenjtë të futbollit anglez, gjë që u duk edhe në fundin e asaj ndeshjeje të javës së shkuar në “Anfield Road” kur në lamtumirën me stadiumin e tij, Xherard u mbulua me lavdi nga mijrat e spektatorëve…
Prandaj dhe e kam quajtur një kurorëzim të paralajmëruar këte të “Skënderbeut” të Korçës me titullin e 5-të rradhazi, sepse veç të tjerave kisha parasysh edhe rolin e madh e të papërsëritshëm të kapitenit Bledi Shkëmbi, i cili vazhdon ende të luajë me pasion e një përkushtim të tillë, që në këte rast, si një shtysë e fuqishme apo frymëzim i thellë për arritje të vazhdueshme, mund të vijë vetëm prej rrënjëve të thella e plot shpirt të vendlindjes së tij, Korçës së bukur dhe bujare!?… 

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: