Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar lidhur me takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit dhe pretendimet për përcjelljen e një mesazhi kërcënues nga kryeministri Edi Rama.

Në një deklaratë publike, Muçollari akuzon Gogun se ka shërbyer si ndërmjetës për përcjelljen e një mesazhi të Ramës ndaj Veliajt, përmes të cilit ky i fundit i kërkohej të hiqte dorë nga mandati i kryebashkiakut, në të kundërt do të përballej me pasoja të rënda ligjore.

Demokrati ngre pikëpyetje mbi rolin e ministrit të Drejtësisë në këtë takim, duke e cilësuar atë si një situatë të papranueshme, ku sipas tij, Gogu nuk mund të jetë njëkohësisht ministër që duhet të garantojë drejtësinë dhe person që përcjell mesazhe politike në burg.

Muçollari kritikon gjithashtu faktin që, sipas tij, Gogu nuk reagoi menjëherë për të sqaruar pretendimet e bëra publike, ndërsa kërkon largimin e tij nga detyra.

Kujtojmë se Toni Gogu ka konfirmuar takimin me Erion Veliajn të premten, por ka mohuar kategorikisht pretendimet për përcjelljen e mesazheve kërcënuese. Ministri ka deklaruar se vizita u zhvillua në kuadër të përgjegjësive të tij institucionale, për t’u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe për të dëgjuar ankesat e tij.

Reagimi i plotë i Grigels Muçollarit:

“Edhe korrier shantazhi, edhe pastor, edhe Ministër Drejtësie?!

Bëmat e kupolës së Rilindjes kalojnë çdo fantazi. Sidomos kohët e fundit, pas destabilizimit total nga protesta, Edi Rama është plot me paranojë, ankth dhe mungesë të thellë racionaliteti në atë që bën.

Në media del lajmi që Toni Gogu i përcjell në qeli Erion Veliajt kërcënimet e kreut të organizatës. Ngjarja bëhet e ditur nga avokati i kryebashkiakut. Edi Rama i kërkon të dorëzojë mandatin që e mban nga biruca dhe të rrijë urtë, ose do të kalbet në burg.

Këtë mesazh mafioz, të paraburgosurit ia përcjell hiç më pak, por Ministri i Drejtësisë.

Ditën është në zyrën ku i shërben drejtësisë, natën bëhet bashkëpunëtor në krim, me kapele dhe tuta, pa u regjistruar si vizitor.

Lajmi ka që në mesditë që qarkullon në media. Toni Gogu, që është dhe pastor, pra me një moral të lartë, nuk ka dalë publikisht ta përgënjeshtrojë. Por nuk ka dhënë as dorëheqjen, vazhdon të jetë në zyrë.

Si mundet vallë? Edhe mesazher i kumbarit, edhe Ministër Drejtësie?! Deri kur…”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb