TIRANE-Ky është momenti kur Jani Alia, tashmë person i shpallur në kërkim ka ekzekutuar me gjakftohtësi Elton Çiçen në prani të tre personave të tjerë në lokalin “De Niro” në kryeqytet. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së lokalit pranë stadiumit “Selman Stermasi”, në Tiranë, ku ndodhi vrasja e Elton Çiçës të dielën e pare te majit, Policia ka mundur të zbardhë momentin e krimit. Nga regjistrimet shihet që ora ishte dikur rreth 22:15 minuta, para se vrasësi të futej në lokal.

Në atë moment, në bar “De Niro” fokusohen 5 persona nga kamerat. Një person që qëndron në këmbë pranë derës, te banaku dhe pak hapa më brendësi të lokalit, në një tavolinë janë të ulur 4 persona. Në pamje ballore shquhet viktima, Elton Çiça, që është me kokën ulur duke shkruar diçka në celular, ndërsa në
krahun e tij të majtë ndodhet oficeri i Policisë së Tiranës.

Përballë tyre janë edhe dy persona të tjerë, një gazetar, që ndodhet në krahun e viktimës, me shpinë nga kamera dhe një stomatolog, që shquhet në profil, i cili ndodhet i ulur në karrigen pranë oficerit të Policisë.

Në atë kënd të lokalit nuk shquhet asnjë person tjetër, pasi tavolinat e tjera janë bosh. Ndërsa në aneksin e lokalit, që nuk është i fokusuar nga kamera, ndodhen klientë të tjerë. Aty futet një person i veshur sportiv (Jani Alia) dhe me një kapele të bardhë në kokë, që fillimisht duket si klient që ishte drejtuar për t’u ulur në ndonjë prej tavolinave.

Por në fakt, ai me hapa të shpejtuar drejtohet te tavolina ku ndodhej viktima. Sapo afrohet aty, duke qëndruar mes Çiçës dhe gazetarit, ai i drejtohet me emër viktimës dhe për më pak se 2 sekonda nxjerr pistoletën, e qëllon dy herë dhe largohet për të dalë nga lokali.
Në këtë moment të gjithë ngrihen nga tavolina, dikush nxiton drejt banakut, dikush del jashtë, ndërsa të tjerët shtangen në këmbë. Alia kthehet një fragment sekonde, shikon drejt tavolinës dhe më pas “zhduket”, nga dera e jashtme e lokalit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb