Ledio Pano mendon se derbi i kryeqytetit do të jetë shumë i hapur, por sheh Tiranën paksa më të favorizuar në rrugëtimin e saj drejt kësaj ndeshje dhe titullit kampion.

Ish-futbollisti i njohur i Partizanit, ka analizuar sot në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, situatën e të kuqve, por edhe ato që sheh si avantazhet e Tiranës ndaj tyre.

“Partizani kishte ecuri pozitive duke parë fazën e parë. Lojërat nuk ishin në nivelin që duhej, sipas këndvështrimit tim, por kishte ritëm, dëshirë nga të gjithë dhe prandaj ishte në vendin e parë. Duke filluar nga viti 2023, pastaj gjithë ato ndeshje pa fitore, lanë një shije të hidhur, sidomos pas ikjes së Skukës dhe Bitrit, dy emra me potencial të ekipit.

Lanë boshllëk si në sulm, edhe në mbrojtje. Megjithatë, Partizani ka potencialin dhe lojtarët për t’i zëvendësuar. Jo 100% se këta futbollistë, por deri në një masë të madhe kushdo aset që ikën, lë një boshllëk dhe është e vështirë t’i mbulosh.

Nuk është vetëm humbja me Vllazninë, por një vazhdë e ndeshjeve të dobëta të Partizanit, pavarësisht dy fitoreve, në dy të fundit edhe pse mori tre pikët, loja nuk ishte e atij niveli që duhet të ketë ky Partizan dhe lojtarët cilësorë që ka.

Duhet më tepër, edhe Kolela është i vetëdijshëm për forcën dhe potencialin që ka Partizani, por nuk po jep atë që duhet. Ndeshja ndaj Vllaznisë ishte ajo që mbushi kupën, megjithëse është edhe derbi se jepet gjithçka dhe ekipet japin të gjithë potencialin e tyre.

Humbja është gjithmonë rezultat negativ, 3-1 ndaj Vllaznisë nuk është një rezultat që nuk mund të kthehet. Megjithatë, nëse Partizani ndryshon disi në mënyrën e lojës dhe dëshirën e futbollistëve për të dhënë maksimumin dhe ndihmuar njëri-tjetrin, besoj se çdo rezultat mund të ndryshojë.

Është kënaqësi të flasësh për derbin. Unë besoj, jo vetëm si pjesëtar i Partizanit, por edhe si ish-futbollist që e ka luajtur këtë derbi, ndjesia e derbit është diçka tjetër. Besoj se është ndeshja kryesore e kampionatit.

Por ta shohësh, në çdo javë, pritet java që të luhet derbi. Besoj se është pika kulminante e kampionatit dhe pritet nga të gjithë me entuziazëm, aq më tepër në momentin aktual ku Tirana është para Partizanit. Nuk është diferenca, por edhe pak jo, se Tirana ka qetësi.

Tirana nuk është Tirana e fortë e viteve të kaluara, largimet e shumta kanë bërë punën e tyre, por ajo është e qëndrueshme. Nuk ka potencialin e Tiranës së vjetshme, por është ekip i qëndrueshëm.

Largimet kanë ndikuar pa diskutim, janë të shumta, rreth 60-70% e ekipit është larguar, lojtarë shumë cilësorë. Largimi i Xhixhës në janar ishte minus i madh për sulmin e Tiranës, është vërejtur në ndeshjet së fundit. Por Tirana ka mentalitet fituesi dhe qëndrueshmëri në lojën e saj.

Në çdo derbi sfumohet çfarë ka ndodhur më përpara. Rezultati i Vllaznisë ndikon te Kupa, por kur vjen derbi, Partizani mobilizohet shumë më tepër, ashtu si Tirana, se derbi është pika kulmore e çdo futbollisti. Ndjesitë që ka në atë ndeshje, nuk i ka në ndeshje të tjera. Ndaj derbi i ka të tre rezultatet. Uroj që të bëhet një ndeshje e mirë, fair-play dhe të fitojë futbolli.

Ndeshja derbi ka specifika të tjera, ndaj nuk besoj se do të jetë ai Partizan që ka qenë, që ishte të paktën në ndeshjen e fundit. Besoj se do të jetë një Partizan tjetër, por duhet të ndryshojnë gjëra brenda, mes lojtarëve, në disiplinë e taktike, në dhënien e maksimumit dhe ndihmën reciproke ndaj njëri-tjetrit.

Problemet me tifozët në derbi? Kemi vite që flasim për këto gjëra, ka ardhur koha që nuk mund të dënohet një klub për mendjen e një individi, për atë që do të shkatërrojë e bëjë gjurulldira.

Sigurisht që gjëja më e drejtë që mund të bëhet është që ai të mos hyjë më në stadium, kush kapet, jo të gjobiten e dënohen ekipet të cila vetëm nga ata që mbushin stadiumin e duan të shohin ndeshje futbolli, të dënohen. Se është një ndihmesë shumë e madhe ardhja e tifozëve në stadium për klubet, kjo duhej bërë.

Kemi kohë që e themi do gjobitet e arrestohet, asgjë nuk është bërë. Janë edhe goditje gjyqtarësh e asgjë nuk është bërë. Duhet vendosur një herë e mirë një rregull në të gjitha fushat se futbolli është një art, një kënaqësi që njerëzit shkojnë për t’u kënaqur.

Kush është favorit për titullin? Tirana ka një përqindje pak më të madhe se është më serioze në ekipin e saj. Por nuk përjashtoj as Partizanin e Vllazninë, ndoshta as një ekip tjetër që mund të bëjë hov cilësor në javët në vijim. Por besoj se kjo treshe do të jetë deri në fund në luftën për titull”, theksoi Ledio Pano ndër të tjera në intervistën e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb