Akuzat e rënda ndaj krerëve të politikës së Kosovës, si ish-luftëtarë të UÇK-së, janë bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Real Story” në News24. Të ftuarit në studio komentuan edhe votën e Shqipërisë pro raportit të Dick Marty në Komisionin Evropian.

Diplomati Arben Çejku tha se pavarësisht votës, të gjithë shqiptarët dolën kundër atij raporti. Referuar akuzave të fundit politike mbi qeverinë e asaj kohe, diplomati tha se edhe kryeministri Edi Rama do ta kishte votuar. Ndërsa për analistin Arjan Vasjari më shqetësuese se vota e Shqipërisë është fakti se raporti u votua edhe nga deputetë, vendet e të cilëve çliruan Kosovën.

Pjesë nga diskutimet në studio:
Çejku: Në periudhën kur u diskutua raporti i Dick Marty të gjithë shqiptarët dolën kundër, që nga Presidenti e të gjithë me radhë, përfshi dhe opozitën. Pra, ky raport publikisht u dënua nga gjithë shqiptarët. Çështja ishte nëse do të hetohej nga rusët apo ndërkombëtarët. Atë rezolutë do ta votonte edhe Edi Rama, që sot po e përdor politikisht. Ai sot po vepron kundër, shkon e bën marrëveshje me Vuçiç dhe nuk është fare Kosova. Edhe kur e nisi mini-shengenin, e nisi pa Kosovën.

Vasjari: Më shqetëson mua fakti që Shqipëria nuk ka mbajtur një qëndrim, por neve duhet të na shqetësojë diçka tjetër: Si ka mundësi që një rezolutë votohet nga shumë deputetë, dhe pjesa më e madhe ishin ata që çliruan Kosovën. Ky është thelbi.

Bashkurti: Rreziku është që ta instrumentalizojmë tani një proces që duhet të ecë i lirë dhe i pavarur. Ka dy tendenca për instrumentalizim, një në Kosovë, dhe një në Shqipëri, ku është një gabim i madh. Nëse procesi do të shtrihet edhe në Shqipëri, është diçka që e vendosin Dhomat Speciale. Por involvimi i Shqipërisë në këtë proces është diçka e rrezikshme, ne duhet ta lëmë procesin të lirë. Shteti shqiptar në tërë këtë mesele nuk mund të ndryshonte fare rrjedhën e vendimit. Shteti shqiptar nuk ka involvim në procese të tilla. Tani është momenti për të treguar seriozitetin, që Shqipëria nuk duhet të pranojë të involvohet në këtë proces. Eulex ka bërë hetimin e tij, mbi bazën e këtij raporti mund të operojnë.

Minxhozi: Do më dukej e habitshme të involvohej Shqipëria në këtë proces. Jam tërësisht i bindur që ky proces nuk ka absolutisht natyrë juridike. Nëse i futemi një analize të rrethanave në të cilën ndodh kjo që po ndodh, do ta plotësonim këtë ngjarje dhe nuk do ta relativizonim. Kjo është një ngjarje që ndodh në një truall shumë kompleks. Kosova po bëhet gati për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin armik. Ata që po fitojnë për momentin, janë ata që nuk duan një Kosovë të pavarur, ata që i frikësohen planit për një Shqipëri më të madhe se aq sa është tani. Joe Biden ka thënë se do të vrasë këdo që rrezikon shqiptarët. Sot kemi një interes ndërkombëtar krejt të ndryshëm. 20 vitet pas luftës së Kosovës janë vite të një pendese, të kthimi kursi, të një shfajësimi të heshtur ndaj Serbisë, për shkak se i bombardoi gjithçka në Beograd, që në fakt e meritonte pas asaj që bëri ndaj Kosovës. Perëndimi bëri një ‘mea culpa’ ndaj Serbisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb