Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Rrushkull, në Manëz të Durrësit, ku një 37-vjeçar ka goditur me sende të forta prindërit e tij, përballë banesës ku jetojnë.
Sipas informacionit paraprak të policisë, i riu, i identifikuar me inicialet E. K. dhe me probleme të shëndetit mendor, ka dhunuar babanë e tij 72-vjeçar, S. K., dhe nënën 69-vjeçare, F. K.
Si pasojë e goditjeve, të dy prindërit kanë marrë dëmtime dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore. Nëna ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit, në gjendje të stabilizuar, ndërsa babai, i cili ka pësuar dëmtime në kokë, është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, 37-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të sqaruar rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
