Gjykata e Apelit Administrativ rrëzon Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe e urdhëron atë të emërojë në detyrë një magjistrat, i cili ishte skualifikuar më herët për shkak të problemeve me pasurinë.

Bëhet fjalë për Florin Demollarin, i cili ka përfunduar shkollën e magjistraturës në 2019 dhe priste emërimin nga qeveria e gjyqësorit. Sipas ligjit, çdo magjistrat përpara se të marrë emërimin, kalon në filtrat e kontrollit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në mbledhjen e 12 nëntorit 2019, Këshilli vendosi të skualifikojë kandidatin Florin Demollari dhe refuzoi të bënte emërimin e tij si gjyqtar, pasi konstatoi se ai kishte probleme me pasurinë.

Vendimi u kundërshtua në rrugë gjyqësore nga Demollari dhe pak ditë më parë, gjykata e Apelit Administrativ e shfuqizoi vendimmarrjen e Këshillit duke e urdhëruar atë të vijonte procedurat për emërimin e magjistratit të skualifikuar.

Vendimi në fjalë, pritet t’i hapë rrugë një precedenti të rrezikshëm, pasi mund të shfrytëzohet nga çdo magjistrat që synon të hyjë rishtas në sistem e drejtësisë, kur nuk kalon filtrat e kontrollit.

Burime pranë këshillit të lartë gjyqësor thanë për News24 se do ta kundërshtojnë këtë vendim në gjykatën e lartë dhe kjo pritet të ndodhë përgjatë vitit 2020. Kjo pasi ende Apeli Administrativ nuk e ka zbardhur vendimin dhe janë të paqarta argumentet që ka përdorur për të shfuqizuar verdiktin e qeverisë së gjyqësorit. Ndërkohë që këshilli është i detyruar për momentin të zbatojë verdiktin dhe të vijojë me procedurat e emërimit të magjistratit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb