Në vigjilje të derbit të kryeqytetit ndaj Dinamos, e vlefshme për ndeshjen e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, i cili ka analizuar këtë takim për të kuqtë:

Tifozët – “Është një bonus emocional që të jep shumë entuziazëm, megjithatë duhet të jemi në ekuilibër sepse është një ndeshje specifike kundrejt Dinamos. Jemi munduar që ta përgatisim ndeshjen në mënyrën e duhur, por doja edhe një thirrje për tifozerinë tonë të zjarrtë sepse janë shumë të rëndësishëm dhe ne nuk ia dalim dot pa ta.

Gjithmonë tifozeria e kuqe ka bërë maksimumin për këtë skuadër dhe i bej thirrje që nesër të jenë të pranishëm në stadium sepse janë pjesë e pandashme e jona. Do të futemi në fushë për të bërë maksimumin dhe do të duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi gjatë gjithë kohës në ekuilibër për të bërë maksimumin duhet të udhëhiqemi jo vetëm nga dëshira, por edhe nga logjika sepse do të jenë 90 minuta të zjarrta.

Kupa dhe kampionati – Unë nuk jam dakord që në kampionat ne e kemi humbur betejën, sepse janë edhe 51 pikë në lojë dhe ne jemi Partizani dhe do ta respektojmë gjatë gjithë kohës kampionatin javë pas jave. Nesër ne do të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, por jam i bindur që do i respektojmë të dyja kompeticionet si në Kupë ashtu edhe në kampionat.

Jo vetëm sepse ne zhvilluam një ndeshje të mirë me Teutën, por Partizani ka ndryshuar filozofinë e lojës, ka arritur që të injektojë një frymë tjetër duke pasur parasysh që çfarë kemi dhënë deri tani. Pjesën e dytë me Dinamon kemi dominuar, në ndeshjen në Laç kemi interpretuar një sfidë shumë të mirë, pavarësisht me Kastriotin kemi bërë një ndeshje të mirë e kemi spostuar lojën në gjysmë fushën e kundërshtarit.

Golat – Kemi vuajtur pak përsa i përket qetësisë përpara portës, por ndeshjet janë të ndryshme dhe kanë histori të ndryshme. Kemi pasur shumë probleme për çështjen e virozëve dhe problemeve fizike, kemi pasur disa shqetësime. Kjo u vu re edhe me ndeshjen ndaj Laçit që kishim mungesa.

Grupi – Megjithatë unë e bazoj lojën te grupi, jo te individi që të gjithë janë të rëndësishëm. Skuadra e ka treguar me mungesat që forca e grupit ka dalë mbi individin. Ne nuk e meritojmë që të jemi këtu dhe i shohim javë pas jave dhe pas çdo ndeshje që ne kryejmë do të shohim dhe objektivin. Nuk mund të flasim për gjëra që për momentin nuk shihen dot përpara.”, përfundoi Dritan Mehmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb